Një përplasje viganësh: Poradeci për Malokin e Merxhanin!

Prej LASGUSH PORADECIT

Ç’është arti?

Përsëri pyetje për artin.

Për artin, rreth artit, përreth artit, mi artin, përmi artin…

Sikur të ish vetëm një pyetje, një bisedim, diskutim, disputim, – mirë. Mirë sikur të ish vetëm kështu. Njeriu në pështjellimin që i trondit kraharorin ka të drejtë, ka detyrë të marë nënë kqyrje çdo gjë: édhe Zotin; më shumë artin që është vetëm një pjesë e Zotit.

Po kur shqyrton Zotin; aq më shumë artin (në krye me “eruditët” që janë të thatë nga Zoti dhe nga arti), kur e shqyrton nënë pamjen se ç’është dhe çfar është Zoti dhe arti dyke dhënë përgjigjen ay që është i pa-Zot dhe i pa-art, do të thotë kulm i kuximit që në çështjen t’onë artistike t’i themi fund, fundësirë kuximi dhe gjykimi.

Jo pas kriterit “ç’është”, “çfar është”, mund të vështrohet ky problem i hirshëm po i vështirshëm i jetës dhe i gëzimit njerëzor të jetës.

Prej tri mijë vjetesh mundohen “eruditët”, prej Aristotelit gjer ne Croçja, që t’a përcaktojnë me vija diturake qënien e artit, ç’është arti, t’i japin një përkufizim idesë së artit. Definicionet e tyre tregojnë një zotësì të plotë prestidigjiatori. Ajo zotësì, vijon gjer më sot dhe do të vijojë mê tej. Pse?

Sepse kurrë eruditët nuk do mundin të ngrihen, me “diturinë” e tyre gjer në kuptimin qoftë dhe të përafërm të artit. Përmi atë kuptim, përtej atij kuptimi jo dhe jo. Kjo është një çështje raporti logjik.

Zoti është i math, njeriu është i vogël, le t’i-a risim mëndjen dhe të themi m’i vogël se Zoti: sí mund t’a kuptojë njeriu Zotin?

Sí mund t’a kuptojë, t’a shpiegojë e vogla të madhen, ay m’i vogli atë mê të madhin? Prandaj Krishti tha: asnjerí s’e din si është Zoti, as Biri jo. Pra as biri i Zotit dhe biri i njeriut, Zoti-njerí, njeríu.

Ky, njeríu, është m’i “math” se gjëllesat e tjera, m’i math nga kuptimi dhe nga fuqitë e tjera shpirtërore sesa për shëmbëll një kapruall: sí mund t’a kuptojë kaprolli njerínë, i vogli mê të madhin? Kaprolli është m’i “math” se një mizë: sí t’a kuptojë miza kaprollin? Miza është m’e “madhe” se mikrobi: sí t’a kuptojë ky atë?

Tashi artisti, si krijonjës i artit, është m’i “math” se eruditi që s’krijon art: sí do mund t’a kuptojë eruditi m’i vogël në art mê të madhin e artit që është vetë artisti? Prandaj në kohën e vjetër Aristoteli, ky estet vërrejts, vëzhgonjës dhe zbulonjës i artit, domethënë i artistit që është krijonjës i artit, bëri që në fillim të kritikës së artit një përjashtim.

Ay u përjashtua, u vetëpërjashtua, nga pasonjësit e tërthortë – unë po i-u them këtu këta tërthortëtarë të rrugës së tij së drejtë në gjykimin artistik. Nuk desh ay të na thotë, nga vet’ e tij, ç’është arti, çfar është arti.
Nuk desh nga vet’ e tij, të flasë “për” artin, “rreth” artit, “përreth” artit, “mi” artin, “përmi” artin. S’desh kështu as “për”… as “rreth”… as “përeth”…, as “mi”… dhe as “përmi”…

Këto, fjalët vetëvetore “përmi” art, kritikën-mësonjëse përmi art, “docenturën” e artit, ay desh si duket t’i-u-a lerë eruditëve dhe estetëve pasardhës të tij (në Shqipëri i-a la Malokit, veç që Branko Merxhani e tradhëtoj Malokin dyke zëvëndësuar titullin:

“Sa pare bên Lasgush Poradeci” të dorëshkrimit të Malokit, titull i vënë sine ira…, me titullin: “A âsht poet Lasgush Poradeci” të pendës së Brankos, dhe këtë zëvëndësim – për hirin e një eufemizme së dyfishtë: për inversimin e kuptimit të të dy substantivëve të lokucionit antik sine ira est studio dyke dalë prej atij inversimi proverbi i ri shqiptar: Breshkat e moçalit, vranë drenë e malit.).

