Recension: Tragjedia “Medea” nga Euripidi

Subjekti i tragjedisë është i shkurtër. Është tradhtia që njëri bashkëshort e vepron, ndërsa tjetri bashkëshort e dëshiron hakmarrjen si kundërveprim.

Nga: Ardit Mehmetaj

A është dëshira për hakmarrje më e fuqishme se çdo gjë tjetër? Madje edhe më e fuqishme se fëmijët? Kjo është pyetja e madhe që shtrohet në tragjedinë “Medea”. E, Medea përgjigjet “po, hakmarrja është mbi të gjitha”. Këtë përgjigje ajo nuk e jep me fjalë, por me veprime pasi ajo i përdorë djemtë e saj si mjetin kryesor të hakmarrjes. Vret fëmijët vetëm që ta lendojë ish – bashkëshortin.

Subjekti i tragjedisë është i shkurtër. Është tradhtia që njëri bashkëshort e vepron, ndërsa tjetri bashkëshort e dëshiron hakmarrjen si kundërveprim. Është Jasoni ai i cili e braktis gruan dhe fëmijët e tij për t’u martuar me Kreuzën, që ishte vajza e mbretit Kreont. Ai e tradhton gruan e tij Medean, e cila më herët e kishte vrarë vëllain e saj për të. Jasoni përgatitet për martesë me Kreuzën, por ndjehet i pasigurtë me praninë e Medeas ende në atë qytet. Për këtë arsye mbreti i Korintit kërkon nga Medea që të largohet nga qyteti. Medea përdorë mendjen përballë pavendosshmërisë së mbretit. I thotë se dua të qëndrojë edhe një natë dhe mbreti pranon. Këtë natë Medea e shfrytëzon për hakmarrje. Ajo ia bënë dhuratë Kreuzës një fustan të helmosur, të cilin e prekë edhe mbreti e pastaj vdesin të dy. Por, hakmarrja e saj nuk është vetëm kaq. Ajo paraprakisht kishte bërë lutje e mallkime nga më të rëndat drejtuar Jasonit, pastaj vret Kreuzën dhe Kreontin, pastaj për ta rënduar hakmarrjen vret fëmijët e saj që i kishte me Jasonin, i varrosë ata fshehurazi dhe nuk ia tregon varret e tyre Jasonit e krejt në fund largohet nga qyteti për t’u martuar me dikë tjetër dhe e lë Jasonin të vetmuar në vuajtje. Këtë edhe e paralajmëron teksti pasi në të thuhet se dashuria e tepërt është marrëzi që çon në tragjedi. Edhe Medea nga dashuria e tepërt verbohet dhe nuk ka qëllim tjetër përveç hakmarrjes, e kur hakmarrja bëhet qëllimi kryesor dhe i vetëm në jetë atëherë çdo gjë mund të bëhet mjet për qëllimin, madje edhe vrasja e më të afërmëve.

Tragjedia përveç hakmarrjes si temë qëndrore, trajton edhe pozitën e gruas në shoqërinë e kohës. Kështu, Medea bëhet feministja e parë pasi përveç se e merr në duar fatin e saj dhe lufton për të vendosur vetë për jetën e saj, ajo edhe në shumë vende brenda tragjedisë e shpërfaq direkt ose indirekt pozitën e vështirë të gruas në shoqërinë greke.

“Mendimi për gruan
ka për të ndryshuar
femra do mbulohet
me lavdi të madhe
nderi pas kësaj
do ta shoqërojë
s’do t’i mbetet më
ndonjë nam i keq”
(Kori, Akti II, skena III)

Pra, në tragjedi parashikohet se vendi i gruas në shoqëri do të ndryshojë, ndërsa Medea është vetëm pikënisje e këtij ndryshimi.

Medea është personazh shumëdimensional dhe kompleks. Ajo është hakmarrëse, besnike e rrugës në të cilën është futur, e vendosur që hakmarrjes t’i shkojë deri në fund. Konfuci porosiste të mos hakmerremi, se pas hakmarrjes vjen gjithmonë pendimi, por kjo nuk ndodhë me Medean. Ajo është e papenduar për atë që veproi, madje është krenare për qëllimin e arritur. S’pendohet pasi ajo ishte e vetëdijshme çfarë po bënte. Për të është më mirë të jesh kriminele sesa e shfrytëzuar. Më mirë të jesh vrasëse sesa mbi fatin tënd të mjerë të ngritet kulla e lumturisë së dikujt tjetër. Tiparet e saj, janë tipare të ngjashme me ato të heronjve të epeve homerike, jo në kuptimin e heroit epik, por në kuptimin e mosdorëzimit. Ngjashmëria e saj në luftën për dinjitet është i ngjashëm me personazhin e Antigonës në tragjedinë e Sofokliut, me po këtë titull. Lufta për dinjitet dhe mosdorëzimi deri në arritjen e qëllimit janë dy karakteristikat e përbashkëta të këtyre dy personazheve. Me veprimet e tyre konkrete ato bëhen përfaqësuese të asaj çka veprojnë. Pra, Medea bëhet simbol i hakmarrjes, kurse Antigona simbol i sakrificës.

Vrasja brenda familjes si fenomen nuk shfaqet vetëm në këtë tragjedi nga Euripidi. Tek “Medea” është nëna ajo që i vret bijtë e saj, kurse vrasje brenda familjes ka edhe tek tragjedia tjetër e tij “Elektra”, veçse atje është e kundërta pasi atje djali e vret nënën e tij. Karakteristikë e përbashkët e këtyre dy tragjedive, por edhe e çdo vepre të Euripidit është paraqitja e botës së brendshme të personazheve të tij. Ai shpërfaq shpirtëroren, shpërfaq ndjenjën e personazheve duke u futur thellë në psikologjinë e tyre. Ky tipar i krijimtarisë së Euripidit dhjetra shekuj më vonë bëhet tipari kryesor i epokës së Romantizmit. Për dallim nga Medea që s’është e penduar për atë çfarë ka bërë, Klitemnestra kalon fazë të keqe dhe ndjen pendesë për atë që ka vepruar.

Kështu, kjo tragjedi e Euripidit bëhet vepra e parë me ku shfaqet psikologjiia e thellë e personazheve, ku dëshira për hakmarrje mposht çdo gjë përreth. Në këtë vepër gjithashtu shfaqen edhe tentimet e para të gruas për ta marrë në dorë jetën e saj dhe për veten të vendosë vetë ajo. Personazhi grua i Euripidit bëhet personazh kryengritës që nuk lejon të nepërkëmbët. Bëhet grua që e pranon vdekjen para shkeljes së dinjitetit të saj./ObserverKult