Orhan Pamuk: Rrugicat që më kujtojnë atë…

Nëse nuk do të përpiqesha ta fshija nga kujtesa, e dija fort mirë se jeta ime nuk do të vazhdonte më si më parë. Madje edhe punonjësve më të shkujdesur të Satsatit i kishin rënë sy retë e zymta të trishtimit që kishin mbuluar pronarin e tyre. Mamaja, e cila dyshonte për ndonjë problem midis meje dhe Sibelit, përpiqej të më kandiste me pyetje, ndërsa gjatë darkave të përbashkëta –që bëheshin gjithnjë e më të rralla –më tërhiqte vëmendjen, njëlloj si të babait, që të mos e teproja me pijen. Së bashku me vuajtjet e mia, shtoheshin çdo ditë edhe notat e shqetësimit dhe të dëshpërimit te Sibeli, që druaja se po i afroheshin një pike shpërthimi. Nuk doja të ta humbisja mbështetjen e Sibelit, që më nevojitej për të dalë nga kjo gjendje ku qeshë zhytur, përndryshe do të isha plotësisht i humbur.
Ia ndalova vetes të gjitha ecejaket në banesën Merhamet, pritjet pafund dhe prekjen e objekteve që më kujtonin atë. Këto rregulla qeshë përpjekur t’i zbatoja edhe më parë, por më pas kisha shpikur një mijë shkaqe për t’i shkelur: (ja, kur hidhja sytë në vitrinat e Shanzelizesë gjoja për të blerë lule për Sibelin), ndaj vendosa të marr masa më të rrepta dhe u përpoqa të fshija nga kujtesa shumë vende dhe rrugica ku kisha kaluar një pjesë të mirë të jetës.
Këtu po ju paraqes hartën e re të Nishantashit, që u përpoqa të skicoja në mendje dhe ta zbatoja gjatë atyre ditëve. Ia ndalova vetes rreptësisht kalimin në vendet dhe rrugët e shenjuara me të kuqe. Vendet që shenjova me të kuqe në kokën time, njëlloj si në këtë hartë, ishin shitorja Shanzelize pranë kryqëzimit të rrugëve Valikonaë dhe Teshvikije, rruga Teshvikije ku ndodhej banesa Merhamet dhe këndi ndërmjet rajonit të policisë dhe të shitores së Alaaddinit. Me të kuqe shenjova edhe rrugën Abdi Ipekçi, që në atë kohëra quhej rruga Emlak, e më pas rruga Xhelal Salik (megjithëse banorët e Nishantashit vazhdojnë ta quajnë ende rruga e rajonit të policisë), rrugën Fysuni Kujullu Bostan ku banonte Fysuni dhe të gjitha rrugicat anësore që lidheshin me këto rrugë.
Në zonat e shenjuara me portokalli, mund të futesha vetëm në rastet kur nuk mund t’i shmangia, kur nuk isha i pirë ose kur doja të shkurtoja rrugë, por me kusht që të kaloja thuajse me vrap dhe të largohesha brenda një minute. Shtëpia jonë dhe xhamia e Teshvikijes, si shumë rrugica të tjera anësore, përfshiheshin në rruginat e shenjuara me portokalli, që po të tregohesha i pakujdesshëm mund të m’i lëndonin plagët. Edhe në rrugicat e shenjuara me të verdhë, duhej të tregohesha tejet i kujdeshëm.
Rruga që bëja çdo ditë nga Satsati në vendtakimin tonë në banesën Merhamet dhe rruga që ndiqte Fysuni nga shitorja Shanzelize për në shtëpi (rrugë që e përfytyroja gjithnjë), ishin të mbushura me kujtime dhe kurthe të rrezikshme, që mund të mi shtonin vuajtjet. Unë mund të kaloja nëpër këto rrugë, por duke treguar shumë kujdes. Në hartë shenjova edhe vende tjera që më kujtonin lidhjen time të shkurtër me Fysunin: fushën e zbrazët ku flijonin kurbanët në vitet tona të fëmijërisë, cepin në oborrin e xhamisë ku kishte qëndruar ajo gjatë ceremonisë mortore, atë ditë që e përgjova nga larg. Këtë hartë e kisha gjithnjë para syve dhe nuk guxoja të shkelja në vendet e shenjuara me të kuqe, me shpresën se kjo ishte mënyra e vetme, ndonëse e ngadaltë, për t’u shëruar nga lëngata.

*Fragment i shkëputur nga romani “Muzeu i pafajësisë” i Orhan Pamuk

Përgatiti: ObserverKult