Mos mallko orën që u njohmë… bekoje atë orë

Midhat Frashëri

Midhat Frashëri lindi më 25 mars 1880 në Janině. Veprimtar politik, shkrimtar, publicist, përkthyes, i njohur me pseudonimet Lumo Skendo dhe Mali Kokojka. Midhati e njohu shumë pak të atin e tij, ngaqë i vdiq i ri, duke mbetur në kujdestarinë e xhaxhallarëve, Sami dhe Naim Frashëri. Duke qëndruar pranë tyre, kreu edukimin e plotë akademik ně Stamboll.

Midhati nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte “Kalendarin Kombiar”, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Më 1901, botoi biografinë e parë kushtuar Naim Frashërit. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani.

Në korrik 1908 themeloi gazetën “Liria” në Selanik, në vitet 1897-1928 botoi revistën “Kalendari Kombiar”, më 1909 themeloi revistën “Dituria”, që doli në Selanik, pastaj në Kostancë dhe më vonë në Tiranë. Më 1908 mori pjesë dhe u zgjodh kryetar i Kongresit të Manastirit dhe nënkryetar i Komisionit të Alfabetit. Midhat Frashëri u nda nga jeta më 3.10.1949 në Nju Jork

ObserverKult në vazhdim do ta sjell një prozë poetike të Midhat Frashërit:

Nga: Midhat Frashëri

Oh, jo, nuk lë gjësendi, po zemrën time të tërë.
Pandehnja se kjo zemër ish shurdhuar, ish verbuar. Kaq vuajtje më dukesh se më s’i kishin lënë shpirtit.

Më ngjalle nevojën e dashurisë, më dhe gjithë të dhëmburat, gjithë ndjenjat e saj.
Një herë besova se çdo gjë u shua dhe u çduk rreth meje.
Një shpresë e fuqishme më erdh në zemër, më rrëmbeu me krahët e saj.
Sa lark jam tani prej teje, o e dashura ime! Ato orë t’ëmbla, ata ëndërrime, apo qenkan ëndërra?

Lemë të vuaj! Mos u qa. Se zemra më ka nevojë të ndjejë dhe të vuajë. Mos mallko orën që u njohmë. Bekoje atë orë.

E sheh? Ka njerës që janë bërë për fat të mirë dhe për dëfrim.
Unë jam për vuajtje. S’e du ç’është gëzimi. Po mos më qaj.
Se në vuaj sot po vuaj prej teje.

4 vjesht’ e III

*Shkëputur nga libri “Or’ e fundit-Proza letrare dhe dokumentare”

Përgatiti: A. S.- ObserverKult

————————————-

Lexo edhe:

Midhat Frashëri: Të falem ty, o e dashura ime!