Pse u shndërruan në gur dy vëllezërit që u dashuruan në zanën e bukur…

Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë, Tomorin dhe Shpiragun.

Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda dhe shpesh në të vërtetë, të dy vëllezërit ranë në dashuri me zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomori, duke patur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve, ndërsa ky i fundit, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundëtë më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zemërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mënxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur dhe i dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasa të panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e coptuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mënxyre, Zana e bukur hirëplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zëmërimit të Zotit, ndaj Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore, mbi të cilën një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë dhe u ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit. E në mes të qytetit kalon lumi Osum që u krijua nga lotët e Zanës.

ObserverKult

LEXO EDHE: Historia e kishës që u mbrojt nga myslimanët dhe legjenda e Bukuroshes së Strumit