Prapaskenat e filmit “Furtuna”/ Abaz Hoxha tregon përplasjen me dy anëtarët e Byrosë: Mbylle gojën! Belishova i ra tavolinës me grusht, ndërsa Nexhmija ngriti…

Ai është kuadri i parë me arsim të lartë në kinematografinë shqiptare dhe një nga themeluesit e saj. Abaz Hoxha e ka të lidhur jetën me filmin, si kryeinxhinier në ish-Kinostudion “Shqipëria e re” gjatë viteve të para pas kthimit nga Praga, por edhe si studiues e historian i parë i kinemasë sonë.

Në kuadër të 90-vjetorit, vendlindja e tij, Vlora, e vlerësoi me titullin “Nderi i qarkut Vlorë”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar në krijimin, zhvillimin dhe rritjen e vlerave të artit dhe kinematografisë shqiptare”.

“Jam krenar që jam nga Vlora, vendi i heroizmit popullor, i Ismali Qemalit e Pavarësisë, vendi i Epopesë së 1920-ës, që këtë vit mbush 100 vjet”, thotë i përlotur.

I njeh Vlorës edhe kontributin në fushën e artit e kulturës, si qyteti me kinemanë e parë publike (Kinema “Përparimi”), të çelur në vjeshtën e 1920-ës.

“Nga Vlora ishte edhe regjisori i parë Mihallaq Mone, që bëri për këtë qytet disa dokumentarë”, tregon më tej Hoxha, si njohës i mirë i terrenit të filmit, të cilit i ka dedikuar mbi 23 libra.

Për historinë e kinemasë shqiptare ka shumëçka për të treguar dhe nuk e fsheh shqetësimin që i ngjall çdo debat, që i kundërvihet punës kolosale të brezit të Viktor Gjikës, Dhimitër Anagnostit, Namik Prizrenit etj., për të prodhuar filma.

Do duheshin orë për të renditur argumentet, por theksin e vendos te vlerësimi që vjen nga jashtë kufijve.

“Dikush mund të kërkojë t’i shënjojë, dikush tjetër t’i fshijë pasi i quan si të pavlerë nga ana artistike, por shumë nga filmat tanë asokohe u vlerësuan nga bota me çmime të para”, thotë ai për “Panoramën”, gati i zemëruar me përpjekjet e këtij brezi për të shkulur rrënjët e një historie, në vend që të shkruajë të reja.

Peripecitë që edhe Shqipëria të kishte historinë e saj të kinematografisë i ka kaluar bashkë me themeluesit e tjerë të saj dhe siç tregon, rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, pasi çdo gjë duhej nisur nga hiçi.

Nuk e mohon se kinematografia gjatë diktaturës ka qenë pjesë e sektorit të propagandës, por kjo ua vështirësonte artistëve edhe më shumë punën.

Ndërhyrjet e sistemit, ai i tregon gjatë përpjekjeve për të bërë një film për luftën, ku u rrëzua skenari “Bora e kuqe” i Petro Markos, ku rrëfimi shtrihet në një ngjarje të vetme.

Po ashtu, për realizimin e këtij filmi, Komiteti Qendror i Partisë i doli kundër edhe regjisorit të njohur të Bashkimit Sovjetik, Grigori Chukhrai, i cili ashtu si shkrimtari vlonjat kërkonte ta tregonte luftën në film përmes një episodi.

“Nuk ranë dakord, kështu që u largua. Erdhi Juri Ozerov dhe bashkë me Dhamon bënë filmin ‘Furtuna’”, rrëfen Hoxha.

Krahas pengesave në konceptimin e filmave, vështirësitë, siç studiuesi tregon, ishin edhe teknike.

Për të shpalosur këto problematika, Abaz Hoxha, që asokohe po përgatiste së bashku me drejtorin e ish- Kinostudios, Llazar Lipivani, një projekt për kinematografinë, i del përballë Liri Bolishovës dhe Nexhmije Hoxhës.

Me guximin për të rrëfyer cilësinë e dobët të pajisjeve dhe kërkesat për filmin artistik, siç tregon, rrezikonte jo vetëm të merrte vulën e antisovjetikut, por edhe “të thyente qafën”.

Pas kësaj mbledhjeje të posaçme e aspak të qetë, kryeinxhinieri i ish- Kinostudios do të duhej të kalonte të tjera sprova. Vetë zëvendëskryeministri Manush Myftiu, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, do t’i kërkojë të bëjë gati atelienë e re të xhirimeve.

