Lokalet janë plot me Aristotela, Platona, Sokrata, Shekspira, Frojda, Konica, Nola…

Nga Edison Ypi


Rrugës për në Korçë lokalet janë plot me filozofa lokalë, Aristotela, Platona, Konfuça, Sokrata, Shekspira, Frojda, Dostojevska, Konica, Nola. Gjithologët autodidaktë, profesor-doktorat e improvizuar që i kanë shndërruar lokalet në auditorë në natyrë, para tavolinave me raki, mëlçi, mish, peshk, birrë, salc kosi, bukë të thekur, flasin me zell për gjithçka.

Për Fatet e kombit, hallet e popullit, politikën, gjeopolitikën, diplomacinë, intrigat ndërkombëtare, ekonominë, bankat, luftrat, krizat e monedhave, barazimin e stinëve, fundin e botës.
Rrëzë Qafës së Thanës, panair shurrash.

Fëmijët që lajnë makinat, për të tërhequr vëmendjen mbajnë në duar tuba që e hedhin ujin lart; “Porsi malli i trimit që buçet përpjetë”.
Anës Liqerit peshkatarët të lusin t’u blesh ngjala të gjalla që përdridhen nën çengela si kurvat.

Nga Korça drejt Devollit, më të djathtë Plasa dhe Belortaja, më të majtë drejt fushës, një kthesë. Sapo ke hyrë në atë kthesë, thith një tjetër ajër, merr një tjetër frymë.
Është Kreshpanji!

Zoti më ruajt nga nëpunësat, shefat, sekretarët, kryetarët. Kreshpanji, kreshpanjarët, ata më duhen.

-Fshati Kreshpanj ka 320 banorë, 68 Shtëpi, 1 traktor për 2 shtëpi, nja 50 autovetura, motoçikleta dhe biçikleta pa numërim.
-Sa tokë ka Kreshpanji?

-840 hektarë. Marrim dhe 600 hektarë të tjerë me qira nga fshatrat përreth.
-Si ia dilni t’i kultivoni gjithato hektarë ?
-Ka përparuar kapitalizmi këtej nga ne, oreeee. Kemi 120 krahë pune, 180 të tjerë i marrim me mëditje këtej rrotull.
-Çfarë mbillni e korrni në këto toka ?

-Vetëm pllaqi. 250 ton Pllaqi në vit. Kreshpanji është vendi më i mirë në botë ku pllaqia bëhet më e shijshme, më e madhe, më e bukur, më e pastër, më e shëndetshme se kudo tjetër. Pllaqia bëhet edhe nëpër fshatrat rrotull, por jo si në Kreshpanj. Burra, gra, të rinj, të vjetër, nga 10 në 100 vjeç ne punojnë të gjithë nëpër ara. Nuk kemi në fshat kafenera, bilardora, gjëra qefi. Qefi ynë është puna.

Pllaqinë tonë vjen e merr greku e mbyll në kanaçe llamarine. Ato pllaqitë që emigrantët shqiptarë në Europë e gjetkë i blejnë nëpër supermarketa, janë pllaqitë tona, pllaqitë e Kreshpanjit. Eksportojmë 1 milionë dollarë pllaqi në vit. Po deshe të dish më tepër për ne dhe pllaqitë tona, pyet filozofat e lokaleve anës udhës.

Ju andej nga Tirana keni të mëdha pordhët e pllaqive tona. Ne këtej nga Kreshpanji kemi të mëdha pllaqitë e pordhëve tuaja. Ta ndërtojmë kapitalizmin duke kombinuar këto dy mrekullira, pllaqitë tona me pordhët tuaja.

ObserverKult


Lexo edhe:

EDISON YPI: S’PO TA VAR KUSH, BËJE NJË SELFIE!