Skënder Rusi: Ditët e mia pa ty…

Poezi nga Skënder Rusi

Ka ditë kur unë
S’di ç’të bëj me veten,
Dal nga shtëpia
Dhe vetmia për dore më mban,
Kërkoj një lumë ku unë
mund të mbështetem
Të fle mbi ujrat e tij
Pak, fare pak!

Ka ditë që pres hapat e kthimit tënd,
Ato janë nisur,
unë e njoh këtë zhurmë,
Lamtumirë ditët e mia në paqe,
Dhe gjithë ju të tjerat
Që i komandoj unë!

Ka ditë kur unë jam bosh, fare bosh,
Jam ky pyll ku të pëlqen të vdesësh,
Nëse në këtë pyll një ditë do më kërkosh,
Atje do të më gjesh në formën e vesës!

ObserverKult


Skënder Rusi, ObserverKult

Lexo edhe:

SKËNDER RUSI: UNË S’TË DHASHË AQ DASHURI SA DUHET

Nesër ti do të qash
Kur të jesh vetëm,
Unë do të jem ajo
Mjegulla e bardhë te dritarja!
Për të folur me ty
Duhet me patjetër
Të thyej, të paktën tre-katër xhama!

Dua të të mbuloj ty të gjithën,
Që të mos të afrohet asnjë tjetër,
Botën e tërë ne e çuditëm
Dhe s’ jemi as të rinj, as të vjetër!

Nesër ti do të qash
Kur të jesh vetëm,
Dhe unë s’të dhashë aq dashuri sa duhet!
Jetojmë në një planet
Ku ende nuk kemi gjetur
Të ngrihet ndonjë monument
Vetëm për puthjet!

ObserverKult