Tonin Tërshana: Unë nuk e besova… (teksti dhe kënga)

Hapa dritaren e dhomës sime,
Në kornizën e qiellit të kaltër,
Hyri një degë e bajames së mbushur,
Me lule të bardha.

Pranë meje dikush tha,
Erdh pranvera,
Por unë nuk e besova.

Fluturoi dallëndyshja para syve të mi,
Në rrezet e diellit ngrihet në ajër,
Mbërrin cicërimi i gëzueshëm i saj,
Gjeti folenë.

Dhe prapë dikush më tha,
Erdh pranvera,
Por unë nuk e besova.

Erdhe ti tek unë,
Me ato flokët e verdhë,
Me një bluzë të hollë,
Mbuluar supet e njomë.

Nëpër sytë e tu,
Çelte lule limoni,
Nëpër buzët e tua,
Pikonte erë limoni,
E besova,
Erdh pranvera,
Kishte ardh pranvera…

Hapa dritaren e dhomës sime,
Retë e bardha, të vogla, të vogla.
Copa të shpresave larg fluturuan,
në qiejt e kaltër.

Pranë meje dikush tha,
erdh pranvera.
Por une nuk e besova.

Qëndroi dallëndyshja e varrur n’fole,
flatrat e lehta i rrihte në erë,
qielli i pafund dhe dielli u futën në krahët e saja,
dhe prapë dikush më tha, erdhi pranvera,
por unë nuk e besova…