Rrëfimi i poetes që mposhti kancerin: Gratë e forta munden!

Nga Arjola Zadrima

Rrugës për kthim në autobus ishte një grue e moshueme, prej tipareve dhe ngjyrës së lëkurës e kuptova se ajo trajtohej me kemio terapi.
Mu kujtue Lirija, më të u njoha ndër këto të përmuejshmet , vizitat ciklike në spitalin onkologjik në QSUT. Të dyja u ndeshëm tuj pritë përballë derës të doktoreshës. Kjeshë shtangë tuj e vrojtu, më ishte lidhë gjuha dhe çudia më përcillej prej të gjithë muskujve të ftyrës.
Vetullat nuk i kishte, qerpikët nuk kishte, duert i kishte të verdha, thonjtë e bardhë, buzët e thata, shikimin e lodhun.
E kuptoi që isha tuj e kundru, dhe më hodhi një shikim të zbehtë, disi të akullt.
– Nuk të kanë ra flokët më tha, më një za të hollë gati të nëndheshëm.
Unë nuk mujshe me nxjerr za, u përpoqa, u stërmundova por s’ më duel asnji tingull.
Mohova me krye, si një fëmijë në faj… Mandej e kuptova se nën shallin ngjyrë ulli me një lule me grep të punueme nuk kishte fije flokut.
– As vetullat e qerpikët nuk të paskan ra ?
Prapë u mundova me folë, diçka si një guvë e fortë nuk më lejonte me lshue tinguj , kjoftë edhe pa kuptim.
Mohova me krye, por ula buzën e poshtme dhe i kallxova dhambët tuj u kalbë.
Ajo më pa qeshi gati si mekje pa za.
– Mos e çaj kryt, më tha.
Sërisht tunda kryet, si më i thanë kush po e ka problem.
– Dukesh vajzë e fortë, tha, se të shndrisin sytë.
I qesha, ma në fund. Kuptova që fyti më ishte lirue disi dhe i thashë, – vdekja njaty asht , po shkojmë ma vonë…
Ajo qeshi me shpirt, – uuu po ti qënke nga Shkodra, gati e belbëzoi e gëzueme.
– Po mor Zot e kena të shkrueme në ballë, i thashë e qeshëm të dyja.
Dera e doktoreshës u hap, doli një pacient dhe ishte rradha jeme, hyn ti i thashë .
– Jo, jo, tha si zanun në faj, hyn moj gru se njaty më rrin Shkodra nuk ma merr kush…
Më kapi faqen, – ta kam borxh , tha e hyni.
Ndër mend më sillej ngjyra e saj e verdhë, si çapini.
Mu kujtue vetja para do vitesh në spitalin e Shkodrës, sapo kisha hapë sytë mbas një operacioni të randë. Mu kujtue që në mramje vonë u zgjova e kërkova tem atë. Sa vonoi me ardhë unë shikjoja vedin, kisha gjymtyrët e verdha, nuk po e kuptoja pse.
Im atë mbërriti e më puthte duert, mbas do çastesh e pyta, bab a kam me vdekë se kam lëkurën e verdhë si të vdekunit.
Kuptova që e kisha tronditë se filloi me u lëkundë në gjoks ishte gati me plas vajit.
– Jo mor babë ,tha, mezi e foli.
Me ja heq mendjen i thashë, ndigjo s’ke çka me ba, më mëso edhe nji herë me ecë.
Ai filloi me qeshë , po veç me lot.

Në të dyja ngjanim, unë vdekjes i kisha çue të fala ndërsa Lirija ende endej në luginën e saj.
Tuj blue këto mendime u hap prapë dera, Lirija doli, më tha , faleminderit shkodrane.
– Kurgja, i thashë, na jena njilloj, shtova.
U ndal,më shikjoi e më puthi duert.
– Njoh gra shumë që vuejnë si unë por mendojnë se janë ma mirë. Uli kryt e psherëtiu.
– Mbas do kohësh kena më u ndeshë tek kjo derë bashkë, ti ke me më thanë, Shkodra ja dola, edhe ty të shndritë jeta në sy e dashtun , mos e harro kët’.
Më përqafoi fort dhe iku.
E ndoqa me sy, nëpër koridorin e gjatë, nuk ecte ma e kërrusun.
Gërsita në derë, ishte rradha jeme për vizitë, shkova e lumtun, padyshim edhe Lirija kishte më ja dalë.
Gratë e forta munden!/ ObserverKult