Aristoteli, kryemjeshtri i poetikës, që domethënë i artit të poetit, nuk desh pra të flasë mi art, së-jashtmi artit. Ay mendoj kështu: unë s’jam artist, s’jam poet; jam çdo gjë tjetër, i ditur, i mësuar, kërkimtar, erudit, filozof sipër së gjithash po artist jo; e ndjej unë artin po artist s’jam, nuk di ç’është arti, si bëhet arti, këtë gjë të pa ditur, këtë fshehtësirë mund t’a mësoj vetëm prej të-zot të punës, prej artistit. 

Ky ishte mendimi, gjykimi i përulur në çështje arti i një vigani të mendimit dhe të gjykimit të artit. Edhe kështu vëzhgimtari grek, mê i pari njëkohësisht më i madhi estet, vendosi të gjykojë artin së-brëndshmi artit prej brëndësirës së vetë artit, dyke lexuar dhe vërrejtur dhe dyke studiuar dhe gjetur dhe nxjerrë normat e artit nga gjiri i artistit që është vetë shkrimtari dhe poeti, nga njohja me themel dhe me dashuri, dyke thelluar dhe dashuruar fundërisht, veprën e shkruar të artistit.

Prej këtij thellimi ay nxorri një regull, një normë, për shëmbëll ligjin e famshëm të të tri njësíve dramaturgjike: vepërim, kohë, vënd.

E muar atë ligj eruditët e pastaj më, që s’kanë mundur të gjykojnë gjer më sot mi vlerën artistike nga leximi direkt i veprës së artit, e përvetësuan fjalën e bërë gati prej tjetrit dyke britur (për pronjën e tjetrit): mea ecce lex! Prej moskuptimit dhe keqkuptimit, prej interpretimit të përjashtëm, ata e quajtën ligji gabimërisht “aristotelian”, si të dalë drejt nga koka e kritikut të famshëm, kurse ky ligj ishte shprehja e thjeshtë dhe e vetkuptimëshme e realitetit artistik të dramaturgjisë greke.

Sikundër renegatët ashtu dhe prozelitët janë, prej naturës së punës, domethënë prej zellit të besimit i cili është një besim fals dyke mos qënë besimi spontan i tyre më fanatikë se sa besimtarët e vërtetë. Këta fanatikë ose diktatorë – sepse imitatorë, majmunëtorë – këta eruditër dhe estetër, (që në Shqipëri quhen me fjalën kritike-gjenerike “Malokër”) ardhë pra – ja ku po themi në Francë! Dhe urdhëruan, me faktotumin Boileau në krye të urdhërit: shpejt! në njëzetekatër orë të mbarojë gjithë drama, gjithë veprimi dramatik: “en un jour”!

Bënë dramaturgët frëngj ashtu, sepse e muar atë urdhër ashtu, dhe dyke e marrë ashtu, muar më qafë dramën frënge kryesore të një epoke të tërë – me Cornielle dhe Racine së bashku.

Ardhi dhe Malokí në Shqipëri, i mbushur dhe i fryrë dhe i bubunjosur me ligje, formula, nene, paragrafe – paragrafe kritike, estetike dhe “kultur-historike” dhe, sa për tashi, dyke qënë tashi për tashi “i zânë me do punime akademike të rânda” (sa kuintal?), që lart prej docenturës katedër-ngushtë po “zemër-gjanë” (sinonim me katedër-ngushtë) pyeti, u përgjegj, urdhëroj:

Pyeti: “Sa pare bân Lasgush Poradeci?”
U përgjegj: hiç pare…
Urdhëroj: ti, Lasgush Poradeci, që, primo: s’je poet,
Sekundo: që s’je poet kombëtar,
Tertio: që s’bën “pare”,
(Tertio-bis: që domethënë bën hiç pare)

