Unë nuk do të kthehem më asnjëherë te ti…

Foto ilustrim

Nga: Esmeralda Shpata


A vishet mendja me gëzof e saten?!
Unë nuk do të kthehem më asnjëherë tek ti, po që se tundimi do të jetë mbi mua atëherë do t’ia presë këmbët.
Mendja zhvishet, i bëhet një dush i ftohtë, kalon ca kohë plevitën në një rrëzë dhe i kthehet prapë jetës. Madje shtrohet aq shumë pas kësaj, sa që ndihmon e bën bamirësi andej -këndej sa të mundet.
Mendjen ajo e mori me vete. Iku dhe i la një zbrazëti që as veset s’ia mbushnin dot më. Ikjet janë gjysmake kur dhe lidhjet janë të tilla, ama kur janë të plota rrjedhjet për trupi e për shpirti nuk ndalen.

E ndiente plotësinë e humbjes në çdo dridhmë, vështrimi i lënduar nuk i shqitej. Gati po çmendej nga mungesa e zërit të plotë dhe prekjes që i digjte lëkurën.
E kishte bërë të vetën atëherë kur ajo po shfaqej. Ulte sytë me drojë dhe shkëlqim njëherësh, shtrëngonte korsetë për të fshehur rritjen dhe ngatërronte lëkurën me të trëndafiltën. Nuk ishte penguar asnjëherë, ca naze e ojna të kuqe mbase i kishte, por hir e bukuri i jepnin.

Ndarjet nuk janë problem distancash. Njerëzit janë kontinente larg dhe janë afër, aq sa fjalët shkëmbehen nëpër re dhe ngrohin zemrat.
Problemi është plotësia, po t’i kishte mbajtur një copë ikjes së saj ai do kapej fort e do jetonte. Ajo iku totalisht prej tij, nuk i la asgjë. Harrova, i la trajtën e tij mashkullore, por e bëri me kast, ta ndiente që e kishte .
Dashuritë nuk marrin vlera, sapo shfaqet diçka tjetër ato gjunjëzohen. Ndarjet po, ato janë të mëdha. Për të qenë të vërteta janë absolute, me ato s’ka mjaftueshëm, o janë, o janë se s’bën.
U ul përballë atij, ia shtrëngoi dorën fort, ngriti qepallat e lodhura, drejtoi supet që fshihnin dukjet femërore dhe me zërin më të ëmbël që kishte artikuluar ndonjëherë i mësoi si të kujdesej për veten.
E gjithë tabloja ishte nudo. Veshi njē fustan sateni, hodhi gëzofin supeve dhe doli nga dera.

ObserverKult

*Titulli i origjinalit: “Ajo ikën”


Lexo edhe:

ESMERALDA SHPATA: SI NUK E DESHA ATËHERË… AJO KA IKUR…