Testamenti i Ludwig van Beethoven- ja çka shkroi në të

Vëllezërve të mi, Carl dhe (emri i Johanit mungon) Beethoven

O ju njerëz, të gjithë ju që mua më mbani dhe më keni shpallur për armiqësor, kryeneç e mizantrop, sa të padrejtë që jeni kundrejt meje; ju nuk e dini të fshehtën time që ma gërryen shpirtin prej kohësh; zemra dhe mendja ime kanë qenë që nga fëmijëria të mbështjella nga ndjesia e dashamirësisë; ëndërroja të mbaroja vepra të mëdha që do të dilnin nga qenja ime, por ndaluni e kujtohuni se prej gjashtë vjetësh mua më ka kapluar një lëngatë e pashërueshme; e, kanë qenë madje edhe doktorët e pakujdesshëm ata që kanë përkeqësuar këtë lëngatë, duke më ushqyer me shpresa të rreme se gjendja ime nga njëri vit në tjetrin për të mirë do të ndryshonte; hidheni vështrimin mbi një sëmundje që nuk ka të prerë (shërimi i së cilës ndoshta me vite do të zgjasë, apo mbase nuk do të ketë shpëtim) e më ka shtrënguar ndër mengene; i lindur me një temperament të gjallë e i hapur për kënaqësitë dhe argëtimet në shoqëri, unë isha i detyruar qyshkur ta veçoja veten, jetën time ta mjeshtëroja në vetmi të thellë; dhe kur ndonjëherë provoja të shpërtheja vetminë time: o ç’përjetim dyfish i dhembshëm e i trishtueshëm kur unë, për arsye të të dëgjuarit tim të vobektë më duhej të zmbrapsesha nga shoqëria, dhe megjithatë më bëhej e paarritshme t’ua thosha njerëzve në fytyrë: flisni më zëshëm, bërtisni, ngaqë unë jam i shurdhët,; ah, po si t’ia dilja të shpërfaqja mangësinë e një shqise e cila tek unë mishëronte një gradë përsosmërie e cila pakkujt iu kishte dhuruar, një shqisë të cilën unë e posedoja në gjithë plotëninë e vet, një përsosmëri, që madje edhe të paktëve njerëz nga soji im u është ndarë në këtë jetë – o, nuk mundem dot, e të më falni kur ju mua më dëftoni tek tërhiqem nga ju duke lënë mbrapa shijen e hidhët të keqkuptimit; se për mua nuk mund të ketë çlodhje në mesin e njerëzve, nuk mund të ketë bashkëbisedime të ndërsjella e shpalim zemrash në derdhje pëshpërimash; krejt i vetmuar dhe vetëm për aq sa më është e domosdoshme mund të lëshohem në mesin e njerëzve, si një i syrgjynosur më duhet ta kaloj jetën; afrohem dhe përzihem mes njerëzish, e më mbulon një ankth përvëlues se gjama ime do të dëftohet – kështu më ngjau edhe gjatë këtij gjysmë viti, kur u tërhoqa në hapësirat e provincës, nën përkujdesjen e një doktori plot urtësi i cili nga unë kërkoi ta ruaj të dëgjuarit tim; kjo bëri që tani për tani shqisa ime të përfitojë një dispozitë gati të natyrshme, edhe pse, i prirë e i shtyrë të mblidhem në shoqëri me të tjerët, mashtroja veten, më prishej mendja e u afrohesha njerëzve; por ç’përulje e mjerueshme kur dikush ndodhet pranë meje dhe dëgjon tinguj flaute që vijnë nga larg, e unë nuk i rrok ata tinguj, apo kur dikush dëgjon këngën e bariut, e unë asgjë s’dëgjoj; ndodhi të këtilla më shpinin krejt ngat dëshpërimit të madh, dhe mungonte edhe një thërrime, dhe unë do t’i vija fundin jetës sime – vetëm Arti, ai më mbajti në jetë; ah, e mbaja veten të pazot ta braktisja këtë botë për pa ia dalë të nxjerrë nga qenia ime ato për të cilat isha krijuar; dhe kështu e shtyja rrnesën time plot lëngatë – një rrnesë vërtetë e gjymtuar; një trup kaq lehtë i pezmatueshëm, saqë