Rrahman Dedaj: Flejmë të qetë në dashurinë tonë…

Flejmë nganjëherë të qetë në dashurinë tonë
Si deti kur i vë në gjum’ anijet
E thurim edhe të 1002-tën përrallë për kaltërinë
Rritemi si plepa të bardhë kah tempujt
Në degë i presim pëllumbat e blertë
Atëherë piramidet e dritës
Marrin trajtën e qenies sonë
Dhe këngës së hirit
Që i kemi falur nga një pjesë të trupit
Një pjesë të kohës së shndërruar në hieroglife
Dhe çudi mu në këtë çast
Kumbonaret e kohës tunden
Në detin e qenies sonë shpirtrat lëkunden
Deri në meridianet e fundit

SA SHPEJTË HARROJMË BALADËN E KUKZAVE
E FLASIM ME GJUHËN E KUKLLAVE

*Titulli i origjinalit: Nganjëherë

ObserverKult