Olimbi Velaj: Ka kohë që s’vij në varreza…

Ka kohë që s’vij në varreza
s’mendoj dot se je atje…
Nuk besonim te jeta përtej,
vetëm kur u bëre njësh me dhimbjen, po lëkundeshim…

Muajt e lëngatës kambana të përzishme qenë
bashkë e jetuam ikjen, ditë pas dite
duke përgjuar fatin, duke u lutur
sipas mënyrës sonë jobesimtare

Po Zot s’kish pasur e asgjë tjetër
nuk blasfemuam, pritëm në heshtje
a s’bën kështu çdo i lajmëruar?…
Tani vitet janë dyndur mbi gjithçka.

Shtizat rrinë të paprekura në një fund sirtari
bashkë me mbulesën që s’arrite ta mbaroje
shpesh themi se dhoma e gjumit duhet ndërruar,
po s’na bën zemra t’i nxjerrim mobiliet…

Pavetëdijshëm shpresoj se mund të takohemi
se do kthehen ato ditë të shkujdesura
kur të kishim pa kushte dhe s’e dinim
që vdekja mund të provohej
përtej lajmërimeve e keqardhjeve kalimtare për njerëz të largët…

*titulli i origjiinalit “Nënës”

ObserverKult