Përse u mbyll nga ushtria shqiptare “pusi i Ardenicës”…?

Rreth 500-600 metra në jugperëndim të Ardenicës, mbi një kodër me fushëpamje të plotë veri-jug e bregdet, del ujë i ngrohtë e pak i kripur. Është ujë shërues. Del nga një pus artesian mbi 100 metra i thellë, shpuar nga gjeologët në vitet ‘70-të. Vërtet naftë nuk nxorën, por uji që nxori ai pus, ishte me aq vlerë sa asgjë tjetër nuk do të grumbullonte në atë vend aq shumë të sëmurë nga e gjithë Shqipëria.

Lajmëtarët e parë ishin naftëtarët, kur panë t’iu përthahen e shërohen të gërvishurat e duarve e tërë lëkurës, pas larjes disa herë me ujin e pusit të ri. Naftëtarët shkonin në shtëpi dhe rrëfenin për çudirat e këtij uji dhe bindja e çudia, halli e kureshtja, sëmundja dhe shpresa, ngriten mijëra njerëz dhe i ngjiten këtu, në kodrat e bukura të Ardenicës.

Për muaj me radhë treni i linjës Tiranë-Fier, thuajse boshatisej në stacionin e Libofshës. Qindra njerëz ngjitnin kodrën, duke krijuar një varg të pashkëputur deri sipër te pusi. Të tjerë ngjiteshin nga Kolonja, duke ecur në këmbë e në të përpjetë. Për të sëmurët e pafuqishëm ose për ta vazhduar “mjekimin” në shtëpi, ngarkoheshin me shishe e bidona të mbushura me ujë, transmeton ‘fjala.al’.

E tërë kjo dyndje tërhoqi vëmendjen e mjekësisë së kohës, e cila në disa raste dha mendime kontrakditore. Kësisoj, uji i Ardenicës u kthye në temë diskutimesh, edhe shkencore, por për fat të keq nuk i shpëtuan dot dritëhijeve të kohës.

Pati edhe “shkencëtarë” që stisen thashetheme, se turmat e të sëmurëve mblidhen te ai pus jo nga efekti shërues i ujit, por nga iluzioni i shenjtërisë së manastirit të Shën Mërisë. Megjithatë, dikush pa më tej tymnajës së propagandës dhe vendosi të merrej shkencërisht me këtë ngjarje.

Një mjek, e vëzhgoi me syrin dhe përkushtimin e hulumtuesit atë çka ndodhte me turmat që ngjiteshin atje. Hodhi në letër sa pa e dëgjoi nga njerëzit, që flisnin për plagë të shëruara dhe tregonin blanat e tyre në trup e gjymtyrë, si dhe për pushimin e dhimbjeve pasi kishin pirë disa shishe radhazi nga ky ujë.

Pas kësaj iu fut punës të vërtetonte shkencërisht se çfarë fshihte përmbajtja, përbërja dhe vetitë e këtij uji; cilat ishin sëmundjet që mund të shëronte, sëmundje të jashtme apo të brendshme, me nje punë të tillë studimore u paraqit para një komisioni në Universitetin e Tiranës.

Por, përdorimi i ujit pa kontrollin dhe porositë e mjekut, sigurisht që krijuan edhe ndonjë problem. Autoritetet lokale u gjenden përballë trysnisë së turmave, si dhe alternativës: ta bënin për të qenë, duke e vënë në kontrollin e Shëndetesisë, apo… Kuptohet, gjendet më shpejt zgjidhja që kushton me pak. Dhe u gjend.

Një repart ushtarak, ishte fare pranë pusit. Me leje dhe pa leje, me shkak e pa shkak, ushtarët dilnin nga reparti dhe laheshin e baltoseshin në ujin e ngrohtë të pusit. Këto dhe të tjerat sa u thanë për kundër vlerave të këtij uji, nxiten komandatët të urdhërojnë: – Të mbyllet pusi..!!

Është zonë ushtarake dhe po na nxjerr repartin nga gatishmëria. U gjend një shtyllë telefoni me përmasat e pusit, si dhe disa ushtarë të shëndetshëm të cilët e futën shtyllën duke e rrahur me varre.

Po pusi sot? Pas kaq vjetësh; një rrekëz uji ngjyrë kafe e hapur, paksa e vakët, mezi del nga të çarat e shtyllës-tapë dhe varet tatëpjetë rrëpirës drejt perëndimit, si të vrapojë për të stërgjyshi i vet, në detin përballë.

*Shkëputur nga monografia “Rrëfimet e Ardenicës” e autorit Naun Kule

——————-

Lexo edhe:

Manastiri i perëndive: Ardenica- dëshmitare e Skënderbeut e Donikës

ObserverKult