“Vërtet kisha përfunduar për Inxhinieri Zëri, por s’kisha praktikë në ndërtime”, thotë ai, ndërsa rrëfen se si u ngrit atelieja, ku sot është Televizioni Klan.

Zoti Hoxha, pas studimeve në Pragë ju ktheheni në Shqipëri. Si nisi puna juaj në ish-Kinostudion “Shqipëria e re”?

Në Shqipëri u ktheva në dhjetor të vitit 1954. Meqenëse studimet i përfundova në Degën e Radiolokatorëve, u drejtova për tek Instituti i Shkencave, me shpresën se do të kishte ndonjë mundësi punësimi në sektorin e meteorologjisë. Por këtë fushë asokohe te ne e kishte vetëm Ushtria dhe atje specialistët ishin rusë, me arsim të mesëm.

Kështu nisa punë në ish-Kinostudio, ku punova për një vit si inxhinier zëri e mandej më emëruan si kryeinxhinier. Në vitin 1956, drejtori i ish-Kinostudios, Nesti Zoto, u pushua dhe unë, si i vetmi i shkolluar në këtë institucion, u detyrova të merresha për dy vite me radhë me veprimtarinë krijuese, drejtimin e kolektivit artistik, miratimin e skenarëve. Ishte një punë shumë e lodhshme, por që më ndihmoi të formohesha.

Ish-Kinostudio asokohe ishte në fillimet e saj, sa e vështirë ka qenë të çohej përpara nisma për të bërë dokumentarë e mandej filma artistikë?

Në një shkrim timin të hershëm, unë tregoj se në ish-Kinostudio “gjeta një pranverë të hershme”. Vështirësitë ishin të mëdha, por njerëzit kishin një dashuri të jashtëzakonshme për punën. Kryesisht mungonin personat e specializuar.

Drejtori që ishte me shkollë të mesme u largua dhe mbeteshin pak që kishin bërë disa kurse formimi, si Endri Keko që ishte specializuar në Moskë, Xhanfise Keko, Petraq Lubonja, operatori Jani Nano etj.

Ajo që vura re te këta njerëz qe mobilizimi i gjithanshëm dhe sakrificat e mëdha për punën, edhe jashtë mundësive. Unë kujtoj kur operatorët shkonin nëpër rrethe, në shi a diell. Binin të flinin në darkë në hotele me kushte të mjerueshme, duke lënë familjet e tyre për ditë të tëra. Ishin kohë të vështira, por kishte shumë entuziazëm dhe pasion për punën.

E kujtoni realizimin e filmave të parë, si “Tana” i Kristaq Dhamos?

Në atë kohë, unë kam qenë kryeinxhinier në ish-Kinostudio dhe siç thashë, stafi ishte ende i paformuar mirë, pasi specializimet do bëheshin më vonë. Mbizotëronte pasioni për filmin, për krijimtarinë. Kujtoj se Kristaq Dhamo erdhi në fundin e vitit 1956.

Para tij qe në ish-Kinostudio Viktor Stratobërdha, i cili kishte studiuar për Regji në Bashkimin Sovjetik, por si Nesti Zoto, edhe ai u pushua nga puna dhe e dërguan në Berat. Ndërkohë kishte bërë dy filma dokumentarë, një prej të cilëve u dedikohej studentëve që morën diplomat e para dhe titullohej.

“Urime shokë studentë”. Pas kësaj u kthye nga Praga Hysen Hakani, i cili njësoj si Dhamo nuk i përfundoi studimet. Hakani e mbrojti diplomën këtu me “Fëmijët e saj”, që u shfaq në shkurt të 1958-ës, ndërsa Dhamo me “Tanën”, i cili u dha në korrik të po atij viti. Jo më kot unë përmend gjithmonë faktin se filmi i parë është “Fëmijët e saj”, pasi e gjithë kinematografia botërore e ka nisur me filmin e shkurtër.

Asokohe duket se prodhimi kinematografik u mbështet edhe te bashkëpunimi me Bashkimin Sovjetik, të paktën për filmat e parë. Ishte e vështirë që të dyja palët të gjenin një linjë të përbashkët?

