Ç’asht dashunija… sa herë ia kam ba vehtes këtë pyetje

8 shkurt 193…

Ç’asht dashunija?
Kushdi sa herë ia kam ba vehtes këtë pyetje që na paraqitet tepër modeste në sipërfaqe, por asnjiherë nuk munda me ia mbërri përfundimit të dëshiruem: due me thanë, nuk hasa kurrkund në zgjidhje. Dhe pikëpyetja orvatet gjene në pasqyrën e truvet të mija, ndonse po e bluej gjithnji në mend mënyrën e gjetjes së zhvillimit.
Por…më kot.


Atëherë, drejtohem më përvujtni kah njerzit e mëdhaj të botës me shpresë e bindje  të plotë se ata që zbuluem kaq mistere dhe enigma gjatë shekujsh, nuk do të mungojnë me më dhurue edhe mue ballsamin e kureshtjes. Edhe këtu lajthohem. Mendja ime gjindet përpara nji labirinthi të koklavitun: Balzac-u, prej Altarit të tij, thërret ngadhnjimtar: “dashunija asht ma e ambël se të gjitha harmonit!”


Ndofta ai ka plot të drejtë, por për të mbushë mendjen time, s’mjafton kaq. Ja që unë s’besoj se dashunija asht ma e amël se të gjitha harmonìt. Pastaj ai ban vetëm nji krahasim dhe asgja tjetër. E vijoj prap shfletsimin e librit të dijetarëvet: “Dashunija e ngrè personin prej nji vetije të ngushtë dhe e ban motër me të gjitha vuajtjet e njerzimit!”-ndigjohet zani ankues i Florence Nigtinggale-s, kah klithi me zemër të coptueme në kulm të dëshprimit. Zani i tij m’i gërvish dejët tue më detyrue që të notoj për shumë çase nër pelgje jeremije: në botën e lotvet.


Nuk po mundem n’asnji mënyrë ta marrë vesht se shka, do të jetë kjo dashunija e plasme që e kemi trajtue si lojën ma qesharake atëherë kur nuk ishim kapërthye prej këthetrave të saj. Mirëpo tash-për mue-ndryshon puna: i trandem mjaft fuqis të saj, sepse ajo, mundet me më dhurue çastet ma të lumtuna të jetës, të paprovueme kurrë prej meje dhe-kur don-më ban të notoj nër pellgjet mâ mjeruese të jetës. Tashmâ, fuqìn e saj e druej, sepse asht e mrekullueshme: më pas përplas pamëshìrshëm prej nji ekstremi në tjetrin, derisa jeta, vishet ngjyrash përpara syvet të mij: ajo s’ka mâ kuptim e qëllim për mue. Por, Goeth-ja i madh, atëherë ndjen mëshirë, më gjanë sikur përmallohet, më shkund prej asaj kllapije, tue më drejtue fjalët e tij t’urta: Ej! E din se jeta asht nji livadh prej të cilit mund të korrim vetëm gjëmba ase lule?

*Shkëputur nga romani i Mustafa Greblleshit: “Gremina e dashunis”

Përgatiti: ObserverKult

————–

Lexo edhe:

MUSTAFA GREBLLESHI: TË SHPRESOJ SE NUK DO TË HARROJË?