Recension: Romani “Ëndërr” nga Arthur Schnitzler

“Ëndërr” është roman i fillim shekullit të kaluar. Është roman unik jo vetëm për atë se çfarë trajton, por edhe për formën se si e trajton.

Nga Ardit Mehmetaj

A ka në çdo martesë dashuri? A janë fantazitë seksuale me të tjerë tradhti bashkëshortore? Nëse po, a ka martesë të pastërt? Nëse nuk ka, a duhet mbajtur martesa me partnerin vetëm për hir të fëmijës? Këto janë vetëm disa nga pyetjet që shtrohen në roman. Shtrimi i pyetjeve në roman është më i rëndësishëm se sa përgjigjet që mund t’i marrin këto pyetje. Romani trajton jetën bashkëshortore të një çifti që kanë autoritet në shoqëri e gjendje të mirë financiare. Ata kanë një fëmijë, janë të rinj në moshë, pra ata nuk kanë as edhe një arsye të vetme konkrete që të mos jenë të lumtur dhe të tillë duken nga jashtë. Ata janë të lumtur në sytë e të tjerëve, por kanë dyshime të brendshme për njëri – tjetrin. Gjithçka fillon kur Albertina fillon dhe i tregon burrit të saj, Fridolinit, për fantazitë erotike të saj. Autori e quan Albertinën shpirtmirë, të sinqertë, të paduruar, por të ndershme pasi ajo fillon t’i thotë të fshehtat e saj, ato të cilat nuk i di askush përveç saj. Në çdo çift ka të tilla fantazi erotike, madje partnerët edhe nëse nuk duan, herë pas here instiktivisht mendja shkon vetvetiu në të tilla fantazi. Por, a duhet t’i tregojmë partnerit për to? Nëse tregohemi të sinqertë dhe i tregojmë, do ta lëndojmë atë. Nëse e fshehim dhe nuk i tregojmë, atëherë brenda martesës ka sekrete. Cila është më e arsyeshmja? Albertina zgjedh që t’i tregojë Fridolinit. Ajo i thotë se kur ishim në plazhin danez për pushime e pashë një djalosh të ri, aq shumë më pëlqeu sa që po të më kishte thirrur, do të ikja mënjëherë më të. Ajo i thotë “Mendoja se isha gati për gjithçka: të hiqja dorë nga ty, nga vajza, nga e ardhmja ime, krejt e vendosur…”. Fridolini krejt i qetë i tregon edhe ai për një vajzë që e kishte takuar e që mbase nuk i kishte as pesëmbëdhjetë vjeç. Në kohën kur është shkruar romani, tema të tilla ishin tabu e reagimet si të Fridolinit as nuk mund të mendoheshin. Me gjithë qetësinë e jashtme që e paraqet Fridolini, ai trazohet përbrenda. Mjeku Fridolin viziton pacientët e tij, kalon kah rrugët e Vjenës, shkon me një prostitutë, por ndalon. Ndërsa krejt në fund përfundon në një ballo të çuditshme më maska. Ballo në të cilën ai shkon i paftuar e për shpëtimin e tij sakrifikohet një vajzë e re. Fridolini gjithmonë kërkon fytyrën e gruas së tij në vajzat e tjera. Ai në fillim kur tregon për vajzën pesëmbëdhjetë vjeçare, i thotë Albertinës “në çdo krijesë që unë mendoja se e dashuroja, të kam kërkuar vetëm ty”, këtë e thotë edhe rrëfimtari që në këtë rast është vetë autori. Ai thotë për Fridolinin se “të vetëvrarën, fytyrën e së cilës nuk e njihte, ai e kishte përfytyruar me tiparet e Albertinës”, pra atë vajzën e ballos që fytyrën e kishte të mbuluar me maskë, gjatë gjithë kohës së kërkimit, Fridolini e kishte përfytyruar si gruan e tij. Kështu, nëse është tradhti përfytyrimi i një të huaji kur e ke përballë partnerin, a është tradhti nëse gjatë marrëdhënies me një të huaj e përfytyron gruan tënde?