Unë kujtoj se pak muaj pas filmave që përmendëm, u diskutua për të bërë një film për luftën. Debate që bëheshin nga Komiteti Qendror i Partisë, pasi kinematografia ishte pjesë e sektorit të propagandës. Kristaqi ishte ende shumë i ri dhe pa ndonjë përvojë mbi supe, ndaj Komiteti ishte pak skeptik. Petro Marko me këtë rast bëri një skenar shumë të mirë. Bazuar në një episod, ai tregonte luftën. Mirëpo, anëtarët e KQP-së këmbëngulnin se filmi duhet të përmbante shumë episode.

Kështu, realizoi një skenar me titull “Bora e kuqe”, ku në fokus janë disa partizanë që çajnë rrethimin, me këmbët e lidhura me lecka që pikojnë gjak. E gjitha bazohej në histori reale, pjesë e së cilës ka qenë edhe im vëlla, i cili mbeti dëshmor, si dhe heroina zonja Çurre. Mirëpo, lindi problemi se filmi nuk ishte me ngjyra, kështu që koncepti i titullit nuk përçohej.

Ndaj ia ndërrojnë emrin duke e quajtur “Llogoret e bardha”. Meqenëse Dhamo ishte shumë i ri, thërrasin një regjisor shumë të mirë nga Bashkimi Sovjetik, Grigori Chukhrai-n, i njohur për filmat “Balada e një ushtari”, “Dyzet e parë”, “Qielli i qartë” etj. Edhe me regjisorin rus ata këmbëngulën tek e njëjta ide, sefilmi duhet të kishte sa më shumë episode për të treguar madhështinë e luftës sonë. Mirëpo, ai nuk u pajtua.

“Film të tillë nuk bëj, – tha, – por do marr një episod dhe do përgjithësoj luftën”. Nuk ranë dakord, kështu që u largua. Erdhi Juri Ozerov dhe bashkë me Dhamon bënë filmin “Furtuna”. Një film që pati aktorë të mirë, si Naim Frashëri, Mario Ashiku, Lazër Filipi etj., por që prej këmbënguljes që u bë në konceptin me sa më shumë episode, doli i shpërndarë.

“Furtuna” shënon kështu edhe bashkëpunimin e fundit me BS-në në kinematografi, për periudhën e diktaturës. Në ’53-shin u realizua “Skënderbeu”, po në këtë rast peshën kryesore e kishin rusët, edhe pse patën si regjisor të dytë Viktor Stratobërdhën e aktorë Besa Imamin, Marie Logorecin, Adivie Alibalin e Naim Frashërin.

Në këtë film ka interpretuar edhe Llukë Açaj, i cili qe një bas i mrekullueshëm, që do të kishte bërë shumë famë nëse në 1973-shin s’do t’ia kishin ndërprerë karrierën përgjysmë.

Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik u prishën, filmat e huaj nisën të kufizoheshin dhe ishit në pozicionin që duhet t’i ofronit publikut prodhim shqiptar. A kishit një plan konkret?

Siç dihet, ish-Kinostudio ishte ndërtuar për filmin dokumentar. Por pas shfaqjes së “Fëmijët e saj”, “Tanës” e “Furtunës” nisi gradualisht të hapej oreksi për filmin artistik. Në 1958 erdhi si drejtor i ri LLazar Lipivani dhe së bashku bëmë një projekt për zgjerimin e kinematografisë e përgatitjen e kuadrove, si dhe krijimin e rrjetit të kinemave. I vumë vetes detyrë që në çdo dhjetëmijë banorë të kishte një kinema. Sigurisht që këto ishin detyra shumë të mëdha, që kërkonin angazhim.

Gjatë kësaj periudhe, ndërsa ishim duke konkluduar projektidenë, na merr në telefon Pipi Mitrojorgji, zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës dhe na njofton se do të vinin shoqja Liri Belishova dhe Nexhmije Hoxha. Ato do të merrnin në shqyrtim ecurinë e kinematografisë në Byronë Politike. Ne ishim duke i dhënë dorën e fundit projektit, kur ato erdhën bashkë me zv.ministrin dhe drejtorin e ish-Kinostudios. Kujtoj se në atë mbledhje kam folur me shumë kurajë, duke mos dëgjuar porosinë e tim vëllai, i cili më kish thënë të kisha kujdes, se kështu mund të thyeja kokën.

Patët përplasje gjatë mbledhjes?

