Rrëqethëse: Përmes torturave të tmerrshme, më detyruan të gënjej, akuzova veten dhe 5 të pafajshëm…

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

Letra e ushtarakut të diplomuar në Modena, drejtuar prokurorit Bedri Spahiu, ku zbulohen fakte tronditëse mbi torturat  që përdoreshin nëpër hetuesi dhe se si detyroheshin njerëzit të gënjenin e  të përfshinin në komplote edhe njerëz të tjerë të pafajshëm. Fundi tragjik i ushtarakut që u ekzekutua, pas 2 vitesh hetuesi…

Kjo letër e Kostandin Shanit, njohur ndryshe si Dino Shani, një ushtarak dhe intelektual i spikatur me pesë gjuhë të huaja dhe i shkolluar në Itali, i arrestuar në shtator 1946, në kohën e një vale arrestimesh për çështjen e “Kënetës së Maliqit”, zbulon fakte tronditëse mbi torturat që përdoreshin nëpër hetuesi dhe se si detyroheshin njerëzit të gënjenin e të përfshinin në komplote edhe njerëz të tjerë të pafajshëm.

Pas një vizite në misionin amerikan në Tiranë, ushtaraku Kostandin Shani do të vihej në lupën e Sigurimit të Shtetit. Kjo vizitë do t’i kushtonte atij arresitmin, tortura të paimagjinueshme gjatë dy viteve hetuesi e në fund, edhe jetën.

kujto.al – Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit, e zbardh të plotë këtë letër, që mendohet se është shkruar pas arrestimit të tij. Letra i drejtohet prokurorit të përgjithshëm të asaj kohe, Bedri Spahiu dhe në të, ai i tregon se si nga frika e torturave të tmerrshme, ka fajësuar veten dhe një grup njerëzish të pafajshëm e tashmë nuk di si të dalë nga ky skenar i gatuar në dhomat e hetuesisë.

Ja çfarë i shkruan Dino Shani Spahiut:

Prokurorit të Përgjithshëm të Shtetit

Gjeneral Major Bedri Spahiu

Bedri,

Me anën e kësaj nuk dua të çfajsoi veten ose të kërkoi mëshirë por vetëm të të tregoi të vërtetën e thjeshtë se si qëndron çështja e jeme dhe t’ia lë ndërgjegjes tënde të më besosh ose të kesh pak dyshim se jam i sinqert, reth ç’ka po të thomë.

