Stefan Cvajg: Letra e një të panjohure…

“…Unë dija çdo gjë tënden, ta njihja çdo zakon, çdo kravatë, çdo kostum tëndin: shpejt nisa t’i njoh e t’i dalloj edhe miqtë e tu, duke i ndarë në të tillë që më pëlqenin dhe në të tillë që s’i shihja dot me sy: që nga mosha trembëdhjetë vjeç e gjer në gjashtëmbëdhjetë vjeç kam jetuar çdo ditë me përfytyrimin tënd.

Ah, ç’marrëzira nuk kam bërë!

E puthja dorezën e derës, të cilën e kish prekur dora jote, një herë mora fshehurazi një bisht cigareje që ti e kishe hedhur përpara se të hyje në dhomë, dhe ky ishte i shenjtë për mua, sepse e kishin prekur buzët e tua!

Qindra herë natën, duke gjetur ndonjë shkak, sulesha në rrugë për të parë se në cilën dhomë tënden ishte ndezur drita, kështu që mund të ndjeja më me siguri praninë tënde të padukshme.

LEXO EDHE: STEFAN CVAJG: NUK DUA TË TË HUMBAS…TI MË JE SHUMË E SHTRENJTË…

Dhe ato javë, kur ti ndodheshe në udhëtim- gjithmone më ndalonte zemra nga frika – ato javë jeta ime ish e vdekur e pa kuptim.

Buzëvarur, e pezmatuar dhe gjithë inat bridhja poshtë e përpjetë dhe gjithmonë duhej të kisha mendjen që nëna të mos ma lexonte dëshperimin në sytë e mi të skuqur nga lotët…”

*Shkëputur nga “Letra e një të panjohure”