Asokohe ishte hapur fjala se ish-Kinostudio ishte fjala e fundit e teknikës dhe nëse dikush guxonte ta kundërshtonte diçka të tillë, rrezikonte të merrte vulën e antisovjetikut. Mirëpo, unë isha i ndërgjegjshëm se këto pajisje edhe pse të reja, ishin eksperimentale. Kështu, gjatë mbledhjes po mbroja tezën se duheshin zëvendësuar, pasi nuk ishin të përshtatshme për ne.

Liria më kundërshtoi disa herë, duhet ta them se ajo ishte shumë herë më diktatore se Mehmet Shehu. Mirëpo, unë po flisja si specialist, pa marrë parasysh faktin se kisha përballë një anëtare të Byrosë Politike dhe e Komitetit Qendror. Më kundërshtoi sa më kundërshtoi e pastaj i ra tavolinës me grusht. Nexhmija ngriti kokën dhe e shikoi pa reaguar… me sa unë kam kuptuar, ajo ishte grua e kulturuar.

Ndërsa drejtori ma bëri me shenjë: Mbylle gojën! “Ju nuk dini t’i përdorni. Unë kam qenë në Gjermani dhe Çekosllovaki dhe i kam parë atje”, këmbëngulte Liria, duke dashur që ne të kthenim filmin në 16 milimetërsh, pasi ishte më ekonomik. Por e gjitha kjo ishte absurde, sepse filmat atëherë bëheshin me 35 mm dhe nuk mund të konceptoheshin me 16. Ishim unë dhe Llazar Lipivani që e ngritëm problemin fillimisht, madje mua më konsideruan edhe si “të marrë”.

Diskutuat më tej për të tjera mungesa që kishit evidentuar në ish-Kinostudio për sa i përket realizimit të filmit?

Unë pata guximin të trajtoja edhe problematikën e zhurmave akustike dhe mungesës së muzikës së filmit. U thashë se Fondin e Radio Tiranës ku ne merrnim fond muzike, e kishim shfrytëzuar për filmin dokumentar, ndërsa filmi artistik kërkon muzikë të kompozuar. Këmbëngula se edhe muzika e filmit artistik ishte një komponent me mjaft rëndësi, që duhet të krijohej apostafat për filmin, në mënyrë të tillë që të përcillte ide, mesazhe që lidheshin me subjektin.

-Filmi artistik kërkon muzikë të kompozuar, – u thashë, – ndaj duhet ngritur Orkestra Simfonike e Kinematografisë dhe e Radiove (ende s’kishte televizion në atë periudhë). -Ç’është kjo, – m’u kundërvu Belishova. -Unë s’jam i marrë e as budalla, – vijova, – ish- Kinostudio jo me 2 apo 3 filma, po as me 30 nuk ka nevojë për një orkestër të vetën. Le ta mbajë Radio Tirana dhe ne ta përdorim kur të na duhet një kompozim për muzikën e filmit. Pastaj orkestra mund të vijojë punën, të japë koncerte në qytete apo jashtë. Qe ky propozimi i parë, që u bë shkas për miratimin e Orkestrës Simfonike të Kinematografisë dhe Radios. Deri në vitin 1986 funksionoi me këtë titull dhe qëllimi parësor i krijimit të saj qe kompozimi i muzikës së filmave.

Zgjerimi i kinematografisë kërkonte ndër të tjera edhe vendxhirim me kushte të përshtatshme, pasi siç thatë, Kinostudio u krijua fillimisht për dokumentarët. Si e zgjidhët këtë çështje, patët probleme për të marrë miratimin dhe mbështetjen e qeverisë së kohës?

Vendi ku do të xhiroheshin filmat ishte një nga detyrat tona kryesore. Mirëpo, siç dihet, duke e nisur çdo gjë nga zero, ne nuk i kishim mundësitë teknike. Po ashtu, kishim mungesë profesionistësh, ku më i specializuari isha unë. Kjo ishte një pikë që ishte menduar të zgjidhej me ndihmën e Bashkimit Sovjetik, por marrëdhëniet mes dy vendeve u ndërprenë. Pra, flitej për të ndërtuar një atelie për xhirim, në ndërtesën ku sot është TV Klani.

Pas prishjes së miqësisë me BS-në, mua më thërret zëvendëskryeministri i atëhershëm dhe anëtar i Byrosë, Manush Myftiu. Unë isha në pozicionin e kryeinxhinierit në Kinostudio. -Ku po xhirohen filmat? -më pyet. -Në “Shkollën e Kuqe” dhe në garazhin e ish-Kinostudios, – iu përgjigja. Në atë periudhë ishte duke u xhiruar filmi “Debatiku”.

