Manjola Brahaj: E kem’ harrue veten

E para asht dashnia, poezi nga Manjola Brahaj
Manjola Brahaj

E kem’ harrue veten brenda katër muresh,
në shkallët që i ngjesim dhe i zbresim kush e di sa herë në ditë,
si sizifë të markuem me destinin e parathanun,
si endacakë të lidhun brenda nji rrethi vicioz,
me pamundësinë për me kërkue të varun në qafë,
si nji medaljon dështimesh të parrëfyeme tek askush.

Nuk e dimë ku asht vetja,
e ndame pjesë pjesë,
në copëza, në thërrime, në kokërrza vogëlane…
Pak mundet me u gjetë në ballkonin e stëmbushun me tesha,
në përsosmërinë e palosjes e bardhësisë,
bash si andrrat e dikurshme.
Pak mundet me u gjetë në kuzhinën e stërmbushun me gatime gjithfarësh,
në shijet parajsore të ngopjes dhe mbingopjes,
të teprisë mbi tepri.

Ndonji pjesë e saj noton në të zitë e kafes
që e shërbejmë çdo ditë,
në këshillat që na jepen pa i kërkue,
në ankesat e pafundme që kanë ngatërrue adresë,
në pritjen e përhershme që e kem’ pre në besë.
Në kremastarët e mbushun me këmisha të hekurosuna,
në vijën e drejtë dhe të përsosun të pantollonave të errët,
në troshat që mblidhen për me u hedhë në kosh,
sa herë që hamë dëshira në sofrën e shtrueme me dashni.

E kem’ harrue veten,
e kem hapërda në mijëra pjesë,
të cilat gjallojnë para syve tanë,
tue na ba me u zvogëlue çdo ditë…

ObserverKult

Lexo edhe:

NDRIÇIM ADEMAJ: RRNO PËR ME M’HARRUE…
DONIKA DABISHEVCI: BAJ ME T’HARRUE…
BRUNA GJONI PËRVATHI: MOS M’LÊ ME T’HARRUE…
SAMI HAJRA: KAM ME T’HARRUE