Albertina është grua e sinqertë që rrëfimin për fantazitë e saj e sheh si çlirim. Kurse, Fridolini nuk i tregon tërësisht të fshehtat e tij, ngurron t’i tregojë qofshin ato edhe vetëm fantazi. Rrëfimin e Albertinës ai e dëgjon me xhelozi dhe në vetvete këtë e sheh akt tradhtie. Rrëfimi i fantazive të tyre erotike asocon me çiftin e famshëm francez, ekzistencialistin Zhan Pol Sartri dhe aktivisten feministe Simon de Bovuar. Ata përveç që i tregonin njëri – tjetrit për fantazitë e tyre erotike, ata kishin bërë edhe një marrëveshje mes vete për të pasur flirte dhe marrëdhënie edhe me të tjerë me kushtin që do të tregoheshin të sinqertë me njëri – tjetrin për marrëdhëniet e tyre me të huaj. Madje, ka raste kur Bovuari i dërgon letra Sartrit dhe i tregon se si ka bërë seks me shokun e tij të ngushtë. Pra, pak a shumë romani qëndron në tehun e kësaj se a të qëndrojmë si martesat tradicionale që partnerët kanë fantazi seksuale për të tjerë por nuk veprojnë apo të kalojnë në vepra si rasti i Sartrit me Bovuarin.

Festa me maska në ballon e çuditshme është një pikë e rëndësishme e romanit. Aty secili njeri është maskë. Sipas Oscar Wilde njeriu vetëm kur ka maska e thotë të vërtetën. Edhe në këtë ballo njeriu është me maskë për ta treguar fytyrën e vërtetë, kurse kur ai është pa maskë mbulon fytyrën e tij të vërtetë. Kjo është pasi si njerëz “nuk duam të na shkojë fytyra”, ne duam të dukemi si ata që duam të jemi e jo si ata që në realitet jemi. Maska na çliron dhe na bën të sillemi si ata që jemi. Heqja e maskës na bën që të sillemi si ata që duam të jemi. Maska në roman është vetë fshehtësia dhe mbajtja sekret e fantazive erotike, kurse sinqeriteti dhe shpërfaqja e këtyre fantazive është heqje e maskës. Mbajtja e maskave është ëndërr, heqja e maskave është zgjim.

Romani “Ëndërr” nuk e mban këtë titull vetëm se Albertina sheh një ëndërr duke e tradhtuar burrin, as për faktin se festa me maska Fridolinit i duket si ëndërr. Këtë titull e mban për shkak se gjendja kur çifti kishin fshehtësi mes vete ishte ëndërr. Tradhtia nëpërmjet fantazisë s’është realitet, është ëndërr. Por edhe si ëndërr e kishte vendosur lidhjen e tyre të dashurisë në gjumë e vetëm duke i treguar njëri – tjetrit ata zgjohen nga ajo gjendje. Pra, dashuria zgjohet nga gjumi i thellë i dyshimit e për këtë bëhet shkak sinqeriteti i cili e ringjallë atë.

Biografia e autorit është mjaft e pranishme në roman. Arthur Schnitzler ishte vetë mjek dhe të tillë e bënë edhe protagonistin e romanit të tij, Fridolinin. Ai ka lindur dhe jetuar në Vjenë të Austrisë dhe këtu edhe e zhvillon ngjarjen e romanit të tij. Gjithashtu njohja e tij me Zigmund Frojdin dhe njohja e tij e mirë e teorisë frojdiane për seksin, ëndrrat e turpin kanë bërë që ta ndërtojë këtë roman të thellë psikologjik, i cili futet deri në shpirtin e çiftit bashkëshortor për të shpërfaqur një problem që mund ta kenë thuajse të gjitha çiftet. Pra, kjo është arsyeja që ky roman është unik./ ObserverKult