Rrëfimi i Irini Qiriakos për miken Zenepe Luka: Më kanë shteruar lotët, më tha kur të vdes çfarë do të më këndosh…

Zenepe Luka Çekrezi humbi jetën, pas disa ditëve betejë me koronavirusin në një nga spitalet Covid. Miq e të afërm kujtojnë gazetaren.

“Është një dhimbje shumë e madhe. Humba një mike të shtrenjtë, nuk kam për ta gjetur më. Më janë shteruar lotët. E kishim presidente të shoqatës ‘Nermin Vlora Falasci’. Grua heroike, sypatrembur, e kisha mikeshën më të afërt. Një ditë kur ishim në varrezat e Selcës, nga ku ajo ka origjinën më tha po kur të vdes unë, çfarë do të më këndosh…”, rrëfen Irini për “Shqipëria live” në Top Channel.

Këngëtarja tregon kontaktin e fundit me të. “Kam folur kur ishte sëmurë, më tha jam shumë e sëmurë, ky Covid sikur po më merr frymën, nuk fola më. Një pikëllim i madh. Ky Covid e mposhti miken tonë të shtrenjtë”.

Arben Malaj kujton përkushtimin e Zenepe Lukës në gazetari dhe në shoqatën që drejtonte. “E kam njohur që në vitet ’90 kur jeteoja dhe punoja në Vlorë. I bënte aktivitetet që organizonte, pavarësisht vështirësive dhe mungesës së ekonomisë. Ka qenë një nga gazetaret kryesore në periudhën më të vështirë që kemi kaluar. Por, ishte një grua që nuk dorëzohej lehtë”.

Alfred Peza përmend ngjarjen e vitit 1998, kur në shtëpinë e saj u vendos një sasi tritoli, dhe thotë se është një nga pengjet e saj që nuk u zbardh kurrë si ngjarje, edhe pse i rrezikoi gjithë familjen.

Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa kujton si Zenepe Luka raportoi atë ditë, live nga shtëpia e saj, pasi kishte ndodhur shpërthimi. “Ajo raportoi live nga shtëpia e saj, si gazetare, pavarësisht se ishte shtëpia e saj dhe fëmijët ishin të lënduar. Habiti me gjakftohtësinë e saj në raportim”.

Luka është autore e dhjetëra librave ndërsa shënon shumë vite karrierë si gazetare. Numëron mbi 12 mijë shkrime të botuara që përfshijnë reportazhe, intervista, kronika etj. Është vlerësuar nga Unioni i gazetarëve më çmimin Petro Marko.

Pak kohë më parë bashkëshorti i saj mposhti koronavirusin, por gazetarja nuk ka mundur të fitojë betejën.

Në vitin 1998 asaj iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për ta asgjësuar familjen e saj, ku sipas saj sulmi ndodhi vetëm se ajo raportonte si gazetare atë që ndodhte në realitet.