“Pusi që lahet vetë” në Elbasan, historiku dhe misteri që mbart

Duke shëtitur nëpër histori, pak vite më parë se të fillonte të ndërtohej e të merrte jetë qyteti i Elbasanit, vënia dorë e pushtuesit turk do të sillte formësimin e një qytetërimi të mirëfilltë, dhe lindjen e atij që sot është në listën e monumenteve të kulturës dhe që mbart një histori specifike e plot mister, “Pusi që lahet vetë”.

Pikërisht në vitin 1460, dy vëllezër turq bashkë me një kryepunëtor arab, ndërtuan një xhami në qytetin e Elbasanit. Ata panë si të nevojshëm sigurimin e ujit që do t’i shërbente xhamisë, dhe shume pranë saj ata vendosën hapjen e një pusi.

Vite më vonë, më 1466, kur Sulltan Mehmeti II dështoi në rrethimin e dytë të Krujës, vendosi që në rrënojat e kështjellës së vjetër të Valmit, të ngrejë kalanë e sotme të qytetit.

Në hyrje të saj, mbi një pllakë, sulltani shkroi në turqisht: “Eli-Basan, es Sulltan, Ibni Sulltan, Fahti Sultan, Mehmet Han-i Han.” (Vura dorë, unë sulltan bir sulltani, sulltan triumfues, Mehmet, mbret i mbretërish) dhe kështu qyteti mori emrin Elbasan.

Si të thuash, xhamia që u ndërtua më 1460 ishte dhe objekti pa të cilin nuk do të kishte lindur “Pusi që lahet vetë”. Në oborrin e xhamisë aty pranë pusit, u mboll dhe një rrap që shërbente për të lidhur kafshët, dhe u mbiquajt “Rrapi i Xhamisë”.

Xhamia e ndërtuar nga vëllezërit turq, Dylgjeri e Hasani, frekuentohej nga të gjithë besimtarët e zonës. Uji i pusit tepër i domosdoshëm, veç të tjerash, shërbente për t’u larë besimtarët në faljen e namazit.

Pusi u ndërtua me mjeshtërinë e kryepunëtorit arab e vullnetin e vëllezërve turq, të cilët përdorën gurët afër përroit të Zaranikës. Në përfundim të punimeve, për t’u ecur mbarë ata hodhën në pus tri vegla, thuhet se prej ari, një çekiç, një sqepar dhe një mistri.

Në ditët e sotme, jo shumë larg prej qendrës së qytetit, ndodhet lagjja “Pusi që lahet vetë”. Duke shkuar për atje, tabelat e vendosura në lartësi të mureve të rrugicave me mbishkrimin “Pusi që lahet vetë”, të drejtojnë në vendin për të cilin është thurur legjenda.

Objekti i kultit është ende atje dhe anës tij janë të ulur në karrige e stola, burrat më të vjetër të lagjes. Këta të moshuar qëndrojnë aty të rehatuar duke shijuar freskinë dhe hijen e rrapit që ndodhet pak më tutje. Pamja që ka tani duket e restauruar, ose e bërë nga fillimi.

Afrohem aty e porsa pyes për pusin, të moshuarit fillojnë të tregojnë historinë e misterin që mbart ky pus, dhe duket se këta i pëlqejnë njerëzit që merren me histori. Ibrahim Bitozi, banor i vjetër i lagjes dhe i zoti i shtëpisë ngjitur me pusin, fillon e tregon vitet që nga hapja e tij. Ky është sheshi përpara pusit ku ka qenë ngritur xhamia.

Ajo u shkatërrua në kohën e komunizmit si shumë objekte të tjera fetare. Të gjithë ata burra aty pranë tregojnë se si për gjithë ata vite, ky pus qëndroi i mbyllur. U mbyll nga sistemi i asaj kohe sepse ndodhej afër xhamisë, e si preteks thuhej: “Ju kemi sjellë ujin në shtëpi, nuk na duhet më uji i pusit të turkut”. Ibrahimi, që sot i ka kaluar të tetëdhjetat, na tregon: Që prej gushtit të 2007-es, unë dhe djemtë e mi vendosëm të rihapim pusin.

Vendosëm rihapjen, sepse ky pus është ndër objektet me vlerë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, por që asnjëhere nuk u mor një vendim për rihapjen e tij nga ana e autoriteteve.

Familjarisht, vendosëm rihapjen sepse është një objekt me histori të veçantë, por përpos edhe detyrës që ndjej si një banor i vjetër i Elbasanit, mbaja dhe amanetin e zonjës time (Donikës), që para se të vdiste gjithmonë shprehte dëshirën e saj, që dikur pusi të rihapej përsëri.

Ibrahimi tregon se bashkë me djemtë e tij, ai u sigurua dhe mori ustallarët e njohur te zonës së Godoleshit. Punimet nisen në fillim të muajit gusht të 2007-ës, ku u deshën vetëm disa ditë gërmime që uji të dilte përsëri.

Sa e sa inerte dhe mbeturina ishin hedhur në atë pus, por që as ato e as sistemi i asaj kohe nuk mundën të ndalonin që historia të tregohej, dhe uji të dilte përseri në fund të pesëmbëdhjetë metrave thellësi. Në gërmime e sipër, përveçse masivit të dheut e të papastërtive që e kishin mbuluar për vite me rradhë, në atë pus u gjetën dhe sende të ndryshme, si tepsi prej bakri, monedha të vjetra, e objekte të ndryshme të kohëve me parë. Veglat, që ustallaret thuhej se kishin hedhur ose fshehur, që në hapjen e pusit, nuk u gjendën kurrë.

