Petraq Kolevica: Shko dhe ti…

Fluturo, dallëndyshe,
Fluturo!
Shumë shoqe të shkuan më parë,
Shko dhe ti me ato,
Mos qëndro
Përmbi lisin e tharë.
Lisi, që mbi supe të mban,
Tek ti sheh ato hire,
Fshan
Dhe i kërrusur qan
Me lotë të rëndë rëshirë.
Shko, pra, dallëndyshe,
Fluturo
Tok me shoqet, që shkuan më parë.
Lëre lisin e tharë
Atje,
Me gjoks e më zemër të çarë.
Dhe në takofsh ndonjë re,
Lutju,
Lutju t’i hedhë një rrufe
Edhe t’i vërë zjarre!

*Titulli i origjinalit: “Dallëndyshja”