Letër dashurie: Të jam lutur aq shumë të mos më lësh…


Milena Jesenska ishte e martuar kur, në vitin 1920, i shkroi Franz Kafkës një letër ku i kërkonte të përkthente një nga librat e tij. Ajo letër ishte pikënisja e një korrespondence sa filozofike, aq edhe pasionante.

Kafka vendosi t’i jepte fund marrëdhënies së tyre pasi Milena nuk pranoi të linte të shoqin.

Pas vdekjes së Kafkës, letrat që shkrimtari i kishte dërguar Milena ia dha Max Brod-it, i cili i botoi në vitin 1952 me titullin “Letra Milenës”.

Por letrat që Milena i dërgoi Kafkës nuk u gjetën, me shumë mundësi ishte shkatërruar.

Më poshtë është një prej letrave që Kafka i ka shkruar Milenës:

(Pragë, 18 Shtator 1920)


Ti, Milena, nuk mund ta kuptosh tamam se për çfarë bëhet fjalë, apo është bërë fjalë pjesërisht deri tani, as unë vetë nuk e kuptoj, unë dridhem nga shpërthimi, torturoj veten deri në çmenduri, por duke qenë në distancë, nuk e di se çfarë është dhe çfarë do. Di vetëm atë që dëshiron në këtë moment: qetësi, errësirë, të strukesh në vetvete, këtë e di dhe duhet t’i bindem kësaj, nuk kam ç’bëj tjetër.

Ky është një shpërthim e do të kalojë dhe ka kaluar pjesërisht, por forcat, që e provokojnë, dridhen vazhdimisht brenda meje, para dhe pas; por ndërkohë jeta ime, ekzistenca ime qëndron në këtë kërcënim nëntokësor, nëse ai ndalet, edhe unë ndalem, kjo është mënyra si marr pjesë në jetë, nëse ai ndalet, unë heq dorë nga jeta, aq lehtë dhe natyrshëm siç mbyll njeriu sytë. A nuk ka qenë gjithmonë aty, që kur jemi njohur dhe a do të më kishe hedhur një vështrim po të mos kishte qenë aty?

Sigurisht që nuk mund ta kthesh dhe të thuash: Tani ka mbaruar dhe jam i qetë, i lumtur e mirënjohës në bashkëjetesën e re. Nuk mund ta thuash, megjithëse është pothuajse e vërtetë, (Mirënjohja është absolutisht e vërtetë [… 11 fjalë të bëra të palexueshme …], lumturia është e vërtetë vetëm në një kuptim të caktuar, ndërsa heshtja nuk është kurrë e vërtetë), sepse unë gjithmonë do të trembem dhe do të tremb, veten më së shumti.

Ti përmend fejesën dhe gjëra të tilla, sigurisht që ishte shumë e thjeshtë, dhimbja nuk qe e thjeshtë, por efekti i saj. Ishte sikur të kishe jetuar jetën në mënyrë ordinere dhe tani, papritur të gjendesh përpara dënimit për të gjitha mëkatet, të të vinin kokën në morsë, nga një vidë në tëmtha, një në të djathtë, një në të majtë dhe, ndërsa vidhat shtrëngohen ngadalë, të duhej të thoshe: “Po, do të vazhdoj me jetën mëkatare”, ose

“Jo, do të heq dorë”. Sigurisht që do të bërtisje “Jo”, sa të shpërthenin mushkëritë.
Edhe ti ke të drejtë, kur e vendos atë, që kam bërë tani në një radhë me gjërat e shkuara; nuk mund të bëj ndryshe, vetëm të vazhdoj të jem gjithmonë i njëjti dhe të përjetoj të njëjtën gjë.

I vetmi ndryshim është se unë tashmë kam përvojë; nuk pres të bërtas, kur të më vendosin vidhat për të më detyruar të rrëfej, por zë e bërtas sa m’i afrojnë ato; në fakt bërtas sapo lëviz diçka në distancë, kaq super-vigjilente është bërë ndërgjegja ime – jo super-vigjilente, është akoma larg të qenit vigjilente sa duhet. Por edhe diçka tjetër është ndryshe: për hir timin dhe tëndin, ty mund të të thuhet e vërteta si askujt tjetër, po kështu është, përmes teje, unë mund të mësoj t vërtetën time.

Por ti, Milena, nuk bën mirë kur flet me hidhërim, se të kam kërkuar aq shumë të mos më lësh. Në këtë gjë, atëherë nuk ndryshoja nga tani. Unë jetoja nga vështrimi yt (ky nuk është një hyjnizim i veçantë për ty si person, të gjithë mund të jenë hyjnorë në një këndvështrim të tillë), nuk kisha tokë të qëndrueshme nën vete; kisha kaq shumë frikë, nuk e dija se sa lart isha duke qëndruar pezull mbi tokën time. Kjo nuk ishte e mirë, as për mua dhe as për ty.

Mjaftonte një fjalë e së vërtetës, një fjalë e së vërtetës së pashmangshme dhe më lëshonte pak më poshtë dhe përsëri një fjalë dhe përsëri pak më poshtë e më në fund, asgjë nuk të ndalon më dhe bie poshtë e të duket sikur rënia është shumë e ngadaltë. Qëllimisht nuk po jap shembuj të këtyre “fjalëve të së vërtetës”, kjo vetëm ngatërron dhe kurrë nuk është plotësisht e saktë.

Të lutem, Milena, shpik një mundësi tjetër se si të të shkruaj. Dërgimi i kartolinave false më duket ide e trashë, nuk di as se cilët libra të dërgoj; ideja, që të shkosh më kot në postë, është e padurueshme, të lutem shpik një mundësi tjetër.

Shkëputur nga libri i Franz Kafkës: “Letra e Milenës”, përktheu: Marsela Likaj

Franz Kafka është një nga prozatorët më të fuqishëm të shekullit të XX, vepra e të cilit vazhdon të ketë ndikim edhe sot e kësaj dite në botën letrare.

Franz Kafka (1883-1924) lindi në Pragë në një familje tregtare hebreje që i përkiste shtresës së lartë gjermanishtfolëse të këtij qyteti në periudhën e monarkisë austro-hungareze.

Pas studimesh juridike, u punësua në një shoqëri sigurimesh, ku qëndroi deri pak vite para vdekjes kuri shpërtheu sëmundja e turbekulozit.

Sa ishte gjallë botoi vetëm tri vëllime me tregime dhe proza të tjera të shkurtra të shpërndara në shtypin e kohës.

Rrallëherë i kënaqur me ato që shkruante, pjesën më të madhe të krijimeve i ndërpriste ose i shihte si të papërfunduara.

Shumicën e dorëshkrimeve, ku përfshiheshin veç tregimeve të shumta tri romanet e papërfundura: “I humburi”, “Procesi’ dhe “Kështjella”, bashkë me ditarët etj. ia la amanet që t’i digite mikut të tij shkrimtar, Max Brodit.

Por, Brodi nuk e respektoi këtë dëshirë: në disa botime, prej vitit 1925 e në vazhdim, ai i dha botës të plotë shkrimtarin që magjepsi lexuesin edhe në ditët tona e që ndikoi zhvillimin e letërsisë botërore si asnjë tjetër autor i shekullit të XX-të.

Përgatiti: K. B.- ObserverKult

——————

Lexo edhe:

Letër dashurie: Heideggeri i drejtohet Hanna Arendtit: Dashuria ime buron nga ti!