Vuajtjet e tmerrshme të nanë Mrikës gjatë komunizmit… pasi e humbi djalin

“Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, dhimbja e patreguar e Mrikë Palit, kur pa të birin të ekzekutuar, i hoqi kanatjerën e gjakosun, e veshi vetë…

Mrikë Pali ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare në vitin 1976. U largua nga kjo botë pas një jetë plot vuajtje e dëshpërim për shkak se diktatura komuniste i vrau birin e saj. Historia e dhimbshme e Mrikë Palit, është përshkruar shkurtimisht nga studiuesja Fatbardha Saraçi(Mulleti), në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet e  komunizmit”.

Mrikë Pali (1900 – 1976)

Asht nana e Ndue Palit. Asht nana edhe e tre djemve të tjerë, por njihet në historinë e dhimbjes së nanave, kryesisht për Ndojën, djalin e saj të madh, ndonëse të gjithëve u mëkoi atdhedashuninë.

Kjo ishte arsyeja që fa shi st ët italianë e internuan në ishujt e Italisë. Për nanën, kjo ishte heshta e parë e ngulun në zemrën e saj. Për Ndojën qe mall për nanën, qe mall edhe për Shqipninë.

Shtator 1943. Mbas kapitullimit të Italisë, Ndoja kthehet në atdhe. Komunistët sapo kishin tradhtuar edhe një herë idealet kombëtare në Mukje. Ma i vendosun se kurrë, Ndoja, e së bashku me të nxanësit e gjimnazit të shtetit, i kushtohet çështjes kombëtare.

Ndërkohë, bisha sllavo-komuniste, pasi përdori të gjitha mjetet e veta, mori pushtetin, e për të qenë i sigurt në fronin e vet, mënjanoi (fjala ma e vogël që mund të thuhet), kundërshtarët politikë. Ndoja ishte një nga ata, prandaj arrestohet. Ishte heshta e dytë për Mrikë loken, por… jo lot!

O Zot, sa e fortë ishte kjo grue! Ajo e dinte pse ia kishin burgosë djalin, shtyllën e shtëpisë, ia dinte vendosmëninë e tij, prandaj nuk ligështohej. Ditët kalonin, vuejtjet shtoheshin…

Gusht 1945. Zhvillohet gjyqi kundër Ndue Palit e shokëve të tij. Dëshmitarët e atij gjyqi e dinë se si i përballoi akuzat, dinë edhe sesi iu kundërvu gjyqtarëve xhahilë. Çdo gja qe e paragjykueme… Dënim me vdekje… Ishte heshta e tretë, por jo ma e randa. A mund të duronte ajo zemër? Mund të duronte.

Dhe duroi. Sidomos, kur ma vonë mori vesh se i biri, ashtu i lidhun, kur kishin shkue t’i merrnin për t’i ekzekutue, ishte përleshë me xhelatët. Pushkët vranë jo veç Ndue Palin. Ato vra në mëngjesin e bukur të asaj dite vere. Ato pushkë donin të vrisnin edhe zemrën e lodhun të nanës së tij, të gjithë shokët e idesë së tij të madhe, donin të tkurrnin popullin.

Por jo! Eci Nanë Mrika me djalin e vogël për dore, pa i përfillë policët, drejt kufomës së të birit. Vetëm ajo e dinte se çfarë ndjeu atë çast. Askush tjetër. Askush s’arriti ta kuptojë tamam. E dinte se trupin e pa jetë nuk do t’ia jepnin. Prandaj, mbasi i hoqi kanatjerën e gjakosun, e veshi vetë…

O Zot! Si të ishte një karajfil i porsaçelun në trupin e nanës. Ishte i biri. Prapë, aspak lotë… Kthehet në shtëpi. Shumë njerëz kanë ardhë për ta ngushëllue. Në vend të kufomës, në gji të saj, ka sjellë gjakun e tij…Gjakun e gjakut të saj…

Jo lot në sy të njerëzve… vetëm një llavë që ngjeshej e ngjeshej në zemrën e saj, për të shpërthye, ashtu, vetëm në vetmi. Derisa mbylli sytë. Gjithnjë tue punue me djemtë e mbetun, si të dinte, si të ishte aty në vendin e ekzekutimit të djalit të vet, si të ndigjonte nga goja e tij, para se të pushkatohej: “PUNONI DERI NË VDEKJE PËR NJË SHQIPNI TË LIRË, INDIPENDENTE, ME BAZA SHOQNORE MODERNE DEMOKRATIKE.”

E tue e ditë veprën e të vëllait, tue zbatue atë e dëshirën e nanës së vet, i vëllai i Ndojës, Zefi, vendosi mbi vorrin e martirit, flamurin me shqipen e zezë me dy krena, pa yllin ogurzi./kujto.al

Shënim: Materiali është marrë nga libri “Kalvari i grave në burgjet e komunizmit”, me autore Fatbradha Saraçi (Mulleti)

ObserverKult


Lexo edhe:

NUK U NDALËN ME TORTURA DERISA IA MORËN SHPIRTIN…