Po të kishim dashuni për njëri – tjetrin, do të ishim më ndryshe nga çfarë jemi tani…

Nga Salajdin Salihu

Mungesa e dashunisë për njëri – tjetrin, sipas Zef Pllumit, është pengesa që nuk na lë të përparojmë sikurse kombet e botës së zhvilluar.

Po të kishim dashuni për njëri – tjetrin, për Njeriun, edhe kur ai nuk është i fisit dhe kombit tonë, do të ishim më ndryshe nga çfarë jemi tani.

Na mungon dashunia, sepse na mungon besimi dhe mendimi i lartë. Mendimtarët thonë se “mendimi më i lartë vjen bashkë me kulturën”.

Po të besonim në vlerën e pakufishme të njeriut, atëherë te çdo njeri, sikurse Virata te një novelë e Cvajgut, do të shihnim sytë e vëllait, të afërmit.

Ne që bëjmë jetë eremiti, duke përkulur kokën mbi libra apo duke shkruar libra, nuk përfitojmë materialisht, por vetëm shpirtërisht. Arti, thotë Kanti, është diçka që e duam pa interes.

Ne punojmë me dashuni për Njeriun, Artin, Gjuhën, Kulturën. Dashunia nuk na kthehet me dashuni. Edhe përçmohemi. Megjithatë, sërish nuk urrejmë, sepse nuk na lejon kultura jonë.

Mendoni se nuk e dimë që më shumë na urrejnë se sa na duan?

E dimë thënien e urtë: “Aty ku çel trëndafili lind xhelozia”.

Ne nuk punojmë për të nxitur xhelozinë e të tjerëve. Nuk punojmë për inat të njërit apo tjetrit. Jemi gatuar nga brumi i dashunisë për Njeriun. Madje nuk i urrejmë edhe ata që na urrejnë.

Një rrëfim i moçëm, anonim, nga rrëfimet që e kanë mposhtur tiraninë e kohës, flet për peshën e rëndë dhe kundërmimin e urrejtjes. Na jep mesazhin se urrejtja e dëmton edhe atë që urren.

Na ishte njëherë një njeri që urrente këdo, sa iu desh ndihma e një të urti. E i urti e këshilloi: mbaj një strajcë në shpinë dhe sa herë të urresh fut aty një mollë. Kaloi një kohë dhe strajca u bë e rëndë. Mollët u kalbën dhe kundërmonin. Njeriu që urrente mezi e mbante këtë barrë. I rënduar e i rraskapitur shkoi sërish tek i urti. Dhe i urti tha: Sa herë të dashurosh nxirre një mollë nga strajca.

Kështu njeriu, që e ndjeu peshën e urrejtjes në shpirtin e tij, filloi t’i donte njerëzit. Me kalimin e kohës strajca u zbraz dhe ai u ndje i lehtësuar.

Shpirti i atij që urren është si strajca me mollë të kalbura.

E kemi rënduar dhe e rëndojmë shumë shpirtin tonë me këtë peshë, prandaj lëvizim ngadalë.

Mëkatet, thotë Dantja, e rëndojnë shpirtin. Vetëm shpirti i pastër është i lehtë dhe arrin të fluturojë drejt qiellit./ ObserverKult