Sergej Esenin: E kam dashur…

Më është e njohur kjo rrugë
Dhe kjo shtëpizë e ulët fare,
Kashta e kaltër e kabllove
U përmbys përmbi dritare.

Ishin vite fatkeqësish të rënda,
Ishin vite forcash të trazuara, të çmendura.
Kujtoja fëmijërinë time në fshat,
Kujtoja kaltërsinë e fushave të ndërkaq.

Nuk kërkoja as gëzimin, as paqen,
E njoh këtë lavdi të kotë e njoh.
Por tani, sapo mbyll pak sytë,
Vetëm shtëpizën atërore shoh.

Shoh kopshtin në pikat e kaltra,
Me zë të ulët vjeshta mbështet mbi gardh.
Në krahët e gjelbër qëndrojnë blirët
Britmat dhe cicërimat e zogjve ndajnatë.

E kam dashur këtë shtëpi prej druri,
Në trarët vakej një krismë kërcënuese,
Stufa jonë në mënyrë të çuditshme,
Në natën me shi, uturinte, bubulluese.

Zëri i fuqishëm dhe dënesa e potershme,
Si mbi dikë të humbur, të gjallë.
Çfarë shihte, gamilja prej tullash,
Në rënkimin me shira, vallë?

Sigurisht shihte vende të largëta,
Ëndrrën e një kohë tjetër, më pas,
Rërat e florinjta të Afganistanit,
Mjegullën e kristaltë të Buharasë.

Ah, edhe unë i njoh këto vende,
Me hap të vogël, kam rendur atje
Vetëm më afër vendlindjes sime
Do doja të kthehesha gjithnjë.

Por u shua ajo topitje e ëmbël,
Çdo gjë u tret në tymin blu.
Paqe ty, kashtë fshatare,
Paqe ty, shtëpi, ndërtuar me dru.

(1923)

Përktheu: Faslli Haliti