Natën e mirë, shpirt: sonte të dua kaq shumë…

Simone Se Beauvoir dhe Nelson Algren i shkruan njëri-tjetrit nga viti 1947 deri në vitin 1963.

Libri “Një dashuri transatlantike” nga “Shtëpia e librit” me përkthimin e Alda Bardhylit, përmbledh më shumë se 300 letra dashurie, të shkruara nga De Beauvoir-i për Algrenin, duke krijuar kështu një pikëtakim unik midis kujtimeve personale të dy shkrimtarëve dhe historisë së botës intelektuale të krahut të majtë në Parisin e pasluftës.

Në vazhdim mund ta lexoni njërën nga këto letra:

Nga: Simone De Beauvoir (për të dashurin e saj, shkrimtarin Nelson Algren)

E shtunë, 28 shkurt 1948

Natën e mirë, shpirt.

Sonte të dua kaq shumë, mes të gjitha atyre netëve që të dua aq shumë. Është natë e mirë, thuajse e butë (netët e bukura e të mjegullta më bëjnë gjithnjë të mendoj për ty, nuk e di pse). Parisi ishte i bukur, në një mënyrë të fshehtë e të trishtë.

Kalova një ditë të bukur sepse shkova në një ekspozitë të mrekullueshme pikture. Ke dëgjuar ndonjëherë për Paul Klee? Ishte gjysmë gjerman, gjysmë zviceran dhe vdiq në vitin 1940. Ka bërë pikturat më poetike dhe tërheqëse që kam parë ndonjëherë.

E njihja pak edhe më përpara, por për të nuk ka patur shumë ekspozita, sepse gjatë luftës ishte i ndaluar nga gjermanët si autor dekadent e të tjera me radhë. Sot ishin më shumë se njëqind vepra: një jetë e tërë, një njeri i tërë. Janë piktura vërtet magjepsëse, ndonjëherë abstrakte, ndonjëherë irreale. Por gjithsesi, kur del e shikon natën e vërtetë, mendon: po, është si në pikturë. E njëjta bukuri, i njëjti humor, i njëjti trishtim dhe gëzim në dritat e kuqe dhe të gjelbra të natës së vërtetë dhe në pikturat irreale me ngjyrat e mrekulluesheme.

Pra, sonte ndihem mirë. Mendoj se është një goxha kriter për letërsi apo art, kur të bën të ndihesh mjaft mirë që e ke shijuar. Këtë cilësi të çmuar e kanë edhe librat e tu dhe ti, pikërisht këtë kërkon nga një burrë ose grua, apo jo? Vetëm që të ndjesh: pra, bota ia vlen që është bërë, sepse shumë gjëra mund të ndodhin në të: kjo pikturë, ky libër, kjo dashuri, kjo buzëqeshje.

Hëngra drekë me një mësues nga Kolumbia dhe gruan e tij. Nuk më bënë të ndihesha mirë, nuk e bënë këtë botë që t’ia vlesh të jetosh. Por, u treguan shumë të mirë me mua në Nju-Jork dhe ndjeva kënaqësi kur i takova dhe u fola për Amerikën. Ata më rrëfyen për shkrimtarin Capote, për të cilin më tregove edhe ti dhe më dhuruan një nga librat e tij. Jam kureshtare, por pak mosbesuese. Po ty, të pëlqen?

Tani në Francë kemi xhaz të mrekullueshëm, por zhvillohet në Nicë. Dëgjoj ndopak aty-këtu në radio. Të mërkurën tjetër pasdite, do të takojmë Armstrongun, do të pimë me të dhe negrot për të cilët nuk kuptove dot asgjë dhe në darkë do të shkojmë e ta dëgjojmë në “Salle Pleyel”, që për ne është si “Carnegie Hall”. Vendet janë tmerrësisht të shtrenjta dhe do të jetë jashtëzakonisht bukur, por unë kam pak dyshime. Druaj se do të jetë pak false, jo e vërtetë, por do të të tregoj.

Miku im i vjetër, djali i ri me korno, është në Nicë si reporter dhe duket entuziast. I vetmi xhaz që është zgjedhur si francez në Nicë, është xhazi i tij i vogël, ai që luan nëpër qilarë ku ndonjëherë (rrallë) shkoja edhe unë. Për këtë pati shumë frikë, debate dhe zemërim. Xhazi profesional është shumë i keq, por ky xhaz i vogël amator është i mirë.

Këtë të riun me korno nuk e shoh më; është vërtet për të ardhur keq, por iu rrit mendja nga suksesi sipërfaqësor. Libri me të cilin mashtroi ka bërë shumë jehonë pastaj nxori të tjerë në të njëjtën mënyrë, me shumë gjëra të pahijshme, duke u shtirur sikur gjoja ishin libra amerikanë. Bëri shumë parà, por nuk do t’ia dijë për gjë tjetër: mjaftojnë paratë dhe emri në faqen e parë të gazetave. Është shumë e keqe mënyra me të cilën llastohen tani të rinjtë në Francë, ose kur shqetësohen për politikën, ose kur nuk duan t’ia dinë për të, si në rastin e këtij djaloshi.

Ndodhi diçka e pazakontë: të thashë që manifesti ynë politik qe një dështim, por dy ditë më parë nënshkruam një tjetër të këtij lloji; nuk e vramë shumë mendjen për të, sepse dukej po aq i pashpresë sa i pari. Pastaj e çuditshme, pati shumë sukses, të gjitha gazetat po flasin për të dhe që ta firmosnin erdhën socialistët, madje deputetët komunistë dhe u përgatitën takime të mëdha e të tjera.

Të shohim si do të shkojnë gjërat. Ishte kaq e papritur, por e këndshme. Takuam një mik të vjetër, i cili dikur ishte miku ynë i ngushtë dhe tani është anëtar i RPF-së (për de Golin). Ishte e çuditshme, sepse ai vetë e kuptoi që e gjithë kjo punë qelbej dhe u mundua të na bindte se nuk binte erë, por e dinte fare mirë. Më bëhet qejfi për fitoren e vogël të shkrimtarit Wallace. Është mjaft domethënëse, apo jo? Mos vallë, sepse leksioni që mbajte qe shumë i mirë?

I dashur! Dua të vazhdoj të shkruaj shumë gjëra të parëndësishme, por po më vjen gjumi. Gjumi nuk është më i fortë se dashuria; në të vërtetë, është një tjetër mënyrë për të ndjerë dashurinë e dikujt: të tulatesh mes batanijesh e të bësh sikur në vend të datës 28 shkurt, është 28 prill. Tani do të mbyll sytë, do të strukem në krahët e tu dhe do të fle me faqen pas supit tënd. Nelson, të dua shumë! Jam e jotja, më puth i dashur! Në fakt, nuk ka nevojë që gjërat t’i shkruash. Ti e di, Nelson, apo jo? Mos harro! 

*Shkëputur nga libri “Një dashuri transanlantike”

ObserverKult


Lexo edhe:

Letër dashurie: Asgjë në botë nuk fitohet pa punë, madje as dashuria…