Poezi prekëse e Çun Lajçit për vajzën e ndjerë: Pse Mirake s’më vjen n’andrra…

Poezi nga Çun Lajçi

Ke harrua se pak gjumë ban yt at
me copa andrrat i ka
bjen vonë zgjohet herët
dhomave të zbrazëta u flet.

Ti rrin e heshtun n’fotografi.

Ke harrua se kujtimet pihen me sy
s’i vjen ma n’gjumin e parë
s’e zgjon n’gjumin e dytë
këtij i soset jeta.

Ti rrin e qeshun n’fotografi.

Ke harrua se yt at jeton me andrra
flet me gjumin e vet si me ty
ti ikë n’varg ky vjerret n’tela
bahet mall n’sharki.

Pse Mirake s’më vjen n’andrra.

————————————————–

LEXO EDHE: TREGIM PREKËS NGA ÇUN LAJÇI: GRUAJA QË KREU HAKMARRJEN PËR BURRIN…

Mrika që ia muer gjakun burrit
(Tregim i lirë mbi nji t’vërtetë)

U martua Mrika. Mrrolajka, fjalë pakta e kallushajka e Kolë Marashit!
I ati ia bani kanagjeqin si asht ma s’miri. I preu dy cjepë që i kishte ndër njiqind dhi e fyshekët si kurseu kur erdhën krushqit me marrë Mrikën, mirashën, mirakën e bacës Kolë!

Hej, s’ishte punë e vogël!? Kallushajka e tij po martohej për Lecin, rojën e Bajraktarit t’Pulatit, e roje s’bahej gjithkush as gjithkush s’e ruente Bajraktarin ore! Duhej me qenë dy metra burrë, sy skyfter e shpatull gjanë për me ia ruejtë shpinën Bajrakut t’fisit!
Ndaj plot teneqe u mbush oborri kur Mrika hipi n’kalin e nusës, n’pullalinë me lulën e zezë n’ballë!

Edhe pajë kishte ba boll. Dy arka druni mënzi ia çoi kali të shtëpia, atij rojës me kobure sërmi n’brez!
Tri herë ma shumë teneqe u mbush oborri i dhandrrit kur zbriti Mrika e mira e Kolë Marashit me xhubletën e randë, tetë okësh!

E cingëlueme ishte viranja me zinxhirë e pare n’kollanin e përmjetit, e me rrueza e mija fije pejsh!
Por … e errëta kishte nxanë vend n’xhubletën e n’xhamedanin me sumulla t’mirashës Mrikë, se errët do t’i shkonte jeta e do t’thermohej gurëve tue lypë gjaksorin, që ia vrau burrin, pa i ba dy javë n’qilerin e tij!

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU