Mjer’ ai që s’ka thënë fjalë që thuhen vetëm një herë në jetë…

Nga: Koçi Petriti

Ai ia prek flokët dhe ia ngatërron për gishta,
ajo një kopsë të këmishës ia shtyp me thua,
vesa pikëzon mbi lirishta,
shelgjet rrinë varur mbi përrua.

E marr me mend ç’i thotë ai tani
dhe ç’i përgjigjet ajo në këtë orë të vonë,
Sa të tjerë i kanë thënë këto fjalë,
e sa të tjerë do t’i thonë e do t’i thonë!

Asgjë s’do të përsëritet për këta: vajzë e djalë
në vitet e ardhshëm, të trazuar apo të qetë.
Mjer ai që s’i ka thënë dikujt të tilla fjalë,
fjalë që thuhen vetëm një herë në jetë.