Oskar Milosz: Lëre të flejë në duart e mia kokën tënde

Lëre të flejë në duart e mia kokën tënde të ëmbël:
Qershori rrënoja djeg në flokët e tu të verdhë,
Liana, diell i vjetër sipër sumbullareve.
Goja jote është një lulëkuqe mbi mur që u huan
Hijen e saj të vjetër e të mykur endacakëve.

Një këngë peshkatarësh në mavinë e deteve
Ja ç’është për mua zëri yt i përgjumur,
Zëri yt, mik i padukshëm e i menduar.
Zemra jote është shtrat’i luluar të djeshmesh të ëmbla,
Kambana e vakët e prehjes, e shurdhuar.

Një qiell i një vendi të vdekur prej kohësh
Këndon në sytë e tu-qielli i një toke të shkretë
Ku e zbehta Anabelë dhe Gaj de Ver
E d’Elormia dëgjojnë mes erërave të stuhishme
Tingëllimën e ëmbël të Tetorit në varrezë.

E ç’rëndësi ka se ti qenke imagjinare
Nga ato që nuk patën ekzistuar kurrë?
Vetmia ime e kopshteve të vjetër e të dashur
Është më pak e bukur a më pak magjistare
Se vjeshta jote me gjethnajën e përflakur?

Përktheu: Zimo Krutaj

*Titulli i origjinalit: “Imagjinarja”

LEXO EDHE: Oskar Milosz: Ku më paske sjell, jeta ime?