Nizar Qabban: Letra dashurie

Mora vendimin
t’i bie qark botës me
biçikletën e lirisë
në po të njëjtën mënyrë, ashtu, ilegale.
që ndjek era kur udhëton.
Në rast se më pyesin
për adresën time
ua kam dhënë adresat e të gjitha trotuareve,
të cilat i përzgjodha si vende të përhershme të
qëndrimit tim.
Nëse më pyesin për
letërnjoftimet e mia unë ua tregoj sytë e tu, e dashura
ime,
dhe kësisoj ata më lejojnë të kaloj.
Pasi ata e dinë se të udhëtosh
në qytetet e syve të tu
është e drejta e të gjithë
banorëve të botës.

***

Tek më vjen për vizitë
me tesha të reja
unë ndjej atë çfarë ndjen një kopshtar
tek i lulëzon pema.

***

Dëshiroj të ngjitem me ty
Qoftë edhe njëherë të vetme
Në trenin e çmendurisë
Trenin që i harron
emrat e udhëtarëve të tij
Dëshiroj që ta veshësh
qoftë edhe njëherë të vetme
pardesynë e shiut
Dhe të më takosh në stacionin e marrëzisë.

***

Oh! Sikur të liroheshe vetëm një ditë
nga instinkti i lepurit,
dhe ta kuptoje
që unë s’jam gjahtari yt,
por dashuruesi.

Përktheu: Agron Islami

LEXO EDHE: Nizar Qabbani: Kur të dua ty…