Si u dha lajmi për “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut, pse Blloku “ziente” nga brenda…

Ai vazhdon të cilësohet si kryeministri me jetëgjatësi në historinë 108-vjeçare të shtetit shqiptar. Drejtoi ekzekutivin për afro 28 vite më radhë. Pas Enver Hoxhës, pretendohej se Mehmet Shehu ishte zëvendësi absolut i tij, duke u karakterizuar si njeri i vendosur, me parime dhe strateg ushtarak.

I lindur më 10 janar 1913, në Çorrush të Mallakastrës, ai shfaqi zgjuarsi që në fëmijëri. Si i tillë, u dërgua në Shkollën Teknike amerikane të Harri Fultzit në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1932. Kjo shkollë i shërbeu si një “trampolinë” për t’u hedhur më pas në Akademinë Ushtarake të Napolit, edhe pse nuk arriti ta përfundojë, pasi u përjashtua pak para diplomimit për motive politike. Në Shqipëri për një kohë të shkurtër me qëllimin e vetëm që të shkonte në Spanjë, ku mori pjesë në luftimet e internacionalistëve gjatë viteve 1937-1939.

Pas Luftës së Spanjës, Mehmet Shehu do të provonte internimin në Francë, të cilin e vuajti deri më 1942, vit kur edhe u rikthye në Shqipëri. Shumë shpejt do të lidhej me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ende pa u mbushur viti, ai zgjidhet me shumicë votash kandidat i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Me krjimin e Brigadës së Parë në Vithkuq, Mehmet Shehu merr komandën e saj. Me organizimin e Këshillave Nacionalçlirimtarë, ai zgjidhet anëtar i tyre gjatë Kongresit të Përmetit dhe në nëntor 1944 gëzon funksionin e plotë të komandantit të Divizionit të parë Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Në vitet 1946-1947 Mehmet Shehu u emërua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë.

Duke patur këtë pozicion të lartë, ai nisi një specializim në Bashkimin Sovjetik, duke kryer Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov”. Në Kongresin e Parë të PKSH-së (1948), pas goditjes së grupit të Koçi Xoxes, ai mori postin e Ministrit të Brendshëm, duke u zgjedhur anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht zv/kryeministër. Nga viti 1954- 1981 Mehmet Shehu ishte numri një i qeverisë shqiptare, pra kryeministër i Shqipërisë dhe në disa periudha (1974-1979) edhe ministër i Mbrojtjes Popullore.

Në fund të dhjetorit 1979, ai zëvendësoi Hysni Kapon si sekretar i KQ të PPSH-së. Por edhe pse dukej se tashmë Mehmet Shehu ishte më i fortë se kurrë, dy vite më pas ndodh krejt e kundërta. Fillimisht ai merr disa “goditje” të lehta, ndërsa më 17 dhjetor 1981, Mbledhja e Byrosë Politike ishte fatale për të. Një ditë më pas, mediat shtetërore japin lajmin e thatë: “Vdiq Mehmet Shehu!”.

Kreu i qeverisë komuniste kishte pak orë që kishte ndërruar jetë dhe në dijeni ishin vetëm Byroja Politike e përbërë nga 13 anëtarë. Megjithatë, problemi nuk ishte te udhëheqësit dhe mënyra se si do ta prisnin ata vdekjen e kryeministrit, por te masa e thjeshtë, populli. Për këtë arsye, dy mjetet kryesore të komunikimit masiv, Televizioni Shqiptar dhe gazeta “Zëri i Popullit”, morën udhëzimet përkatëse për dhënien e lajmit. Ndërkohë që Blloku “ziente” nga brenda, në dukjen mediatike flitej për rendimentet, aksionet për ndërtimin socialist të vendit, madje u shfaq edhe  një komedi e njohur e Teatrit Popullor, “Ushtari i mirë Shvejk”.

Ora 18.00. Në lajmet e para të mbrëmjes folësi i “Tiranës”, shfaqet me fytyrë pak më serioze se netët e tjera. Kronikën kryesore padyshim e zinte vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu, duke dhënë edhe shkaqet. Teksa lexoi komunikatën e përgatitur nga lart, theksoi “vetëvrasje”, duke vijuar pastaj motivin “pas një krize nervore”. E gjithë kronika nuk ka zgjatur më shumë se një lajm i zakonshëm 30-40 sekondësh, i cili është pasur menjëherë nga një varg kronikash që ishin në kuadër të diskutimeve dhe vendimeve të Byrosë Politike që ishin marrë gjatë punimeve të Kongresit të Tetë.