“Përshkuam ferrin për 50 vjet, kur takuam babën as e njohëm as na njohu”

Nënën e kanë futur në Kënetën e Tërbufit, në ujë deri në bel, për të mbjellur oriz. E hëngri miu i keq, i doli shumë gjak, e nisën për në spital kur ishte në gradën e fundit. Një javë, ne, dy vajzat e vogla nuk dinim ku e kishim nënën, nuk e dinim a është gjallë !! Gjithë ditën vetëm qanim, vajtonim pa pushim… Nuk kishim asgjë për tu ushqyer. Qendronim të mbuluara me batanijen, që na e kishte sjellë nandaja kur ishim në kampin e Tepelenës. Kur erdh nëna nga spitali na gjeti të uritura, nuk kishim forcë as me folë, gati po vdisnim.

Letra protestë e Leze Ndrejajt dërguar studiueses Fatbardha Saraci Mulleti   

PJESA E DYTË E RRËFIMIT

I kam shkruar këto vuajtje me pika loti, me ka pikuar zemra gjak. Po sa shpejt erdh pleqëria. Edhe pse kanë kaluar shumë vite, kurrë nuk harroj vuatjet e mia (edhe të njerëzve si unë), që duhej të punonim shumë, me folë pak, me ngrënë sa për të mbajtur frymën gjallë. Ne tre femra të reja, pa pasur asnjë përkrahje, ishim si tre qyqe që këndojnë në degë të thatë. Po si jeton njeriu ashtu në terr dhe tmerr, jeta e jonë ishtë një ferr i vërtetë. Në fund na nxorrën nga kampi famëkeq e çfarosës i Tepelenës dhe na nisën me kamiona, në drejtim të Lushnjes. Na ulën në Savër, na vendosën në një kasolle kashte, që më parë kishte shërbyer për derrat e fermës.

Na futën në këtë kasolle tridhjetë gra e fëmijë, pesë gra ishin nga Tropoja, të tjerat nga Dukagjini, Malësia e Madhe, të tjerat nga jugu i Atdheut tonë. Nuk kishim ku të flinim, nënat tona na mbanin në prehër të mbështetura për kasolle. Nëna e jonë Prenda u mbështet në derën e kasollës që të mos na hynte njëri brenda për të na trembur. Në këtë mënyrë mbyllëm derën. Në orën dymbëdhjetë të natës na erdhi kapiten Selfo, i ra derës.

-Kush është- pyeti nëna Prendë.

-Jemi policia. Katër burra qendronin tek dera. Nëna mbylli derën. Dëgjohet zëri i kapterit:- Hape derën, se të piu e zeza. Dua që këta katër burra të futën në kasollen tuaj, se nuk kam ku t’i çoj. Nëna përgjigjet:- Jemi gra e fëmijë, a ke turp, a ke familje në shtëpinë tënde?! Ajo shkoi tek Drejtoria dhe i tregoi për veprimin e kapter Selfos, dhe i tha:- A keni gjak shqiptari?! Në kasolle flinim për toke, nuk kishim as vende për nevojat tona. O Zot më mirë të na kishin vrarë, se sa të vuanim tërë jetën.  Nënat kanë vuajtur shumë, vuajtje të pafund. Nënën Prendë e trajtonin shumë keq, sepse burrin e saj e quanin të rrezikshëm për shtetin komunist. Nënën e kanë futur në Kënetën e Tërbufit, në ujë deri në bel, për të mbjellur oriz. E hëngri miu i keq, i doli shumë gjak, e nisën për në spital kur ishte në gradën e fundit. Një javë, ne, dy vajzat e vogla nuk dinim ku e kishim nënën, nuk e dinim a është gjallë !! Gjithë ditën vetëm qanim, vajtonim pa pushim… Nuk kishim asgjë për tu ushqyer. Qendronim të mbuluara me batanijen, që na e kishte sjellë nandaja kur ishim në kampin e Tepelenës. Kur erdh nëna nga spitali na gjeti të uritura, nuk kishim forcë as me folë, gati po vdisnim.

