Sergej Esenin: Letër grues

sergej esenin tanjusha...

Poezi nga Sergej Esenin

Mbani mend,
Ju, dihet, çdo gja mbani mend,
Si kam qëndrue pranë murit,
Gjaku tue m’vlue,
Ndërsa Juve s’u zinte vendi vend
Diçka ashpër
Tue m’qortue.

Thatë se:
Mes nesh do t’këputni çdo gja,
Se ju ka lodhë
Jeta e ndytë që e çoj;
Se asht koha diçka me ba,
Se asht shkrue,
Që gjith’ ma poshtë t’shkoj.

O, e dashtuna e ime!
S’më keni dashtë aq shum.
As s’keni dijtë se në ferr t’njerëzve isha
Si kal’ i grahun, i shtymë, i lodhun
N’duer t’kalorsit që s’din çka asht friga.
As që dijtët
Se mbytesha n’tym aty,
N’at jetë që stuhija n’përleshje e rrenoi,
Se vuej, pse nuk muj me kuptu’
Se ku, ku fat’ i njerëzve do na çojë.
Ballë për ballë-
Fytyra nuk shihet.
E madhja dallohet mu n’largsi.
Kur deti i tërbuem buçet-
Vapori punët i ka si â ma zi.

Toka asht-vapori!
Nji çast njifarë njeriu
Drejt jetës s’re, plot lavdi,
N’gjirin e turbullt t’stuhisë e ka drejtu;
Vaporin me shum mjeshtri.

Po kush prej nesh n’vaporin e mallkuem
Nuk asht përplasë, edhe vjedhë dhe sha?
Pak janë asish, me shpirtin e sprovuem,
Që n’këso valë si shkamb qëndrue ka.

M’at çast dhe unë,
Në buçimë t’egër e ujit që tund,
Tue e dijtë punën dhe qëndrimin,
Vaporit i ka ra n’fund,
Mos me pá tue vjellë njerzimin.

Ai fund ishin-
Mejhane ndejesh ruse deri n’agim.
Kështu nise me pi përditë,
Që pa shqetsim
Të mbys vehten
N’zjarr, i pitë…

O, e dashtuna e ime,
Unë Ju kam mundue,
Dallohej pikllimi

Në sytë tuej, n’thellsi,
Pse para Juve, sikur para shokut,
Vehten kam humbë n’skandale, marrëzi.

Ju s’e keni dijtë
Se mbytesha n’tym aty,
N’at jetë që stuhija n’përleshje e rrënoi,
Se vuej; pse nuk muj me kuptu’
Se ku, ku fati’i njerëzve do t’na çojë …
…………………………………………………………..
E tash vjetët kaluen.
Kam ndryshú fare, jam ba njeri i ri .
Ndryshe tash ndiej e mendoj, larg skandalesh-
marrëzi.
E shpesh, gjatë festash them-venën tue pi:

Timonierit tim nderi me lavdi!
Sot jam n’qejf
Nën qielin plot vrasnim
Por m’preku flatra e dhimbjes-lodhja Juej m’u
kujtue

Dhe qe tash n’letër
Ju lajmroj me nxitim
Se si kam qenë dikur
Dhe çka ka ndodhë me mue!

O, e dashtuna, gëzohem
Që mundem me ju thanë
Që prej valësh shpëtova-n’ani.
Vendit Sovjet i jam tash ma besnik se kurr-
Jam “bashkudhëtar” i ri .

Unë s’jam ma
Çka isha njiherë.
N’ndjenja tueja nuk kisha me prekë,
Si përpara unë me ju mundú
Mbas flamurit t’lirisë
Dhe punës me nderë
Jam gati dhe n’Lamansh me shkue.
As Ju s’jeni “ajo”-
Me burr t’matun e t’urtë
Jetë të mirë jemi tue kalue
E s’mërziti për shkatrrimin tonë,
Madje, tashmë,
S’keni nevojë për mue.

Jetoni ashtu,
Fati ju përcjelltë,
Në prehnin e lumnisë që e keni.
Me nderime,
Përherë ju kujton
Miku i juej-
Sergej Esenini.

1924

Shqipëroi: Esad Mekuli

————–

Lexo edhe:

SERGEJ ESENIN: MË HARROVE TI QË DASHUROVA…