S’ka me t’dashtë kush, kurrë ma shumë se unë, por këtu u kry. Mbaroi!

Teuta Bardhi

Vendosa, nuk  kam me qajtë ma.
S’ka me pasë ma lotë që se presin njëri-tjetrin,  zemër që do me dalë prej vendi, mbyllje me dry në dhomë, krahror që vlon, kokëdhimbje, mpirje të durve e marramendje.

S’kam me i lexu ma letrat, mesazhet, pusullat. Ato që dikur thoje se jam e vetmja, se ska me pasë tjetër në botë për ty pos meje.

Se jam ishulli yt.
Se jam dielli e hëna jote.
Se jam mendimi i parë e i fundit i ditës tande.
Se me mu nisë jeta e me mua mbaron.

I fshiva.
Një nga një.
Të gjitha.

Por, s’muj me rrejt!

Mu duk se preva një dorë a kambë. U gjymtova.
Mu duk se e shkula zemrën me dorë nga krahërori.
Se i nxora mushkëritë.
Se mbeta pa pikë gjaku…kështu u ndjeva kur i fshiva, një nga një, të gjitha.

Dhe i mblodha edhe shenjat e fundit që m’kishin mbetë prej teje.
Dhuratat mbushën qesen e zezë dhe zunë vend në koshin e parë të mbeturinave pranë shpisë.
Tinëz, pa m’pa kush.
Tekefundit pse a mos po i dhimbsem kujt?
Mos ka me ardhë dikush me hy brenda lëkurës sime e me ma ndje dhimtën që mbyt.

Keqardhje?
Jo s’dua.

Mjaftojnë këto ditë kur vetja mu bë e pesqindta tu e lypë arsyen se pse ajo tjetra ishte më e mirë se unë.

Çka kishte ndryshe?
Merrte frymë ndryshe?
Ofshante ndryshe?
Klithte ndryshe?

Se me t’dashtë, jo s’besoj.
S’ka me t’dashtë kush, kurrë ma shumë se unë, por këtu u kry. Mbaroi.

Prej sot, krejt atë dashni që pata për ty du me e kthy ka vetja. Du me dashtë veten, aq sa askush n’botë s’ka me mujtë me mdashtë kurrë.
Aq sa kurrë ma s’kam me qenë pre e lehtë e burrave si ti.
Kaq ishte dhe mori fund.
Tash!    / ObserverKult