Moravia: Sa më e pambrrijshme bahej, aq ma shumë e doja…

Alberto Moravia

Mjaft, dashuninë e vërtetë, dashuninë e fortë, dashuninë që të ban me pa shtrembët e ndieva kët’ dimën për Marçelën, vajzë kjo, e cila bashkë me të kunatin dhe motrën mbajshin nji pijetore kah ana e Teatrit Vale. N’at familje të gjithë ishin të gjatë:
Teodori, i zoti i lokalit , ishte nji burrë i bashëm, pak sa ma i vogël se ata alamet hamajt e stacionit hekurudhor. Egleja, e shoqja, ishte pothuej ma e gjatë se ai, jo aq e bukur, porse edhe jo aq e re, kurse Marçela ishte me të vërtetë nji drandofille.
E bâshme, e gjatë, madhështore, e formueshme si nji trupore, qafën e kishte të gjatë dhe kryet të vogël, krejt sy e buzë, nyjet dhe damarët aq të lëmuet dhe nji za mu si t’engjullit.
Siç ndodh shpesh  ndër gratë e mëdha, Marçela kishte nji zemër të vogël, sa të nji çupëze, duhet të tham se ishte e marrshme: por, aq e marrshme, saqë skuqej dhe kthehej n’anën tjetër po të vinte re se ndonji mashkull po e këqyrte.
Ky timiditet më pëlqente, porse i ndërlikonte punët. Në mbramje, mbasi e mbyllsha dyqanin tim veglërish elektrike dhe mbasi hajsha darkë, shkojsha bashkë me shokët e mij në pijetore.
Ishte ky nji lokal shumë i madh: muret i kishte të mbulueme me shishe të rendituna në formë piramide: kishte disa tryeza dhe nji tezgë pijetoreje. Teodori, të shumtën e herëve, sillej nëpër tryeza tue çue shpesh gota: Egleja u shërbente myshterijve, dhe Marçela, e veshun me nji petk të zi pune, qëndronte mbas tezgës, në fund të pijetores, tue shitë me pakicë. Mirë fare, a besoni diçka?
Gjatë nji mueji të tanë që po shkojshim rregullisht në pijetore, asnjiherë nuk i ngriti sytë kah unë, edhepse unë ulesha kastile nuk kundruell tezgës dhe nuk bajsha gja tjetër sall e këqyrsha dhe me sytë e mij kërkojsha ata t’asaj.
    Miqt luejshin me letra, pijshin nga nji gjysë apo nga nji litër për krye, bajshin shakana dhe llomotitshin për çdo gja derisa mbyllej lokali. Teodori kalonte prej nji tryeze në tjetër, si njeri që shiste mend se të gjitha punët i bante ai, ndërsa në të vërtetë s’bante gja tjetër sall me pi qyl e me luejtë me letra.
Egleja dhe Marçela kujdesoheshin për myshterijt: dhe unë gjithnji e ma dashunuem, hahesha gjallë në përpjekjet e mija të kota që t’i bijsha në sy asaj, tue mos zanë vend në karrigë, ma keq se ndonji kukull druni teatrash për fëmijë, së cilës i janë këputë pejtë.
Nuk ia dilsha në krye të gjej ndonji shkak për të shkue prej tryezës në tezgë: Marçela nuk largohej  kurr prej tezgës. Po të kisha qenë vetëm, ndoshta do të kisha gjetë ndonji mënyrë t’ia filloj bisedës me te, por aty ishin miqtë e mij, të cilët tashma kishin kuptue ndjenjat e mija dhe nuk më lejshin të qetë asnji çast të vetëm. Po ta këçyrsha më tallshin tue thanë:
..Çka jekah e kqyr ashtu, çka po e këqyr ashtu?…Do të shkrijsh tu e këqyrë vazhdimisht…këqyri ma mirë letrat, këqyre gotën tande’’: po të mos e shikojsha, më pyetshin, tue e shti se s’dijshin gja dhe si të pasherr: ..Çka ka ndodhë, pse vallë nuk po e shikon?’’.
Ato dy apo tri herë ma në fund që, ashtu i dëshpëruem ban nji përpjekje për t’iu afrue tezgës m’u desht të kthehem mbrapa ndëgjojsha se si po qeshnin dhe si po bajshin shpotina në llogarinë time.
Për të gjitha këto, Teodori i bamë si shtazë prej pijes, tregoi kinse s’po kupton gja. Por Egleja kishte nji qëndrim anmiqësor ndaj meje dhe nja dy a tri herë më bani ta kuptoj kët gja, tue më thanë pa shumë komplimenta:
,,Asht ma mirë që ta leni të qetë motrën time…duhet tashma ta kuptoni dhe ju vetë…në mos për tjetër, të paktën për ndryshimin e gjatësisë së trupit’’. Përsa i përket Marçelës, nji shtatore që asht shtatore do të kishte dijtë të tregohet ma e ndieshme dhe ma e gatishme.
   Por ndërkaq mue më shtohej gjakimi deri n’at pikë saqë lëvizja që bante ajo tue u kthye mbrapa, kah lëpiza, për të marrë nji shishe, tue rrotullue pjesën e sipërme të trupit dhe tue e fry krahnorin nën petkun e zi të punës, mjaftonte që të më ndalej fryma dhe pothuej më binte të fikët.
Ashtu tue luejtë me letra ndonjiherë mendojsha: ,,Po pse vallë më pëlqen aq fort?’’ dhe përfundojsha që përpos naltësisë ishte edhe ajo veçori aq e bukur e kokës së vogël në majë të trupit të naltë që më magjepste. Por, ashtu siç ndodh gjithnji në dashuni, as unë vetë s’e dijsha se pse më pëlqente ajo veçori e saj. Më pëlqente dhe sa ma shum që kalonte koha dhe sa ma shumë vazhdonte ajo që të qëndrojë larg meje dhe si e pambërrijshme, në vend që të më pakësohej, mue më smadhohej zjarrmi i dashunisë.
Nëqoftë se në fillim kisha mendue për te si për nji femën të cilën do ta kisha dëshirue me e dashtë, tashma dalëngadalë kisha mbërri ta çmoj si të vetmen femën që më përshtatej për grue. Si asht imagjinata e nejriut!
Derisa e kisha shikue si fantazinë time se sa të dëshirojsha me i folë, me ia shtrëngue dorën, ma në fund dhe me shetitë ose me shkue në kinema e kafene me të. Por qyshse fillova të mendoj se mund ta  mirrsha për grue, menjiherë fillova ta shoh, me sytë e imagjinatës në shtëpinë time, ulë pranë tryezës bashkë me mue, ose në dyqanin tim, mbas tezgës. Shkurt, si grueja ime.  

*Fragment i shkëputur nga tregimi “Shkurtalaq”, botuar në shqip brenda librit ‘Tregime të zgjedhuna’ të Alberto Moravias, Rilindja, 1965

Përkthyes: Anton Çetta

/ Përgatiti: ObserverKult