Në foto: Lezja, Prende Palja, Zoja në Savër Lushnje, 1957

Në Nikaj-Mertur kishte mbrritur lajmi tek Nana Daja që vajzën e ka të shtruar në spital. Udhëton gjyshja e jonë e dashur dhe erdh të na takonte. Solli një dhi me kec. Nuk kishim enë për të vluar qumështin, ia kërkuam një zonje të moshuar. Qumështin e ndanim me bashkëvuajtëset. Kapter Selfoja nuk lejoi të mbanim dhinë. Lutjet tona nuk e thyen zemrën e kapterit. E shitëm dhinë.

Vuajtje të pafund. Më mirë të na kishin vrarë, se sa na vranë në çdo moment, në çdo ditë, gjithë jetën. Nënës i dhanë vetëm një javë pushim. E urdhëruan të dilte në punë, duhej të pastronte të gjithë puset e Lushnjes, që ishin të thellë me tre pashë shkallë. Pesëdhjetë kova me mbeturina nxirrte nga një pus, i dilnin dhe gjarpërinj.

Ne, vajzat e vogla qëndronim në kasolle, vetëm qanim, kishim frikë se po na mbytnin nënën. Polici vinte në kasolle na rrihte, na godiste me grushta në fytyrë, na hidhte për tokë. Kur erdh nga puna nëna i tha policit:- A ke fëmijë ti!? A ke zemër njeriu?! Ajo vazhdoi:- “Këta fëmijë, dmth dy vajzat e vogla nuk kanë asnjë njeri që t’i shoqërojë, t’i ndihmojë, t’i bijë mbrapa, vetëm unë jam nëna e tyre, janë zemra, shpirti im e ardhmja ime”. Këto ishin trajtimet që na u bënë kur na sollën në Myzeqe, pasi kishim provuar kampin shfarosës të Tepelenës.

Unë- Lezja, një ditë, kur dola nga shkolla isha duke vdekur nga uria. Vrapova drejt kasollës, më dolën përpara pulat e fermës me zogj. Gjatë vrapimit shkela një zog pule. Vrapoja dhe mendoja se po vjen policia të më burgosë. Shkova në kasolle, u mbështolla me batanije, kisha shumë frikë. Më kishte zënë një gjumë i rëndë…Nga frika kam fjetur 12 orë. Kur erdh nëna nga puna nuk më ka parë. Sapo më doli gjumi ka thirrur:- O nanë, kam shkelur një zog pule të fermës, kam frikë se më burgosin.

-Jo, jo- tha nana- Çka don me të blerë?!

Përgjigjem:- Jo jo nuk dua asnjë send, veç mos të më fusin në burg.

O Zot! Si e kemi bërë jetën, duke u dridhur nga frika. Na liruan nga internimi. Nuk kishim ku të shkonim. Kemi ecur një javë, këmbë zbathur, gjysëm të zhveshur, ecëm nëpër gurë, duke fjetur nëpër ferra në anë të rrugës. Gjatë udhëtimit rrugës në mal, nëna kishte frikë se mos na hanin kafshët e egra. Ajo nuk flinte, na mbante në prehërin e saj, na mbronte. Një vuajtje e madhe.

Mbërritëm në Tropojë. Nuk kishim ku të shkonim. Shtëpinë tonë e kishin shembur. Nuk na pranonte njeri, nuk na u hap asnjë derë se na quanin reaksionare. Iu afruam murit të shtëpisë sonë dhe tokën e kishim shtroje e qiellin mbulojë. Erdh gjyshja- nana daja- e na mori, që të mos vdisnim nga urija. Shkuam në Nikaj- Mertur. U detyrua nëna të dilte të lypte, se nuk kishim ç’të hanim. Rrugës e kanë sulmuar qentë e Currajve të Epërm, e hëngrën qentë. E sollën nënën me mushkë, sepse nuk ishte në gjendje të ecte, këmbët i kishte me plagë. Atë natë që nëna erdh e plagosur, është bërë mbledhja në fshatin Curraj. Dajën, që ishte njëzet vjeç e urdhëruan ta largonte nga shtëpia e tij të motrën, përndryshe e dëbonin nga fshati. U larguam dhe shkuam tek muri i shtëpisë sonë. Sa kemi vuajtur me ndërtuar një dhomë, nuk na ndihmoi njeri. Jemi rritur me shumë vuajtje.

