Tronditëse: Gratë e fëmijët e ekzekutuar nga komunistët në Vlorë (emrat dhe mbiemrat)

Historia e Bahri Çepratit
Foto ilustrim

“Gjëma e komunizmit në trevën e Vlorës” i Aranit Hoxhës është libër që brenda kopertinave të tij mbartë fakte të krimit të komunizmit në qytetin e Vlorës.

Kanë kaluar më shumë se nëntë vite që nga koha kur Aranit Hoxha, nga Vezhdanishti i Vlorës, djali i Sulo Hoxhës, mësuesit të ekzekutuar nga komunistët, ka shkruar librin “Gjëma e komunizmit në trevën e Vlorës”. Libri ka të dhëna mbi krimet e komunizmit në Vlorë. Ka data, vende, emra viktimash, të identifikuar me vendlindje, ditëlindje, atësi, është botuar në vitin 2013.

Që nga ajo kohë, pavarësisht botimeve dhe përpjekjeve të ndryshme, Shqipëria ende nuk ka treguar vullnet të plotë për ta trajtuar shkencërisht periudhën komuniste në vend. Përkundër përpjekjeve nga ish-të dënuar dhe fondacione që i janë kushtuar kësaj kauze, ende nuk janë vënë në pah krimet dhe kriminelët e asaj kohe, si detyrimet moral dhe shtetëror ndaj viktimave dhe familjarëve të tyre.

Çdo krahinë dhe e gjithë koha e regjimit komunist është e mbushur me krime. M vrasje pa gjyq, ose të urdhëruara nga gjyqe pa drejtësi. Jo vetëm me dënimin e kundërshtarëve të saj, por edhe me atë të familjarëve të tyre. Ende ka nga ata që dënimet e asaj epoke, i justifikojnë si zbatim të ligjeve. Ndërsa të dënuarit i konsiderojnë si fajtorë që e kanë merituar dënimin.

Ka ende nga ata që nuk e besojnë realitetin komunist të dëshmitarëve të rremë. Të akuzave false që çonin njerëzit në litar. Mohimin e ndihmave mjekësore të dënuarve apo torturave deri sa jepnin shpirt. Me sa duket, nuk është thjesht çështje besimi apo mosbesimi, por është vendimi për të mos i konsideruar këto padrejtësi edhe kur asgjë nuk mund t’i justifikojë ato.

Është rasti i internimit, burgosjes, madje edhe vrasjes së grave, adoleshentëve dhe fëmijëve, për hir të burrave të shtëpisë të shpallur armiq. Po ashtu eshtë vendimi për të ngritur një barrierë mbrojtëse me blloqet “janë punët e shtetit”, “shteti ka ligje”. “Ne pse nuk na gjeti gjë?”, “pse në demokraci, pak gra e fëmijë janë vrarë (nga krimi, dhuna në familje)?” dhe për të mos parë përtej.

Por “përtej” është këtu, mes nesh. Sado që po tentohet të shtyhet larg me një shkop vitesh nga njerëzit që nuk duan ta prekin me duar. Është e mbushur me emra që kanë qenë njerëz. Me data dhe vende, kur dhe ku kanë ndodhur krime. Me numra si këto që sjell Aranit Hoxha, por që nuk i takojnë matematikës. Nga një trajtim që i ka bërë Enver Lepenica këtij libri, në kohën e botimit, po sjellim disa prej këtyre shifrave tronditëse.

Të vrarë

Në gjithë trevën e Vlorës, vetëm gjatë vitit 1943 u vranë pa gjyq 114 vetë. 14 nga ta ishin gra, në mesin e të cilave: Merxhane Sadikaj, Kafaze Birçaj e Refie Kondi nga Kuçi, Veno Toto nga Kudhësi.

Në Bolenë, u zhdukën dy familje në mesin e tyre një vajzë 17-vjeçare. Kuç, vetëm nga familja Sadikaj, u pushkatuan 8 vetë 5 burra dhe tre gra.

Gorisht, vranë në derë të shtëpisë nënë e bir Zenepe dhe Halim Çaushaj. Ishin 257 të vrarë, vetëm në dy vite 1943-1944. Tronditëse është që shumë nga të pushkatuarit ishin adoleshentë ose fëmijë. Në Bolenë, me atentat u vranë: Fuat Çelomeme 19 vjeç. Bilbil Çelomeme-14 vjeç. Dyzene Novruzaj– 19-vjeçare. Gani Çelomeme-17 vjeç. Në Treblovë u vra Bajram Lamaj vetëm 16 vjeç. Vrasjet kishin vazhduar në Drashovic, në Gorisht, në Kuç, në Gjorm, në Kaninë, në Lepenicë.

Të burgosur

Dënimet e të miturve vazhduan edhe pas Çlirimit. Të dënuar politik të evidentuar me dokumente nën moshën 20 vjeç, janë 120 vetë. Numër i rënduar në raport me popullsinë e atëhershme të Vlorës dhe moshën e vogël të të dënuarve.

Ndër ta përmendim: Bahri Çeprati 17 vjeç; Bejo Shaqiri nga Dukati 15 vjeç; Zenepe Selimi 17 vjeç nga Treblova; Klito Lamaj 17 vjeç nga Kanina; Eqerem Malaj 18 vjeç nga Ramica; Luan Llupa 17 vjeç nga Vlora; Reshat Kripa 15 vjeç nga Vlora. 

Mosha nuk ua ulte dënimin më pak sesa 5 vjet dhe as ua bënte më të lehtë burgun ku i çonin për t’i shfrytëzuar në punë të rënda.

Përveç 14 grave të pushkatuara, kanë vuajtur nëpër burgje 31 gra të tjera vlonjate.

Të mbetur në tokën e internimit

Disa, nga uria dhe mungesa e ndihmës mjekësore, ndërruan jetë në internim bashkë me fëmijët e tyre. Nga uria vdiq edhe Lino Alikaj, nëna e Lahe Nuros, nacionalistit që luftoi me komunistët deri sa u vra në vitin 1946. Ndërkohë që ai ishte në mal, nënën e tij dhe të vëllanë vetëm 6 vjeç i internuan. Perie Mustafaraj, bashkëshortja e Muço Çepratit pushkatuar, u internua në Krujë, ku gjatë vitit 1946 i vdiqën dy vajza të mitura. /kujto.al

Lexo edhe:

ÇFARË E BËN JORGE LUIS BORGESIN NJË SHKRIMTAR TEJET TË VEÇANTË?

ObserverKult