Rusta: Nuk ka mjerim më të madh se ligësia e shpirtit, shpirti bosh…

Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poetja Elida Rusta.

Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Vetë fjala lumturi për mua ka kuptim të përkryer. Ndryshimi qëndron tek perceptimi individual. Dikush lumturohet me pak, dikush tjetër pretendon shumë për t’u ndjerë i lumtur. Lumturia e vërtetë është vetëm ajo shpirtërore, ndoshta një ëndërr disa sekondëshe, por që e kujton gjithë jetën.

Cila është frika juaj më e madhe?
– Edhe frikërat si të gjitha ndjesitë e tjera, janë të ndryshme. Frika më e madhe imja është të shoh t’u ndodhë diçka e keqe fëmijëve të mi e të mos mund t’i mbroj.

Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Pasioni im është të shkruarit, ndaj po zgjedh emrin e një shkrimtari që vërtetë e dua. Adhurim është fjalë e madhe, tashmë nuk jam ajo 15- vjeçarja që adhuronte grupin rock “Guns N’ Roses” të viteve 1985. Bëhet fjalë për romancierin, poetin dhe skenaristin francez Michel  Houellebecq. Ai nuk është vetëm shkrimtari më i madh francez, emri më autoritar bashkëkohor, autori më kontrovers, më i lakuar dhe më i shitur i momentit, por edhe Kasandra e kohës sonë që sheh plagën e kësaj kohe, vë gishtin mbi të, e shtyp fort, fort dhe tregon atë që propaganda zyrtare, publiciteti, televizioni e fshehin, tregon luftën në prag, mes atyre që kanë gjithçka dhe atyre që nuk kanë asgjë për të humbur sepse asgjë kanë.

Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?

– Personaliteti historik me të cilën do doja të identifikohesha është Nënë Tereza, shejtnesha jonë. Ja një varg lapidar i saj mes dhjetëra të tjerëve po kaq të pasur: “një buzëqeshje plot hir ia ndryshon jetën njeriut”.

Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
– Zhgënjimet në jetë më kanë bërë të humbas besimin, nuk besoj lehtë. Pak ka njerëz racional e konstant për shtigje të gjata, janë veç hije njerëzish gjoja modernë.

Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
– Tiparet që jo vetëm nuk i pëlqej tek të tjerët por i neveris, janë të shumta: lavdet false, egoizmi, mendjemadhësia, “thika” pas shpine, etj…

Në cilat gjëra e teproni?
– Ndoshta me cigaren. Ka raste kur nuk e kontrolloj dot këtë ves të keq. Se kush e tha “Është i vetmi që digjet për mua”.

Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
– Gënjeshtra lejohet vetëm kur e vërteta sjell pasoja, gënjeshtër e bardhë, ndryshe kurrë jo!

Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
-Preferoj çdo lloj udhëtimi sidomos të largët e në shi. Nëse do jem me shoqëri të mirë, mund të fluturoja dhe në hënë. A nuk i bie andej rruga për të shkuar tek vetja?

Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
– Kam disa, prej fjalëve ndërtohen urat. Ajo që më përfaqëson më së miri është shprehja love you mom! Ma thotë fryma, jo ndonjë shqisë tjetër.

Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
– Nuk jam penduar për asgjë që kam bërë në jetën time qoftë dhe e bërë keq. Gabimet na ndreqin, na pjekin e na rrisin. Ndryshe do përsëriteshim gjithnjë në konture formalitetesh, ndryshe s”do kisha jetuar.

Çka ose kush është dashuria juaj më e madhe e jetës?
– Lumenjtë e prehrit tim, fëmijët. Për ta më del shpirti.

Cila është gjendja momentale mendore e juaja?
– Jam e rrënuar shpirtërisht, përtokë mendërisht. Humbja e babait pak javë më parë më shkaktoi një dhimbje të madhe. Bashkë me 1001 pse-të e mia!

Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
-Do të kisha kultivuar vetpërmbajtjen në situata të caktuara. Duhet të jem më e fortë dhe më e përmbajtur në emocione. Jeta është e tillë. Nuk i do njerëzit e brishtë.

Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
– Arritja ime më e madhe janë pasuritë e mia: tre fëmijë shembullorë, dy librat e mi, një bashkëshort i përkushtuar dhe që të mos hidhni në gjyq për “dëshmi të rréme dhe pengesë të drejtësisë për gjëra që shndrisin”, kam dhe kalorësin e hënës personazhin e shkrimeve të mia, që më bën të ëndërroj. Ju e dini: është hijeshia njerëzore, dashuria sublime, synimi i së bukurës së epërme si frymëzim i artit. Niçe thotë “arti ka lindur për ta bërë të përballueshme jetën në tokë”. Këtë po përpiqem të bëj dhe unë. Këto gjëra i bëjnë njerëzit të ëndërrojnë, pa ëndrra s’ka progres, s’ka paqe sociale, s’ka të nesërme.

Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
– A është krejt e vërteta e domosdoshme? Ruajtjen e sekretit e quan art në vete Erich Fromm tek libri “Shpirti i njeriut”. Megjithatë po përgjigjem. Ndoshta vendndodhjen. Francë pranë Moulin Rouge, Wall Street, Manhattan. Ndoshta, ndoshta t’i rikthehesha jetës studentore, asaj pafajsie.

Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
– Hmm…nuk e kisha menduar ndonjëherë! Mbase në bukë për skamnorët, pasi nuk kemi akoma një përmendore meritueshëm për Migjenin, mbase bletë me krahët rozë. Dashuria më bën të tillë. Më kishin mjaftuar edhe 3 dekada për të mbledhur lule në qiellin e lëkurës së kalorësit e do bëja mjaltë përmendësh.

Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
– Janë shumë, shumë. Është krejt qenia ime. Ajo fillon që nga marrëdhënia me të vërtetën.
E qeshur,
E urtë,
E dashur,
E ndrojtur,
E drejtë…
Lëkurë të ndjeshme.
Bota lëkurën sheh, ani pse unë nuk flas kurrë për lëkurën që kanë të tjerët, e vdekur për dashuri, herë fllad, herë suferinë. Bie në dri me gur në qafë e sërish shpëtoj. Më e rëndësishmja, pleqëria ma hap derën e sa më sheh ma përplas mbrapsht surratit.

Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Nuk ka mjerim më të madh se ligësia e shpirtit, shpirti bosh.

Ku do të dëshironit të jetonit?
– Në hënë, asnjë çmendinë tjetër nuk më pret. Atje edhe e vdekur jam më e bukur.

Çfarë vlerësoni tek një mashkull?
– Mashkull është dhe qeni. Bindja në mençuri e kulturë, edukata e mirësjellja, përkushtimi, veçanërisht sinqeriteti e bën të rrallë një burrë.

Çfarë vlerësoni tek një femër?
– Femrat në përgjithësi janë heroina. Ajo është botë më vete, as mund t’i shtoj, as t’i heq. Ajo mban peshën e botës, lind njeriun. Gjithmonë në luftë për t’ja dalë…

Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
– Autori im i preferuar është Franz Kafka, babai i simbolizmit. Ai e shpalos shtypjen bash në kontekstet ku mendjet mishtore zotohen se kanë gjetur lirinë. Ironia dhe revolta e Kafkës shkon për të na kujtuar përçudnimin e njeriut që përballë kësaj bote moderne burokratike, nuk mund të jetë asgjë pos një insekt.
– ju më keni bërë të palumtur imzot,- i shkruante një lexues asokohe.
– unë jam e lumtur që e lexova e pata rastin ta vizitoja pragën e tij të artë, shtëpinë ku lindi, libraritë, muzetë e varrin ku prehet i pavdekshmi.

Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
– Heronjtë e vërtetë janë prindërit e mi, të ndershëm, të vuajtur e punëtorë. Dashuria që më dhanë ishte djepi i rritjes sime.

Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
– Ndihem mirë me veten, por po them të isha valltare. Ndoshta se ka një komunikim  dhe një fjalor shenjash që më ngjan me poezinë.

Si do të dëshironit të vdisnit?
– Thonë se vdekja më e lehtë është ajo që të vjen në gjumë. Por unë jam nënë. I kam dy fjalë për t’i thënë…

Cila është motoja juaj?
– Motoja: të mos u stepem stuhive!- ato shkojnë shpirti mbetet!/ ObserverKult