Ndërkohë rusët, pas prishjes së marrëdhënieve nuk pranonin të bënin një projekt për atelie. -Ata kërkojnë 5 milionë rubla, por ne kaq nuk e bëjmë. Le ta ndërtojmë vetë, -më thotë Manush Myftiu. – Ka shumë kërkesa,- tentova t’i shpjegoj, – duhet krijuar ambienti i shurdhët brenda e të përmbushen kushtet akustike të sallës. – Le ta bëjmë vetë!

Të ndërtojmë një garazh më të madh se ai ku po xhironi ju sot, – shtoi më tej dhe pa e zgjatur thirri inxhinierin e ndërtimit të ministrisë. Kështu vijoi puna. Unë mora dimensionet më të mëdha, 18, 32, 8. Ministri i Ndërtimit, Josif Pashko, tha se do të fillonte menjëherë projekti. Isha në pozitë të vështirë, pasi edhe pse kisha studiuar për Akustikë, nuk kisha ndonjë praktikë për ndërtimet. Megjithatë, nisa të shqyrtoja problemet teknike, duke nisur nga izolimi i tavanit dhe mureve.

Vështirësitë lindën prej fillimit, kur inxhinieri më thotë se nuk kishte kapriata për hapësirën që kisha projektuar dhe se ato që ishin, mund të mbanin pesha vetëm me letër katroma. Pavarësisht këmbënguljes sime se aty do viheshin skenat e ndriçimit, prozhektorët etj., u vendos të bëhen prej druri. Mandej bëmë muret e trasha dhe i izoluam nga brenda përmes një shtrese lesh xhami, mbi të cilat vendosëm panele zdrukthi që të pengonin jehonën e zërit. Kështu u sajua atelieja, ku u xhiruan shumica e filmave.

Po për specializimin e stafit, çfarë masash u morën?

Ne dërguam në Gjermani dy veta për grimin, kishim Petraq Lubonjën të kthyer nga Moska që bënte titujt, truket. Dërguam në Çekosllovaki formulonjës muzike, si Ismail Balla, që më vonë u bë një nga më të mirët, duke ngritur edhe formacionin muzikor të televizionit. Ishte dërguar për specializim Namik Prizëreni, që u bë një nga piktorët më të mirë të ish- Kinostudios për filmin artistik. Saim Kokona për operator, Piro Milkani po ashtu.

Në Bashkimin Sovjetik po përgatiteshin Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti si regjisorë dhe Todi Bozo si ekonomist. Marianthi Xhako po përgatitej si regjisore për filmin dokumentar, ndërsa Grigor Ikonomi si skenograf për filmin. Rreth vitit 1961, ata erdhën të shkolluar dhe ishin të fundit që u arsimuan jashtë, se më vonë do të ishte e ndaluar. Mandej, unë shkova në Gjermani për të marrë një laborator të ri, kështu u pasuruam edhe nga ana teknike. Morëm gjithashtu një aparaturë të re për zërin dhe kamera airflex për xhirimet sinkron.

Nisi kështu karvani i filmave të shumëdiskutuar…

Nisi prodhimi i filmave. Pas “Debatikut” u realizua “Detyrë e posaçme” e me radhë të tjerët. Deri në vitin 1970 u bënë rreth 40 filma. Ishte e vështirë për të gjithë ne, se na mungonte përvoja. Ndryshe nga vendet e tjera, e nisëm nga hiçi. Nga ana tjetër, izolimi nga bota po bëhej dita-ditës më i fortë. Ndihej shtrëngesa në letërsi, filma e fusha të tjera.

Megjithatë, pasioni, sakrificat bënë që t’ia dilnim mbanë. U realizuan filma të bukur. Mjafton të përmend “Duelin e heshtur” të Anagnostit, në të interpretojnë emra si Rikard Ljarja, Ndrek Luca, Reshat Arbana, Bujar Kapexhiu etj. Edhe sot kur e shikon, ai film arrin të të mbajë në tension. Personalitete si Anagnosti, Gjika, Milkani etj., jo vetëm që bënë kinemanë shqiptare, por ishin më vonë edhe shkollë për brezat që do vinin./Anila Dedaj-panorama.com.al