Kështu ka vuajtur nëna ime Prenda nga Nikaj-Merturi, kjo ishte nëna Prenda Dedndrejaj e thirrnin në Tepelenë ose Prendë Palja me emrin e burrit. Kjo ishte mbretëresha e maleve, e pavdekshme e asaj krahine. Nuk iu përul askërkujt, qëndroi e fortë deri në momentet e fundit të saj, ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare. Nëna që vajtoi në kampin e Tepelenës me vargjet: “Tepelenë mor guri i zi, mbyte gra, pleq e fëmijë, medet ç’u bërë djemve të rinj, ia mbylle dyert me dry, e i le nënat me duar në gji.”

Familja jonë vuajti afro 50 vjet, tortura të pafund, u torturuan në mënyrë ç’njerzore gra e fëmijë të pafaj. Kjo ishte drejtësia e shqiptarëve nën sistemin komunist. Kam shkruar pak, se nuk kam shumë shkollë, nuk më lejuan, thonin:- E ke babain kundër Enver Hoxhës. E kam shkruar këtë letër me pika loti dhe duke më pikuar zemra gjak.

Vuajtjet tona nuk mbaruan asnjëherë, asnjë shkrimtar nuk mund të shkruaj për vuajtjet tona. Nuk e dij si jemi gjallë, por ishte Zoti Ai që nuk na harroi. Patëm një nënë që s’e ka pasur njeri në botë, e ka ndihmuar besimi në zot, gjithmonë është lutur për ne dhe për babain tonë. Historia e Ferrit vazhdon: Në vitin 1957 sapo ishim liruar, një kushërirë e babait që jetonte në Shkodër, Katrina jetonte në shtëpinë e saj tek Arra e Madhe. Ishte rrobaqepëse. Më mori në shtëpinë e saj. Sapo kisha mbushur të nëntë vitet e jetës sime. Më qepi një fustan të bukur me dy zemra të bardha dhe më bëri një fotografi.

Kjo ishte fotografia e dytë e jetës sime, të parën e patëm bërë ( kur na hoqën nga kampi i Tepelenës) në internim në Myzeqe. Më regjistori edhe në shkollë. Sa u gëzova se do jetoja në këtë famijle që më donin. Ky gëzim zgjati vetëm një javë. Pas një jave zonjën Katrina e thirrën në kryesinë e lagjës dhe e detyruan që të mos më mbante në shtëpinë e saj. E kërcenuar se do ia hiqnin djalin nga puna. Ishte nëna e profesorit të nderuar Zef Pjetër  Deda. U largova nga Shkodra. U bashkova me nënën time te dashur tek muri i shtëpisë që e kishin shembur. Vitet kaluan dhe unë u rrita.

Më thotë nëna:- Duhet të martohesh se nëna nuk jeton përgjithmonë” dhe mbetesh e vetme dhe pa familje dhe nuk dëshiroj dhe s’dua më ta humbur jetën, sepse ke vuajtur shumë. Duhet të formosh familjen tënde, që është gjëja më e çmuar në jetë. U fejova ose më mirë më fejuan, dhe gjithmonë vajtoja, qaja e qaja, lotët nuk kishin mbarim. Gjithmonë mendoja si do ta lej nanën vetëm. U caktua dita e martesës. Mendoja për vetminë e nënës time, nërsa babai ishte i tretur dmth larg atdheut, nuk dihej ku është, si jeton, a jeton?! Si me t’u ndarë zemra për gjysëm, me u nda nga nëna që më ka rritur me shumë mundime, që provoi burg e internim.

U bëra nuse, erdhën dasmorët e më morën. Por ndodhi çudia, dasmorët u larguan nga oborri i shtëpisë, morën vesh që nusja është e përsekutuar. Flisja me vete:- O zot, ki mëshirë për ne, se nuk po na don asnjëri. U rritëm në Tepelenë, në internim për gazep, e kishim plagën të hapur. Biografia e jonë na ishte shkruar që në moshën fëminore, ishim të padenja për shoqërinë socialiste. E prishën dasmën. Në mbledhje burri im jua tha:” Po e ndaj nusen, sepse nuk dua të ndahem prej shoqërisë. Ju kam pyetur kur doja të fejohesha dhe me thatë:- Merreni, ndërsa tani më prishët dasmën. Mbledhja vazhdoi deri në orën 12 të natës. U vendos që komunistët dhe familjarët e tyre nuk duhet të mërrnin pjesë në dasëm, nuk duhet të bashkohen me të prekur politikë. Dasma u kthye në vaj, sepse të afërmit e tyre nuk morën pjesë. Nuk e kam parë vetën më ngushtë. Mendoja dhe i thoja vetës:- Ky është një tmerr. Zot si kemi jetuar, nuk na ka dashur njëri, kishin frikë të na afroheshin. Me buzë në vaj tërë jetën. Nuk na përkrahu njëri. Ç’ ishte kjo luftë klasore, kjo luftë e tmerrshme, në kohë paqe, nuk na u nda për afro pesë dekada, na cilësuan me epitetin “ të prekur, dmth të sëmurë, të pashëruar, të rrezikshëm si sëmundja ngjitëse e tuberkulozit .

Shteti shqiptar që po ndërtonte shoqërinë socialiste dmth po formonte “Njeriun e Ri”, na bëri të vuajmë të pafajshmit dhe na shkatërruan jetën. Lufta e klasës vazhdoi edhe tek fëmijët e mi. Ishin nxënës të shkëlqyer, me të gjitha notat dhjeta. Nuk i lejuan të vazhdonin studimet e larta. Fëmijët e mi. Marija një nxënëse e shkëlqyer në shkollën e mesme Breg Lumi- Dukagjin. Po kështu dhe vajza Shaqe. Vajza e tretë Drane iu dha leja nga Breg Lumi për të vazhduar Institutin Bujqësor, dega ekonomi në Tiranë. Ishte një studente e shkëlqyer. E përjashtuan sepse ishte familje e prekur. Po kështu dhe dy djemt Niko e Prelë nuk e patën të drejtën për studime të larta.

Vazhdonte refreni komunist: “Keni gjyshin kundër Enver Hoxhës.” Si mund të ndodhë kjo ?! Kur nëna e tyre nuk e ka njohur babain e saj, sepse ai kur u largua nga atdheu, e ka lënë atë një vogëlushe dy vjeçare. Si ishte e mundur që ajo të jetë fajtore që e ndoqi lufta klasore gjithë jetën dmth fëmijët ia panë sherrin, vuajtën sepse nëna e tyre ishte me biografi të keqe.

Kalon, e mira harrohet, e keqja nuk harrohet. Për këtë tragjedi të pameritueme edhe pas vitit 1990 nuk u përgjigj shteti për asnjë send. Për çfarë drejtësie shqiptare të flasësh?! Kur fitoi demokracia mësuam që babai kishte pësuar aksident në Francë. Babai erdh në Shqipëri pas 50 vitesh. U takuam pas një gjysëm shekulli. Sa zbriti nga avioni tha: “Faleminderit demokracisë që erdh në vendin tim, se kam lënë dy fëmijë të vegjël kur u largova e tash nuk i njoh. A ka më zi kur babai nuk njeh fëmijët e tij, kuptohet dhe fëmijët nuk e njihnin atë, atin e tyre. Jetoi më së dhjetë vjet, vdiq në moshën 92 vjeçare. E përcollëm në banesën e fundit të afërmit, ata të diasporës, që nuk e harrojnë këtë shqiptar të ndershëm që i shërbeu vendit të tij. Plagët tona janë të hapura, ende rrjedhin gjak, nuk sherohen sepse asnjë qeveri nuk kanë lejuar sherimin e plagëve. Si ndihen vëllezërit e motrat tona që na ndoqën me luftën klasore, që ishim të të njëjtës racë njerëzore?! A kërkoi njeri ndjesë për jetët e humbura?!

Me nderime, Lezja