Nuk e dua Parajsën, nëse nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë të pashlyeshme tek im bir…

Tregim nga Zija Çela

-A zgjati ngjitja deri këtu? – më pyeti KE.

-Jo, – thashë, – çështje sekondash.

-Atje poshtë, ndërkaq, kanë kaluar vite, – tha ai. Pastaj iu kthye shoqëruesit tim: – Po dyert patën vonesa?

-Nuk patën, – raportoi shoqëruesi. – Sapo rojat pyesnin “Kush është ky njeri që po vjen?” dhe merrnin përgjigjen time “Është Filani, i biri i Filanit”, shtatë portat e shtatë kateve hapeshin menjëherë.
KE vazhdoi me mua.

-Mirë se erdhe! Këtu ndodhesh në nivelin më të lartë. E sheh atë derën më të djathtë? Edhe ajo do të hapet për ty. Do të hapet një herë dhe përgjithmonë.
Mirëpo, me gjasë, e vërejti ngurrimin tim. Prandaj m’u drejtua ndryshe.

-Këtu nuk është zakon t’i pyesim të ardhurit. Por, ja, po bëj një përjashtim. Përpara se ta kesh kaluar atë derë, mos ke ndonjë dëshirë për të shprehur?
E kisha të gatshme dëshirën dhe me doli në çast. KE s’e përmbajti të qeshurën, kur i foli shoqëruesit tim.

-A s’është për t’u habitur?! – Pastaj i ndryshoi zëri, kur më foli mua. – Ata që arrijnë këtu, vijnë pa kujtesën e Tokës. Ajo kujtesë u fshihet. Madje, u fshihet edhe fshirja që është bërë. Megjithëse për arsyet tona ua dhamë në shkallë të papërsosur, jemi ne që ua shtimë në mend edhe inxhinierëve të Tokës programin e fshirjes së fshirjeve kompjuterike. E ti po thua se të ka mbetur një gjurmë?

-Më ka mbetur, – pohova. – Prej vitesh të shkuara, qëkurse im bir e ndërmori para meje këtë udhëtim. Kur të vijë koha ime, mendoja atëherë, nuk e di se kush do të më përcjellë andej, por e di se cili do të më presë këtej. Do të më presë te pragu im bir.

-Aty ku mbetet një gjurmë, rreth saj ka një vatër, – tha KE. – Dhe në atë vatër mund të ketë grimca të tjera.
Kësaj here foli pa m’u drejtuar as mua, as shoqëruesit tim. M’u duk sikur, në një mënyrë të mistershme, po jepte e merrte mesazhe me dikë. Mos vallë, pa mikrofon e pa kufje, komunikonte me Absolutin?!
Pastaj, për të verifikuar ndonjë grimcë tek unë, më pyeti:

-Ku ndodheshit kur do të ndaheshit me djalin?

-Në katin e shtatë, – thashë gjithë siguri.
Me dyshimin se nuk e kisha dëgjuar mirë, KE e vuri përsëri në provë kujtesën time.

-Po të pyes ku ndodheshit atëherë, jo ku ndodhesh tani.

-Nuk gabohem për sa thashë, – ngulmova. – Nuk e di ç’pavione kishte në katet e tjera, por ai i Onkologjisë ishte në të shtatin. I binte kati më i epërm i spitalit. Biri im ka qenë i dhënë pas Letrave. Është për t’u çuditur, por pak përpara fundit, përktheu një tregim që mbante pikërisht titullin “Kati i Shtatë”. Tashmë më është mjegulluar përmbajtja. Vetëm më kujtohet shkallëzimi i kundërt i niveleve. Sa më keq bëhej pacienti, aq më tepër e zbrisnin kat pas kati, deri te niveli i nëndheshëm. Mos ia shtitë ju në mend tim biri?
KE nuk më dha përgjigje. Ndoshta iu duk naive, ndoshta e parëndësishme kureshtja ime. Por tha (Mori urdhër apo vendosi vetë?) se do të më jepte një mundësi. Pastaj shtoi se, në gjendjen që isha unë, me gjasë s’e kisha fiksuar mirë paralajmërimin e tij.

-Cilin? – u hodha në çast.

-Atë të fshirjes së kujtesës. Kur dikush arrin deri këtu me kujtesën e Tokës, ngjan vërtet qesharak. Matanë, – dhe bëri shenjë nga dera në të djathtë, – nuk ka më lidhje gjaku e miqësie. Shkurt, nuk ekziston ky fenomen njerëzor. Duke u ndier të barabartë, ata të gjithë jetojnë në paqe dhe në harmoni me njëri-tjetrin.
Sidoqoftë, e mbajti fjalën për mundësinë, sepse ia dha shoqëruesit porosinë e veprimit. Ky më la para derës dhe vetë depërtoi matanë. Ai kishte për detyrë të gjente patjetër tim bir dhe t’ia bënte me dije dëshirën time. Se si depërtoi matanë, nuk e kuptova. Vetëm pati një çast që sikur m’u mbushën sytë prej një drite të kulluar dhe dëgjova zëra të hareshëm. Ndoshta edhe gurgullima burimesh, ndoshta edhe trokëllima kupash, ndoshta edhe kumbime kambanash. Por nëse kanë qenë kupa e kambana, më tingëlluan si prej argjendi.

Unë para portës jam ende. Durimi nuk më mungon. Atje poshtë isha mësuar t’i thosha vetes shpesh: “Ngrihu, ngrihu edhe pak!” Poshtë të gjithë e dinë se vesi t’i thyen gjunjët, ndërsa virtyti është si fryma që nuk peshon. Dhe kështu, duke u shkëputur nga pluhuri i rrugës dhe duke u bërë më i lehtë, dalëngadalë sikur po ecja në majë të gishtave. A ishte kjo një parapërgatitje? Nuk di ta them.

Sa kohë ka kaluar? KryeEngjëllin (KE) nuk e shoh më, megjithëse këtu asgjë nuk fshihet. Këtu nuk ka natë, ka vetëm ditë e dritë. Megjithatë, një frikë më angështon. Prandaj bëj gjithfarë hamendjesh. A do të jetë besnik shoqëruesi? A do t’ia thotë djalit fjalë për fjalë dëshirën time? E si do të përgjigjet ai? Do ta ngazëllejë bashkimi ynë në amshim dhe do të nxitojë të më dalë përpara?
Kur të hapet dera për mua, po nuk e pashë te pragu, do të kërkoj të kthehem mbrapsht dhe do t’i lutem Supremit Absolut të merret tjetër vendim për mua. Nuk e dua Parajsën, nëse nuk kam qenë në gjendje të lë gjurmë të pashlyeshme tek im bir.

Tiranë, prill 2020

“Titulli i origjinalit: “Përpara derës”

zija Çela
Zija Çela

Lexo edhe:

ZIJA ÇELA: KAM FRIKË TË VDES, PA PASUR AFËR NJË DORË GRUAJE…
ZIJA ÇELA: JA VDEKJE, JA DASHURI!
ZIJA ÇELA: UNË DO TË VUAJ, SEPSE E KAM TË VËSHTIRË TA PRANOJ NDARJEN