Sadije Agolli: Ai që e spiunoi Dritëroin, u ul me ne në tavolinë…

E, kur sytë të hapësh, do të shohësh Romantikun e përjetshëm në xhame Dhe këngën e dashur do njohësh:

Nga Sadije Agolli

Ishte viti 1994. Pranverë duhet të ishte, pasi ishim veshur lehtë. Prapa nesh ishin ulur dy burra me moshë mesatare 40-45 vjeç. Njëri na ndiqte në bisedë. Pas pak na kërkoi leje të ulej për pak minuta me ne në tryezë.

“Posi, mund të ulesh“ – i tha Dritëroi siç e ka zakon për njerëz të njohur e të panjohur.
“Më vjen rëndë ta them një të vërtetë, por megjithatë dua të lehtësoj shpirtin. Ndofta juve nuk ju kujtohem fare, por megjithatë unë do të zbrazë barkun, që në një farë mënyre ta kem ndërgjegjen të qetë, pasi juve iu kanë sulmuar shumë këto kohë. Unë kam qenë sekretar partie i kooperativës bujqësore të P. Tani jam i papunë. Ju keni ardhur si i deleguar, siç ishte organizuar jeta në sistemin e mëparshëm. Pas mbledhjes u shtruam në lëndinë me 10-15 fshatarë.

Duke ngrënë e duke pirë, ti na u drejtove neve: “I shihni këto bukuri tokash, gjelbërimesh, bagëtish. Do të vijë koha që fshatari do ta ketë tokën të tijën, bagëtitë e tij, se nuk duhet Atdheu, po nuk pate tokën tënde, lopën tënde. Atdheu fillon nga shtëpia jote, nga toka, nga ai gjeli që të këndon mbi gardh…”

Dhe fole gjatë. Unë të them të drejtën, u frikësova nga fjalët e tua, u frikësova nga shokët, që kishim në lëndinë. Ka qenë viti 1987. Pas një nate pa gjumë shkova në komitet të partisë dhe takova Pirro Kondin. Unë të spiunova, duke pasur frikë se mos shkonte ndonjë tjetër përpara meje dhe do të më kritikonin mua ose do të më dënonin, që nuk kisha sinjalizuar.

Pirro Kondi ishte burrë i mirë dhe më tha:
“Mos ia vini re Dritëroit, se ai është poet e fluturon, nuk i ka me gjithë mend. Kështu ka folur edhe në Korçë, duke i quajtur fshatarët si palestinezë, pa tokë”.
Por mua më ka vrarë ndërgjegjia gjithë këto vite, prandaj më lini mua t’i paguaj kafet si shenjë falje. Unë e Dritëroi kishim ngelur si të hutuar. Im shoq foli me atë tolerancën e përhershme:
”E, nuk ka gjë. Gjëra që kanë ndodhur. Po tani me çfarë merresh? A punon?”
“Me asgjë!”
Dhe ai u ngrit nga tavolina dhe u largua nga “Vjena” me shokun e vet.

ObserverKult

_____________________

Lexo edhe:

SHERRI MES DY KOLOSËVE, SADIJE AGOLLI: I KËRKOJ FALJE KADARESË VETËM PËR DIÇKA…