Në bazë të një akuze të poshtër, e cila nuk ësht veçse një çpifje, të një njeriu si Lary Post (Lazar ?), u arestova dhe u futa në burg. Kur erdhi hetuesia u mundova t’u them sinqerisht se nuk e kisha bërë spiunin e shitur e amerikanve, se nuk e bënja kurrë këtë tradhëti ndaj atdheut dhe Pushtetit, mbasi nuk kisha gjë kundra Pushtetit, pse nuk isha një biri i një krimineli të luftës, ndonjë i tatuar ose i prekur nga reforma agrare, ndonjë i pa-kënaqur ose i ngatruar me ndonjë parti kundërshtare ose keq financiarisht. Por hetuesia, duke u bazuar akuzës të së lart-përmëndurit, nuk deshi të më besojë, sado që lëshova një deklaratë të sinqertë se nuk e kisha bërë informatorin e amerikanve. Hetuesia më kërcënoi se do më torturonin duke përdorur rahjen, lidhje në hekurat, korentin, kleçkat nëpër gishtat, nxjerjen e thonjve po qe se nuk thoshnja të vërtetën. Nga ana tjatër më premtuan se do bashkëpunonja me ‘ta duke marrë informata nga Misioni Amerikan dhe rethet reaksionare, për Pushtetin. Tani nga frika-tmerri i këtyre torturave dhe me shpresë dhe besim të plotë në fjalën që më dhanë kapiten Thomai dhe Toger Avniu se do bashkëpunonja me ‘ta (kështu që porsa të dilnja do vinja drejt tek tyja pë me t’a treguar çështjen e vërtetë, dhe për këtë mund të pyeç Kapiten Muçën të cilit i thash se porsa të dalë do vete të takohem me Bedriun. Ky më pyeti pse dhe nga frika se mos më torturonte reth ç’ka do të të thoshnja (të vërtetën) i thash do vete ta falënderoj, e pash veten të shtrënguar të fajsohem, duke thënë se qesh informator i Misionit Amerikan, se mirnja 1000 franga në muaj. Por më e keqja është se akuzova 5 të tjerë, katër krejt të pa-fajshëm: Fori Vardhami, Misto Vardhami, një farë Xhafer (pemëshitës) dhe një farë Shyqri (djathshitës); kurse i pesti, Stefan Caro pjesërisht i fajshëm d.m.th. ësht e vërtet se ka dashur të aratiset (siç e thoshte vetë) po kurrë nuk ka qenë informatori i jem, nuk i kam dhënë kurrë të holla, dhe se që e kam vënë në lidhje me misionin. Këtë e takova një herë në Janar në Dajti dhe të dytën herë më erdhi në shtëpi në muajin Korrik bashk me Ilia Kotën. Të katër të parët pranuan se ishin informatorët e mijë dhe se mirrnin të holla nga unë, në vijim të të njëjtit premtim që iu bë dhe atyre se do bashkëpunonin me Pushtetin si informatorë dhe mbasi më shpunë mua t’i bindnja se ky premtim ishte i vërtetë. Bedri, të betohem se janë krejt të pa-fajshëm, dhe akuza që u bëra atyre po më ha pak-nga-pak mbasi nuk e kam ndërgjegjen të qetë.

Sa për vete Bedri, mund të jem i fajshëm për simpathin që ndjeva ndaj popullit amerikan, për vajtjen t’ime në Mision (mbasi po pregatisnja një diksioner shqip-inglisht dhe inglisht-shqip), për përkthimin e gazetave të cilin ma kërkuan vet ata në se donja t’a bënja këtë punë, por jo se kam qënë informator i tyre, jo se kam marrë 1000 franga në muaj, mbasi ç’do rrogë që kam marrë ja kam dorzuar gruas, mbasi kështu e kam pas për zakon, prandaj pyete gruan në se i kam dhënë gjë të holla gjat kohës që kam qënë pa punë, prej 1 Kallnori 1945 dhe deri sa hyra të punoi në U.N.R.R.A. më 8 gusht 1945, si dhe në se i kam dërguar ndonjë grosh mbasi u pushova nga U.N.R.R.A. më 8 Prill 1946 dhe deri sa fillova të përkthej gazetat më 1 korrik 1946.

Bedri, besomë se kurrë nuk do t’a bënja një gjë të tillë edhe në se kam patur një simpathi për amerikanët, por një akuzë e poshtër e një personi më detyroi të fajsoi veten duke thënë se i kam dhënë Misionit informata ekonomike, politike dhe ushtarake. Nga frika e torturave e humba veten dhe thash ç’më erdhi në gojë, i tmerruar. Kjo akuzë më ësht bërë prej Lary Post pse nuk pranova të bëhesha informatori i tyre Bedri. Në Prill të 45 vet Lary Post më tha tekstualisht: Do të pendohesh një ditë Dino për mos pranimin e propozimit që të bëri Thoma Stefani”. Thoma Stefani ka tentuar shumë herë të më bindëte, me agjitasion, se informatat ishin në dobi të Shqipnis, por unë kurdoherë i jam përgjigjur se nuk do t’a bënja kurrë një gjë të tillë. Kur hetusia më tha se akuzohesha si informator i Thoma Stefanit me pseudonim (që nuk mbaj mënt), shpresova se do më ballafaqonin me Lary Postin, kështu që do t’a nxirnja të vërtetën në shesh. Por mjerisht hetuesia nuk më ballafaqoi por përdori mënyrën e kërcënimit dhe premtimit duke më detyruar t’a fajsoi veten.

