Musa Ramadani: Fal çdo gjë, porse asgjë nuk harroj

©Fahredin Spahija: Musa Ramadani

Gërmën ,,D” me dridhmë kur e shkrova
Dhe atë ,,A” rrëmbimthi tek përfundova
Bashkëtingllore e parë dhe zanore e mbrame
E një emri të pakrijuar më, amshim
Që denjësisht ndër vete na bën një
Nga fillimi e deri tek fundi
Shtegut të pazbuluar të jetës sonë
Prej atij çasti atij emri atij fillimi
Ja që po t’i fal njëherë e përgjithmonë
Të kaluarën dhe të tashmen, por
Kurrënjëherë s’i harroj kurrnjëherë
Në të ardhshmen
Atë JE T’AIME kur më këngëtove
Atë urën e njësimit që do të ngreje
Sipër humbellës sonë të paparë
Unë jam ti e ti je unë, e unë e ti
Kur ndër vete ngatërruam identifikimin
Dhe loja e marrë e syve dhe e duarve
Ajo mungesë e fjalëve dhe himni i këngës
O, të gjitha bredhjet në brendi e në jashtësi
Pikniqet e papërfunduara e do gjëra të tjera
Po t’i fali përjetë, krejtësisht, përgjithmonë
Në emër të së kaluarës dhe kësaj që po kalon
Që ne të tashme ja e emërtojmë, por-
Se unë gjatë jetës sime unë
Prore dhe prore dhe prore
Fal çdo gjë, ç’do qoftë fal
Porse asgjë nuk harroj asgjë.

*Titulli i origjinalit: (Fal) nuk harroj (unë)