Pusi tani është fare ngjitur me murin jashtë shtëpisë së Ibrahimit, dhe vizitohet lirisht nga gjithkush, edhe pse tashmë ai qëndron i mbyllur me kapak. Ibrahimi e banorët vendosën për ta ruajtur nga çdokush i papërgjegjshëm që mund të hedhë diçka brenda pusit, por edhe sepse rrezikohen fëmijet nëse ai do të qëndronte gjithnjë hapur.

I ndërtuar mjeshtërisht me gurë të gdhendur e të vendosur në formë ovale njëri mbi tjetrin, pusi duket se do të jetë aty në përjetësi. Ai tashmë është përfshirë dhe ruhet bashkë me rrapin aty pranë nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.

Besnik Narazani, një tjetër i moshuar tregon rreth legjendës dhe misterit që ka “Pusi që lahet vetë”. Është quajtur kështu sepse herë pas here uji shtohej aq shumë sa dhe dilte mbi sipërfaqe e lante zonën përreth, duke vërshuar me pas në rrugët e lagjes. Këtë dukuri të çuditshme, banorët e shpjegojnë në forma të ndryshme. Ata pohojnë se ndodhte çdo hënë të re, gati çdo dy javë, të tjerë e lidhin me shtimin e sasisë së prurjeve të burimit nëntokësor, e disa thjesht besonin në mrekullinë e Zotit.

Kjo ndodhte gjithmonë natën, askush nuk dinte se kur dukuria do të përsëritej. Uji i pusit i shërbente të gjithë mëhallës dhe ishte aq i përdorshëm për të gjithë, sa që shihej si burim jetik për komunitetin e asaj zone.

Tre metra më tej nga pusi ndodhet rrapi, dhe ngjitur me të një objekt i vogël ku brenda tij dallohen qirinjtë e ndezur të lënë aty nga njerëzit, bashkë me lutjet e tyre. Ky vend sot quhet “vendi i mirë”, dhe është ndërtuar për të kujtuar xhaminë e vjetër, rrënojat e të cilës ndodhen poshtë shtresës së hollë të sheshit të asfaltuar.

Rrapi aty pranë, jo më ai i moçmi, por që Besniku tregon se vëllai tij Kujtimi, në kohën që rrapi i vjetër u tha, mbolli aty asokohe vetëm një filiz të trashë sa krahu e të gjate pak më shumë se një metër. Ai e rimbolli për të mos lënë të paplotësuar “pusin që lahet vetë”, që historia ta tregojë atë gjithmonë me rrapin.

Tani këtu është një rrap dhjetra vjeçar, që bën hije të gjërë dhe degët e tij arrijnë deri mbi oborret e këtyre shtëpive anës tij.

Banorët tregojnë se kjo lagje u emërtua si lagjja “Hasan Dylgjer”, në emër të vëllezërve turq që ndërtuan xhaminë dhe që hapën pusin. Por ajo asnjëherë nuk u njoh e as u thirr në atë emër, por në atë çka njerëzit shihnin çdo mëngjes. Ujin që dergjej rreth e qark pusit, duke larë e pastruar vendin nga papastërtitë e rrugës dhe kështu u thirr gjithmonë …”Pusi që lahet vetë”.

Banorët ende i kujtojnë e i këndojnë fjalët e melodinë që thuri me mjeshtërinë e violinës mbreti i këngës Elbasanase, Usta Isuf Myzyri. E jo vetem, por edhe këngëtarët e njohur Elbasanas, vëllezërit Zena kanë ngritur këngë për të. “Është një pus në Elbasan… “, keshtu nisin dhe vargjet e poezise qe i ka thurur shkrimtari Elbasanas Përparim Hysi.
Është një pus në Elbasan, është një “Pus që lahet vetë!”
Për të këngë kanë thurur këngëtarët, me të vërtetë.
Kështu bëri Mbreti i këngës aliaz Isuf Myzyri Se ç’mistere fsheh ky pus?
Lahet vet, ke parë “qafiri?!”
Mu aty tek ky pus, këngëtari priste vashën
I këndoi me violinë;
kënga ikte zinte Pjacën
E këndohej gojë më gojë, në të gjithë Shqipërinë
Mu tek pusi,
Mbreti i këngës, luante-qante me violinë.

Të moshuarit vazhdojnë e tregojnë ndodhi që lidhen me pusin, por dikush na thërret! Ishte Agimi, vëllai tjetër i familjes Narazani, që prej portës së tij na flet të shtyhemi pak më tutje. Lëvizim më tej, ai fillon e hedh ujë për të shuar të nxehtin në asfaltin e sheshit të kësaj pasdite vere.

Bashkë me ujin edhe era aq e lehtë, që me zor lëviz gjethet e rrapit duket sikur e freskojnë vendin përqark. U duk sikur historia po përsëritej, por jo më si pasojë e dukurisë që uji dilte e lante mëhallën, por nga dora e banorëve që kërkojnë të shuajnë vapën e një qyteti me verë kaq të nxehtë sa Elbasani./Bleona Metushi-shekulli.com.al

———————

Lexo edhe:

Legjenda: Mbretëresha Teutë u hodh nga shkëmbi për të mos u dorëzuar!

ObserverKult