​Mund të kem bërë gabime por jo deri në atë pikë sa të bëhem spiun.

​Bedri besomë se them të vërtetën.

​(firma)

Nuk e kam besuar kurrë Bedri se një ditë do detyrohesha të fajsoj veten për të shpëtuar nga torturat e tmerrshme. Por mjerisht kjo u vërtetua në vijim të një çpifjeje të bërë prej një njeriut pa ndërgjegjshëm. U detyrova të marrë përsipër një njollë (spiun i amerikanve) pa e patur bërë as në interes. Por të siguroi Bedri se një ditë shpejt a vonë, të drejtat e popullit shqiptar do të njihen edhe prej vet amerikanve dhe ddo lidhen marrëdhënie miqësore, mbasi Pushteti ësht i popullit dhe po punon për popullin, dhe atëhere do të dali e drejta në shesh se kush ka qënë spiun, me që vinja haptazi në Mision edhe duke ditur se gjurmohesha, apo të tjerët.

Bedri, këtë të vërtetë hetuesia nuk deshi ta dëgjonte, por ti të paktën si burrë shteti, më beso se ësht e vërtetë. Ësht e vërtetë se kisha simpathi për amerikanët, por kjo u kthye në urrejtje pse më bënë viktim të intrigës së tyre, dhe kur Toger Avniu më dha të firmonja një deklaratë, e firmova me gjith shpirt dhe sinqerisht pse do punonja me gjith fuqit e mija për Pushtetin, mbasi e di veten të ndershëm.

Bedri, po ia lë ndëgjegjes s’ate të më besosh në se thom të vërtetën apo jo. Dita do vijë kur e drejta do dali në shesh.

Dino Shani

Pas kesaj letre, Dino Shani nuk u lirua nga asnjë akuzë.Përkundrazi, ai dhe të gjtihë personat e tjerë që ai përmend nëletër pemëshitësi, djathëshitësi, etj… që edhe ata kishin gënjyer në hetuesi për tu shpëtuar torturave, pas afro dy vitesh hetuesi kishin dalë të gjithë në gjyq.

Dino Shane, i mohoi në gjyq të gjithë akuzat dhe deklaroi se ishte i pafajshëm.

Akuza e gjykimi

Vetëm më 31.3.1948, Prokuroria Ushtarake e Tiranës do të dërgonte në Gjykatën Ushtarake të Garnizonit aktakuzat për të pandehurit shokë të Dino Shanit.