Quarto: që të “kam shok” (aq “shok”, sa, në ato nëntë vjet që ishim në gjithatë qytet dhe në gjithatë universitet, s’kemi baritur bashkë kurrë – pardon: baritmë disa minuta kur ti me Hajro Xhungën, të cilin e ke tashi drejtor të Shkollës Teknike aty në Tiranë, më hastë mbudhë rastësisht dhe Hajrua më tha që t’ju rrëfej ndonjë rrobaqepës për të ndrequr pallton t’ënde: unë ju shpura te rrobaqepësi dhe pastaj u ndava prej jush sepse, si atëherë, kur s’kish shkruar édhe “Sa pare bân Lasgush Poradeci, si tashi që shkrojta “Sa pare bân Lasgush Poradeci”, kisha “do punë akademike të RÂNDA” (prapë një kuintal);

Quinto: dhe që të kam shok (aq shok sa kur u sëmure rëndë dhe gjith studentët shqiptarë të Graz-it të vizituan, të vizitonin përhera, dhe të ndihmuan dhe të dinin ku je; në shtëpi i sëmurë, a në spital i sëmurë, a në Sanator i sëmurë – në atë Sanator ku të shpuri me tren shoku yt Anton Kamsi sepse s’mundje të udhëtoje vetë -, aq shok sa, në të gjith atë kohë aq të gjatë që ndenje në Graz, dhe në gjith atë kohë aq të gjatë prej shtatë vjetësh që ishe i sëmurë në Graz unë nuk të vizitova kurrë sepse kurrë s’të ardha në shtëpi ndonjëherë, siç të vinte p.sh. Eqrem Çabeu gjithnjë.

ObserverKult

LEXO EDHE: Lasgush Poradeci: Në zemër t’ënde vetëm unë…

Lexo edhe:


NDËR MË TË BUKURAT E LASGUSH PORADECIT: KROI I FSHATIT TONË

Kroi i fshatit tone, ujë i kulluar,
ç’na buron nga mali, duke mërmëruar

Venë e mbushin ujë vashat anembanë
cipëzën me hoja lidhur mënjanë;

Cipëzën e bardhë, cipëzën e kuqe,
gushën si zëmbaku, buzët si burbuqe.

E si mbushin ujë, bubu ç’m’u ka hije,
ndaj kthehen prap me hap nusërije
ndezur yll i ballit si yll shenjtërie.

             II

Kroi i fshatit tonë, ngjyr’ ergjënd i lyer
që nga rrëz’ e malit ç’na buron rrëmbyer.

Venë e pinë ujë trimat anembanë
takijen me lule, përmbi sy mënjanë.

Takijen e dlirë, takijen e nxirrë
Buzën në të qeshur… më të psherëtirë…

Mbrëmave kur uji mërmëron nga-dalë,
vjen t’i thotë trimi vashës nj’a dy fjalë:

Vashëzën bujare që po vin në krua
Siç’e përshëndeta, siç’m’u turpërua
Papu ula kryet e shikova si grua…

Poezinë e plotë e gjeni KETU

ObserverKult

Lexo edhe:

lasgush poradeci

LASGUSH PORADECI: PORADECI

Perëndim i vagëlluar mi Liqerin pa kufir
Po përhapet dal-nga-dale një pluhúrë si një hije.
Nëpër Mal e nër Lëndina shkrumb’ i natës që po bije,
Duke sbritur që nga qjelli përmi fshat po bëhet fir…

E kudó krahin’ e gjërë më s’po qit as pipëlim:
Në katund kërcet një portë…në Liqer heshtë një lopatë…
Një shqiponjë-e arratisur fluturon në Mal-të-Thatë…
Futet zemra djaloshare mun në fund të shpirtit t’im.

Tërë fisi, tërë jeta, ra… u dergj… e zuri gjumi…
Zotëroj më katër anë errësira…
Po tashi:
Dyke nisur udhëtimin mes-për-mes nër Shqipëri,
Drini plak e i përrallshëm po mburon prej Shëndaumi…

ObserverKult