edhe një ndryshim krejt i vogël bënte që gjendja ime më e mirë të më kthehej në një tjetër krejt papërfytyrueshme -durim- thuhet gjithandej, atë duhet ta vë në krye të jetës sime, po, këtë dhe kam bërë – pandalshëm shpresoj, vendimi im për të qëndruar do të zgjas deri sa t’ua ka ënda zanave të malit ta presin një ditë fillin; ndoshta e tëra kthehet për të mirë, ndoshta jo, mbetem gjakftohtë e në mejtime – se unë qysh në moshën 28 vjeçe u detyrova të bëhem filozof, kjo nuk është e thjeshtë, për një artist krijues është më e vështirë se për dikë tjetër – ti Hyjni lëshon shikimin e depërton brenda meje, ti njeh thellësinë time, ti e din, se dashuria  ndaj njeriut dhe bamirësia kanë banuar në mua, – o njerëz, po lexuat këtë, ta kujtoni se më keni bërë të padrejtë kur më keni mbajt mëri; e i pafati e ngushëllonte veten se ai, përkundër të gjitha leqeve të natyrës, ia doli të bëjë gjithë atë çfarë ishte në dorën e tij që një ditë të mbërrijë të zërë vend në mesin e artistëve dhe njerëzve të dinjitetshëm; – ju vëllezërit e mi Carl dhe (emri i Johann-it mungon, në autografin origjinal rreshti ka zbrazëti, vër. e komentatorëve), mbasi të kem vdekur dhe profesor Schmid të jetojë, t’ia shtroni lutjen në emrin tim, që ai një ditë të shpalojë faqe dheut historinë e sëmundjes sime, e këto fletë të shkruara t’ia ngjesë atij përshkrimi; e bota, një ditë, për aq sa është e mundshme, mbas vdekjes sime, të gjejë pajtimin me mua; – njëkohësisht unë ju shpall ju të dyve trashëgimtarë të pasurisë sime të vogël (nëse mund të quhet e tillë), ta ndani në mirëkuptim, dhe durojeni e mbështetni njëri-tjetrin; për ato kundërshtimet që më keni bërë, ju i dini vetë, ua kam falur kaherë; ty vëlla Carl të falënderoj në veçanti për kujdesin e besnikërinë këto kohët e fundit; dëshira ime është që ju ta keni një jetë me më pak brenga sesa ajo imja, të porositni fëmijët tuaj për virtyte, vetëm virtyti mund ta bëjë njeriun të lumtur; jo paraja, po flas nga përvoja; paraja ishte ajo që i rënë në fatkeqësi, megjithatë, bashkëngjitë me artin tim, më mbajti larg vetëvrasjes, – të gjithë miqtë i falënderoj, veçanërisht Princin Lichnowski dhe profesor Schmidin. Instrumentet e Prinzit L. le të mbeten te njëri prej jush, por duke mos ua ndjellë ndonjë mosmarrëveshje mes jush, por kur ju ta shihni se ato mund t’ju sjellin diçka të dobishme, atëherë shisni ato, sa më gëzon fakti se unë edhe i mbuluar me dhé mund t’ju dal në krahë – me kënaqësi cytem drejt vdekjes – po ia mbërriti vdekja para se unë të kem shpaluar gjithë artin tim, dhe kujtoj se kështu do të ndodhë për fatin e rëndë që kisha në këtë botë, e unë do të dëshiroja të vononte edhe ca  – po herëdokur e pres vdekjen në paqëtim, vallë a nuk më çliron ajo nga ato gjendje të përvuajtshme? – eja kur të ta dojë qejfi, nisem guximshëm drejt teje – pra lamtumirë, jua paça të mirën dhe mos më harroni mbasi të më marrë vdekja, kujtoj se kam merituar përkujtimin tuaj, se unë kaq herë jam kujtuar për ju dhe jam përpjekur që t’ju shoh të lumtur. Ashtu qofshi!

Ludwig van Beethoven
Heiglnstadt, me 6 tetor 1802

Nga gjermanishtja: Avni Alija       

ObserverKult


Lexo edhe:

LUDWIG VAN BEETHOVEN, NDRYSHOI MËNYRËN SE SI E DËGJOJNË DHE E KUPTOJNË NJERËZIT MUZIKËN