Legjenda/ Tomori dhe Shpiragu: Si u shndërruan në male dy vëllezërit…

Mijëra e mijëra vjet më parë jetonte një zanë shumë e bukur. Një ditë ajo u takua me dy vëllezër viganë. Njëri ishte Tomori, tjetri Shpiragu.

Sikurse ndodh shumë herë ndër legjenda, të dy vëllezërit ranë në dashuri me zanën e bukur. Kaq fort ua trazoi zemrat të dy vëllezërve dhe kaq thellë u hyri grindja për të, sa që shpërtheu lufta vëllavrasëse.

Tomori, duke patur një shpatë të shkëlqyeshme, i ra vëllait të vet më të vogël brinjëve. Shpiragu, i armatosur me një topuz shumë të rëndë, iu turr me furi duke e goditur sa mundej më fort.

Zoti, që shihte çdo gjë, u trishtua dhe u zemërua prej pamjes aq të dhimbshme, grindjes aq të përgjakshme midis vëllezërve. Ata duheshin ndëshkuar për këtë mënxyrë që shkaktuan. Prandaj, Ai i ktheu fajtorët në gur. I dënoi të mbajnë ndër shekuj në trup gjurmët e këtij luftimi të tmerrshëm.

Që nga ajo kohë e lashtë e deri sot vëllai i madh, Tomori, i tregon diellit hapësirat e veta gropa – gropa dhe plasat e panumërta. Ndërsa, vëllait të vogël, Shpiragut, kushdo që kalon në këto treva, i sheh brinjët e coptuara e të thelluara vija-vija.

Shkaktarja e kësaj mënxyre, Zana e bukur hirëplotë, nuk duhej t’i shpëtonte zëmërimit të Zotit. Ai e ktheu në një kodrinëzë shkëmbore. Mbi të një ditë filluan të vendosen gurë mbi gurë. U ndërtua një kështjellë e madhe, e bukur, që qëndron edhe sot madhështore mbi qytetin e Beratit. E në mes të qytetit kalon lumi Osum që u krijua nga lotët e Zanës.

ObserverKult

————————————-

LEXO EDHE: Historia e kishës që u mbrojt nga myslimanët dhe legjenda e Bukuroshes së Strumit

1.2 km larg qytetit të Fierit, ndodhet qyteti i Roskovecit, para pak vitesh një qytezë që njihej si një pikë lidhëse apo një stacion, mes Beratit dhe Fierit në kuadrin e rrugës “Egnatia”…tashmë me ndarjen e re territoriale një qytet brenda një bashkie më të madhe.

Po të njëjtin rol, atë të “qytetit stacion” Roskoveci e ka gëzuar që në antikitet, kur aty kalonin udhëtarët nga dy pika të rëndësishme Apolonia dhe Berati…

TEKSTIN E PLOTË MUND TA LEXONI KËTU