Fatmir Sulejmani: Ti s’ikën dot prej meje NANË. Ti je shpirti im, unë jam shpirti Yt…

Fatmir Sulejmani

Ti s’ikën dot prej meje NANË. Ti je shpirti im, unë jam shpirti Yt.

Ti je Ajo që nuk mund të jetë askush tjetër. Je drita e syve, bota, fryma dhe rrota e jetës, ylli prijës, pjesa dritë e universit.

Ti je dashuria që vazhdon, malli që zhurit, dhembja që s’pakohet, ëndrra që nuk soset, kujtimi që nuk tretet, kandili që nuk shymet, lindja dhe shkëlqimi diellor, kuptimi i të qenmit. Ti je gjithësia ime.

Ti je Ajo që ishte, Ajo që është, Ajo që do të jetë përjetesisht, pambarimisht, pafundësisht. Ti je përlindja e përhershme.

Ti je engjëlli mbrojtës, vitorja e shtepisë, kulmi i votrës, oxhaku që tymon, sofra me njerëz, zëri mjaltë i foshnjës, ninulla që rrit jetën.

Ti je muza e hapit tim – burim drite, rreze shprese, vesë lulesh, cicërimë zogjsh… Ti je ajri, uji dhe buka e jetës.

Ti je dora e zgjatur e Krijuesit, perkëdhelja kuptimplote e Tij, pranvera e përhershme, porta e hapur, prehëri i ngrohtë, gjiri që mëkon, melhemi për plagë… Ti je dhembshuria dhe mëshira e Zotit.

Ti je zjarr i ndezur shpirti – dashuria e pakusht, mirësia pa kufij, borxhi që nuk kthehet, loti që përvëlon, malli që terr. Ti je shtojzovalle prej vërteti.

Ti je simbol universi – toke, deti, qielli e parajse, metaforë ardhjesh dhe ikjesh në përjetësi. Ti je gjuha, gjaku, fryma dhe palca e ashtit tim.

Ti je blerimi pranveror, qetësia dhe paqa hyjnore, puhia që ledhaton petalet e shpirtit, bebza e syrit. Ti je shtegu diellor i jetës.

Ti je fjala e parë dhe e fundit, gjuha më e kuptueshme, shikimi më domethënës, udha më e hapur, streha më e sigurt, shtrati më i ngrohtë, përqafimi më i ëmbël, loti më bilur, urata më e përshpirtshme. Ti je tempull parajse.

Ti je pranvera me lule, vera e bukës së pjekur, vjeshta e hambarëve të mbushur. Ti je borëbardha e gjithë fëmijërive të mia.

Ti je biblioteka me libra pa fund. Ti je margaritari që ia mësojmë vleren mirëfilli ateherë kur s’e kemi.

Ti je Ajo që thoje: Njeriu pa marre mos rroftë! Kur të rrëzohesh ngrihu vetë! Duaji miqtë si veten tënde!…

Ti je rapsodja e Urës së detit…, baladës për besën e dhënë, këngë-vajit të nizamit… Ti je mëmëdheu i muzës dhe frymës sime të lirë.

Ti je princesha, mbretëresha, hyjnesha të cilës i përulem.

Ti je emri i parë që thirra, emri i mbramë që dua të thirr.

Ti je e dashura, e madhja, e shenjta, e vetmja, e kudondodhshmja, e paharrueshmja…

Ti je Ajo që lind dhe nuk vdes kurrë.

Ti je NANA ime./ ObserverKult