Ivan. S. Turgeniev: Kur të mos jem, kur gjithçka që ish e imja do të mbulohet me pluhur…

Kur të mos jem, kur gjithçka që ish e imja, do të mbulohet me pluhur- o ti , shoku im i vetëm, o ti, që të desha kaq fort e kaq dhemshurisht, ti, që me siguri do të jetosh pas meje – mos shko te varri im … Ti s’ke ç’bën atje.

Mos më harro … po mos më kujto përmes halleve të përditshme, kënaqësive dhe nevojave … Nuk dua ta pengoj jetën tënde, nuk dua ta vështirësoj rrjedhën e saj të qetë. Por në çastet e vetmisë, kur mbi ty të bjerë trishtimi i drojtur e i pashkak, aq fort i njohur nga zemrat e mira, merr ndonjë nga librat tanë më të dashur dhe kërko ato faqe, ato rreshta, ato fjalë, nga të cilat na ndodhte – të kujtohet? – të dyve, menjëherë te na rridhnin lotët në heshtje. Lexoi, mbylli syte dhe zgjatma dorën … shokut që të mungon, zgjatja dorën tënde.

Nuk do të mund të ta shtrëngoj me dorën time: ajo do të jetë e shtrirë, e palëvizshme nën dhe, por tani me pëlqen të mendoj që ndoshta, ti, në dorën tënde, do të ndiesh një prekje të lehtë.

Dhe pamja ime do të fanitet ty dhe nga syt’ e tu të mbyllur do të rrjedhin lot, si ata lot që ne, të mallëngjyer nga bukuria, patëm derdhur së bashku, o ti, shoku im i vetëm, o ti, që të desha aq fort e aq dhemshurisht…

Përktheu: Petraq Kolevica

ObserverKult