Po kaluat nga Tirana mos harroni foton me Kadarenë, le t’ju gjindet aty!

Nga Tatjana Bardhi

Turistëve që shkelin për së pari vendin tonë dhe u ndodh të kenë edhe një ndalesë në Tiranë, ka lloje e lloje guidash turistike që u ofrohen. Që nga pikat historike e me interes arkeologjik e deri te qendrat tregtare ku mund të shërbehen me çmime të kripura për veshje markash të kudondodhura në botë.
Por, për libradashësit, ose më mirë të themi për ambiciozët që i janë rrekur në çfarëdo forme letërsisë ka diçka tjetër që do të donin të gjenin në Tiranë e për të cilën do të bënin gjithcka të realizonin.
Pyesni veten, eh se çka mund të jetë kjo?
Një foto me Kadarenë, të dashurit e mi…një foto me princin e letrave shqipe duhet gjithsesi! Sepse  është bërë Kadare tashmë si atraksion turistik.
Shkove n’Tiranë, apo thjesht  kapërceve qoftë edhe shpejteshpejt , tranzit nëpër te, një foto me Kadarenë duhet patjetër.
Një foto ku je TI dhe Kadarea.
Një foto ku je ti, Lartmadhëria jote, tek flet me Kadarenë.
Tek shoshisni sa e sa gjëra,  sa e sa çështje,  sa e sa projekte.
Dhe natyrisht mes diskutimesh hynë edhe ‘përkdhelitë” që merrni nga princi për shkrimet, letrat e tuaja, gjithsesi!
Një foto me te, ku Ty së paku ta krijon ndjesinë e një  soji, e një klase, e një rangu.
Një foto prej të barasvlefshmëve.
E pastaj ta keni aty për çdo rast, për ndonjë ditëlindje,  për ndonjë…
E keni parasysh, një aso fotoje ku ju çmendeni  nga gëzimi, dhe Kadare shihet sikur thotë, e ç’më zuri belaja…
E Kadare, si gjirokastrit, çudi ende s’ka vënë çmim  për ‘kohën”, për “shërbimin”.
P.sh: një foto në grup, 50 euro, fotoja tek e tek me ju 100 euro. Mbase edhe do ta bëjë, ku i dihet…T’i paguaj së paku mërrolat dhe fytyrën e vërenjtur për torturën që ia bëni. / ObserverKult