Gjykata Ushtarake e Tiranës, në drejtimin e kapiten I Abdyl Hakiu (kryetar), kapiten II Shaban Rezha dhe aspirant Thanas Hima, duke pasur pranë prokurorin kapiten Petrit Hakanin, filloi gjykimin kundër një grupi që ishin mbajtur gati 2 vjet në hetuesi:1. Dino (Kostandin) Shani, biri i Mihalit dhe Andromaqit, lindur në Stamboll dhe banues në Tiranë, mbaruar shkollën teknike në Tiranë, si dhe Akademinë Ushtarake në Modena, arrestuar më 27.9.1946. Në fillim të procesit tha: Për sa akuzohem nuk janë të vërteta dhe nuk i pranoj. Procesverbalin nuk e pranoj se nuk e kam bërë vetë, po me zor e kam firmosur”. Dino i ka hedhur poshtë akuzat e prokurorisë që e akuzonte “agjent amerikan”, “drejtues spiunësh” etj. “Unë i kam simpatizuar anglo-amerikanët , por jo që të bëhesha spiun i tyre” – pohonte Shani. Ai në fund të nëntorit 1944 ka shkuar në misionin ushtarak amerikan. Më 15 dhjetor 1944 në mision kishte njohur edhe kapiten Tomas Stefanin, të cilit me rastin e krishtlindjeve i ka dërguar një tortë. “Unë e simpatizoja demokracinë amerikane pasi jam rritur me atë frymë” – deklaronte Shani. Çështje të tilla si reforma agrare, tatimet etj. ai nuk i kishte pritur mirë.2. Fori Vardhami, i biri i Golit dhe Poliksenit, 30 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946. Mohonte çdo akuzë duke thënë që “nuk dinte fare nga këto” që dëgjonte.3. Xhafer Lika, i biri i Muharremit dhe Mihanes, vjeç 34, lindur në Tapizë, pemëshitës, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se kishte nënshkruar procesverbale të hetuesisë, por as që dinte çfarë ishte shkruar aty.4. Shyqyri Kodra, i biri i Aliut dhe Emines, 28 vjeç, lindur e banues në Tiranë, tregtar bulmeti, arrestuar më 29.10.1946, deklaronte se nuk i pranonte akuzat dhe nuk e njihte procesverbalin, pasi nuk ishte bërë prej tij. Deklaronte se nuk njihte as Fulz-in e as gjërat e tjera që shkruheshin për të.5. Telemak Dilo, i biri i Vasilit dhe Fotinës, 25 vjeç, lindur në Labovë të Tepelenës, me 6 klasë lice, arrestuar më 29.10.1946. Akuzohej se kishte dekonspiruar edhe punën e ngarkuar nga Mbrojtja e Popullit.6. Stefan Cara, i biri i Llukanit dhe Mides, 32 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Zherë, i arsimuar për shkenca ekonomike. Babanë ia kishin vrarë gjermanët, arrestuar më 28.10.1946. Deklaroi se nuk e pranonte akuzën. Edhe kynxirrte hetuesinë jashtë loje pasi nuk i pranonte të tijat deklarimet e paraqitura.7. Misto Vardhami, i biri i Golit dhe 32 vjeç, lindur në Tërbuq të Tepelenës, banues në Tiranë, marangoz, arrestuar më 29.10.1946.

Pretenca e prokurorit

“Është e nevojshme që t’ju vë në dukje jetën personale të të akuzuarit Dino Shani” niste aktakuzën e tij prokurori i çështjes. E kaluara normale e Dino Shanit merret në analizë sikur brenda saj janë veprimtari shumta agjenturore. Kjo nga vitet e karrierës së tij ushtarake, në të cilat ishin përzierë edhe çështje personale e deri te nëntori i vitit 1941, koha kur misioni ushtarak amerikan u vendos në Tiranë, ku ishte takuar me Nick Cooky dhe Njohne Okof.

“Më dhjetor 1944, Dino Shani shpie peshqeshin e parë në mision, një tortë me rastin e pashkëve dhe për këtë i jepet si kundradhuratë një peshqesh 1 000 franga dhe një pako me cigare” – akuzonte për spiunazh prokurori. Dino kishte shërbyer si “informator i paorganizuar” – thoshte prokurori. Pjesën më të madhe në aktakuzë e zë Dino Shani, ndërsa tjerët akuzohen se ishin paguar prej tij për të dhënë informata.

Dënimi i shkallës së parë

Me vendimin nr.221, datë 7.4.1948 gjykata dha dënimet si më poshtë:1. Dino Shani me vdekje, pushkatim.2. Misto Vardhami e Telemak Dilo me 10 vjet burg.3. Shyqyri Kodra me 7 vjet burg.4. Xhafer Lika me 5 vjet burg.5. Fori Vardhami dhe Stefan Cara me 3 vjet burg.
Me përjashtim të këtyre dy të fundit, të gjithëve iu konfiskohej pasuria si dhe humbnin të drejtat politike në kohën e dënimit.

Dino Shane u ekzekutua në bregun e lumit në Tiranë më 27.4.1948 në prani të komandantit të burgut nëntoger Adem Skëndajt, të deleguarit të Sigurimit toger Maqo Pecani dhe prokurorit ushtarak kapiten Petrit Hakani. Në fjalën e fundit ndër të tjera kërkon që gruaja të mos mbajë zi dhe të martohet./kujto.al

Lexo edhe:

Këto mizori i përjetonin të dënuarit gjatë diktaturës në spitalin e burgut në Tiranë

ObserverKult