E çuditshme! Ai që duam mund të na bëjë edhe të këqija, por ne jemi të qetë….

Nga Natalia Ginzburg

Një ditë takojmë personin e duhur. Qëndrojmë indiferentë, sepse nuk e kemi njohur. Shëtisim me personin e duhur nëpër rrugët e periferisë dhe na bëhet zakon, pak nga pak, të shëtisim së toku përditë.

Hera-herës, pa e pasur mendjen, pyesim veten në mos vallë po shëtisim me personin e duhur, por na duket që jo, aspak. Jemi tepër të qetë; toka dhe qielli kanë ndryshuar; minutat dhe orët rrjedhin qetësisht pa na prekur kushedi se çfarë në zemër.

Sa e sa herë jemi gabuar: kemi pandehur të kemi ndeshur personin e duhur, ndërsa nuk paskësh qenë i tilli. Dhe, në prani të atyre personave kinse të duhur, binim të rrëmbyer prej një trazire aq të vrullshme sa nuk na mbetej më fuqi për të menduar; na dukej vetja si të qenkëshim duke gjalluar mes një vendi ku ka rënë zjarr: pemë, shtëpi dhe objekte flakërinin rreth nesh.

Mandej befas zjarri fikej, nuk mbetej veçse një grusht prush i vakët: mbas shpinës sonë viset e djegura janë aq të shumta sa as mund t’i numërojmë. Tani asgjë nuk digjet rreth nesh.

Për javë dhe muaj kalojmë ditë me personin e duhur, pa e ditur që është i duhuri. Gjëja e çuditshme, me personin e duhur, është se ndjehemi gjithnjë aq mirë e aq në paqe, duke marrë frymë aq bollshëm, me ballin që për vite na ishte rrudhur e vruguar tanimë të shtendosur; dhe nuk lodhemi kurrë së foluri e së dëgjuari.

E kuptojmë që nuk kemi pasur kurrë një raport si ky me asnjë qenie njerëzore; mbas pak të gjitha qeniet njerëzore na dukeshin aq të parrezikshme, aq të thjeshta e aq të vogla.
Ndërsa ky person, teksa ecën përbri nesh me hapin e tij të ndryshëm prej tonit, me profilin e rreptë, ka një aftësi të pafund për të na bërë çdo të mirë dhe çdo të keqe. E megjithëkëtë ndjehemi pafundësisht të qetë.

Përktheu: Aurel Plasari

ObserverKult


Lexo edhe:

KËNGË POPULLORE: KARAFILAT QË KA SHKODRA (TEKSTI DHE VIDEO)