Qesha, ma taní po mejtohem dhe them: Pse të dua?

Mid'hat Frashëri

Nga: Midhat Frashëri

Më pyete pse të dua, dhe unë qesha.
Qesha, ma taní po mejtohem dhe them: Pse të dua?

Të dua për atë të qeshur të bukurë kur çkëlqen syr’ i kthielltë nën ballë të qëruar: të dua për ató leshra ku është pshjellë gjith’ thellësi e natësë, dhe për atë vështrim ku këndohet gjithë gaz’ i ditës, për atë vështrim q’është si një yll i lumturisë: të dua, se kur flet, ay zë më zgjon në zëmrët  t’ime gjithë zëret e pshehtë të shpirtit: të dua se pranë teje e ndjej veten t’ime të math dhe të fortë, sa në dashurit tënde shoh zbardhëllimin e jetës.

Po të dua se, tekdo, në gëzim të fatbardhësisë, a në t’errët të helmit se në qeshje të mëngjezit, në tym të të mukëtit, se në gjyrë të lules a në përkëdhelje të veriut, tekdo, o e dashura ime, ty të gjej dhe ty të shoh: të dua se dhe kur zbres në thellësí të shpirtit dhe në funt të zëmrësë, edhe atje thellë ty të gjej!

ObserverKult

——————-

LEXO EDHE:

MIDHAT FRASHËRI: FOLMË, DUA TË DËGJOJ ZË NJERIU…

Po e sheh? Drita venitet, mjegulla trashet. Një hi, një nap’e zezë po mbulon shtëpinë, po më hyn brenda n’odët.

E sheh, mik, këta të mugët të përziçmë? Ky më mbush shpirtin me angusë, më ep dëshirë të qaj dhe të këlthas.

Ah, këta t’errët! Më duket sikur është hapur varr’ i shekëllavet dhe po del jashtë gjithë zi e jetës, një zi e jetës, një zi që vjen nga funt’ i dheut, ku janë mbledhur gjitë të vuarat, gjithë të qarat e një jete së gjatë.

Ky hi, ky tym më hyn në shpirtit, më duket sikur humba gjithë shpresat, gjithë gazet. Drita, duke ikur u fryn dhe i shoi, na la në kët’ errësirë.

Po e sheh? Tani më s’duket fare gjësendi! A jemi në varr, apo mbi dhet? A jemi një i gjallë në mes të vdekurvet, apo një i vdekur në mes të gjallëvet?
Folmë, mik, se dua të dëgjoj zë njeriu, dua ta ndjej veten të gjallë; folmë, a do të mbajë shumë ky zi? Kjo natë a ka të sosur, apo jemi në atë natë pa mëngjes?

10 vjesht’ e II

*Titulli i origjinalit: Po e sheh? Drita venitet