
Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Lindita Ahmeti.
Cila është ideja juaj për lumturinë e përkryer?
Mbase është e parealizueshme. Megjithatë njeriu vazhdimisht është në kërkim të lumturisë. Dhe, kjo është e bukura e saj.
Cila është frika juaj më e madhe?
Mungesa e sfidës. Humbja e tokës nën këmbë. Rënia në apati.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
Tim atë.
Cili është personaliteti historik me të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Jeronim De Rada.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
Të lëshuarit pe edhe atëherë kur nuk duhet.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Papërgjegjësia dhe gënjeshtra.
Në cilat gjëra e teproni?
Në mospajtime.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjeni?
Vetëm në rast se ndonjë gënjeshtër shpëton jetë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi nëpër lashtësi.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
Sa mirë.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Që mbeta në Shkup.
Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
Letërsia në përgjithësi dhe letërsia antike në veçanti.
Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
Melankolia.
Nëse do të kishit mundësinë ta ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Të mos kem fobi.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Mosheqja dorë nga ëndrra.
Nëse do të mund ta kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Do ta kisha pranë gjyshin tim nga ana e nënës, i cili u largua herët nga ne.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Bar tambli (lule rradhiqe; lat. taraxacum).
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Biblioteka ime.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Injorancën.
Ku do të dëshironit të jetonit?
Në Athinë, në shekullin e pestë para erës së re.
Konsideroj se jam në gjendje që njerëzve t’ua lexoj edhe mendimet!
Jo gjithmonë.
Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
Guximin dhe urtinë.
Çfarë vlerësoni tek një femër?
Fisnikërinë.
Cili është shkrimtari juaj i preferuar?
Robert Grejvsi.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
Prindërit e mi.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
Vallëzimin.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Si Çehovi. Me një gotë vere në dorë.
Cila është motoja juaj?
Nulla dies sine linea. (Asnjë ditë pa një rresht)./Gazeta Observer