Prekëse: Gruaja shqiptare që ndërroi jetë pa njeri afër vetes… fëmijët e kishin braktisur

elona caslli
Elona Caslli

Nga Elona Caslli

– Si je grua?
– Kam ftohtë. Kam shumë ftohtë.
– Me kë jeton grua?
– Jetoj vetëm.
– A ke fëmijë grua?
– Kisha fëmijë.
– Pse thua kisha grua?
– Se nuk ua kam dëgjuar zërin prej kohësh e nuk i kam prej vitesh.
– Me se jeton grua?
– Marr një pension sa për të mbajtur frymën gjallë dhe kohë më parë kur zemra nuk kishte filluar të më kafshonte shëndetin, mblidhja kanaçe për të paguar dritat.
– Pse je në errësirë grua?
– Erdhën 3 burra dhe m’i prenë dritat. Nuk kisha t’i paguaja.
– Ç’është ky qen grua?
– Ky qen është vëllai im; është djali im; është bija ime; është fqinji im. Ky qen është Njeriu më i bukur që kam njohur në jetë.

U takuam një ditë te kazani i plehrave. Unë kërkoja kanaçe ndërsa ai vërtitej rrotull. Kisha në xhep një salçiçe që e kisha blerë bashkë me pak bukë për mëngjes. Ia dhashë. Që atëherë nuk u ndamë më. Ai më shoqëronte çdo ditë teksa mblidhja kanaçe dhe kur ktheheshim në kasolle, haja bukën bashkë me të. Fle në këmbët e mia çdo natë.
– Si e ke quajtur qenin grua?!
– Njeri ia kam vënë emrin.
– Pse heshte papritur grua?
– Kam ftohtë. Kam shumë ftohtë. Zemra më ther si mos më keq dhe nuk i ndiej këmbët.

Post Scriptum- Një grua me një pension prej 7000 lekësh u gjend e vdekur brenda një banese të rrënuar, pasi i ishte ndërprerë energjia elektrike prej kohësh se nuk kishte ta paguante. Në këmbët e saj u gjend një qen që i dha një leksion çdo njeriu që aksidentalisht quhet “Njeri”.

P.S.: Shkrim i shkruar muaj më parë

ObserverKult

Lexo edhe:

ELONA CASLLI: KU ISHE TI ZOT, KUR MA COPËTUAN TË VOGLËN TIME?!

Është ajo dhimbja që ta çan kraharorin dhe zgjat duart në brendësinë tënde dhe ta shkul zemrën si dhëmballë.
Kriset qielli dhe thërrmohet në duart e tua. Ti ngre sytë lart dhe sheh që nuk ka më qiell. Edhe dielli është zhdukur. Hëna nuk del më.
Kërkon Zotin në zërin tënd. E pyet e i thua – Ku ishe ti Zot kur ma copëtuan të voglën time?!
Faqet e tua kthehen në pellgje uji e sytë e tu në zgavra pagjumësie pêr muaj e vite të tëra. Për një çast dremitesh e në ëndërr të shfaqet e vogla jote. “Mamë, ku je,?!
Ngatërron ëndrrën me jetën e ngrihesh menjëherë. Shkon në dhomën e së voglës dhe fillon t’u marrësh erë rrobave të saj.
E kërkon kudo dhe nuk e gjen askund.
E ndien kudo, por nuk e prek askund.
Hera herës të duket sikur nuk është e vërtetë, se kjo histori nuk është historia jote. Të duket se dikush ka ngatërruar historinë e rrugëtimit tënd me historinë e dikujt tjeter.
Janë bërë lëmsh historitë e dikush të ka dorëzuar historinë e gabuar e ti nuk mund ta jetosh këtë histori se ka shumë dhimbje brenda.
Zihesh me dhimbjen tënde. E dëbon, por ajo rikthehet më e fortë. Sfilitesh e në fund kupton se ajo dhimbje do të jetë gjithmonë aty. Ajo do të të shoqërojë derisa qepallat e syve të tu të mbyllen përjetë.